Parashikimi: SHBA, 224 mijë të vdekur nga virusi deri në nëntor

0
Gjigandi

Universiteti i Uashingtonit parashikon se numri i vdekjeve në SHBA nga COVID-19 do të arrijë në diçka më shumë se 224,000 deri më 1 nëntor, ose 16,000 më tepër nga një parashikim i mëparshëm, për shkak të shtimit të infeksioneve dhe shtrimeve në spitale në shumë shtete amerikane.

Instituti i këtij Universiteti për Vlerësimin e Shëndetit (IHME) parashikon gjithashtu se numri i vdekjeve mund të ulet me 40,000 nëse gati të gjithë amerikanët mbajnë maska në publik.
Instituti tha në një deklaratë se përdorimi i maskave është në rritje, por jo aq sa duhet.
“Nëse 95 për qind e amerikanëve mbajnë maska sa herë që dalin nga shtëpia, shkalla e infeksionit do të binte, po ashtu shtrimet në spital dhe numri i vdekjeve”, thuhet në deklaratë.
Parashikimi i ri vjen ndërkohë që shtetet Alabama, Florida dhe Karolina e Veriut kanë raportuar rritje rekord të vdekjeve nga COVID-19, në një valë të re infeksionesh në pjesën më të madhe të vendit.
Më 7 korrik, parashikimi i Institutit ishte për 208,225 të vdekur, ndërsa tani për 224,089 deri më 1 nëntor.
Deri tani, të paktën 136.052 amerikanë kanë vdekur nga COVID-19, ndërsa infeksionet e raportuara e kanë kaluar shifrën 3.4 milion.
Parashikimet e Universitetit të Uashingtonit janë cituar në të kaluarën nga Shtëpia e Bardhë dhe ndiqen nga afër nga zyrtarët e shëndetit publik./VOA/

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu