Osmani: Kuvendi do të ketë rol mbikëqyrës në procesin e dialogut

0
Gjigandi

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani është takuar të hënën me shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, të cilës i ka thënë se institucioni që ajo udhëheq do të ketë rol të rreptë mbikëqyrës në procesin e dialogut me Serbinë.

“Procesi i dialogut me Serbinë duhet të jetë i kujdesshëm. Ne nuk pranojmë asnjë version dialogu, me të cilin negociohet tërësia territoriale e Kosovës. Kuvendi do të ketë rol të rreptë mbikëqyrës dhe do të insistojmë maksimalisht në rritjen e transparencës për procesin e dialogut”, ka thënë Osmani.
Përveç kësaj, ajo ka bërë të ditur edhe se do të kërkojë raportim në Kuvend për secilën fazë të negociatave.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka bërë të ditur po ashtu të hënën se Kosova është gati që të rikthehet në procesin e dialogut me Serbinë.
Në një konferencë për media, presidenti Thaçi, vendimin e qeverisë për heqjen e masave të reciprocitetit, e quajti të rëndësishëm.
“Kosova e ka të qartë se çfarë kërkon në dialog, e kërkon njohjen reciproke dhe përshpejtim të rrugës për anëtarësim në Kombet e Bashkuara. Në këtë, Kosova është bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë aleatët e tjerë. Nuk kemi çka të hezitojmë, është një rrugëtim i sigurt që ne kemi shpresë dhe do të përmbyllet sipas vullnetit të qytetarëve të vendit”, ka thënë Thaçi.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu