Shefi i agjencisë për refugjatë i Kombeve të Bashkuara tha se Kievi dhe qeveritë evropiane duhet të përgatiten për një valë të re të njerëzve që largohen nga luftimet.
Komisionari i Lartë për Refugjatë, Filippo Grandi, tha për Afp-në se pavarësisht se disa herë i është ofruar ndihmë, Rusia ende i lejon kësaj agjencie qasje të kufizuar tek ukrainasit që gjendet në atë zonë.
“Gjëja që mund të them është se çdo përkeqësim i luftës rrezikon të shkaktojë zhvendosje të mëtejme, në një mënyrë apo në një tjetër, dhe ne duhet të jemi të gatshëm për këtë gjë”, tha ai. “Siç e kemi parë kudo, në Mariupol, Herson, çdoherë kur luftimet intensifikohen, njerëzit tentojnë që të gjejnë një vend të sigurt”, shtoi ai, duke iu referuar dy qyteteve ku ka pasur luftime të ashpra, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës pothuajse një vit më parë.
Grandi tha se “ne po i themi Qeverisë ukrainase, por edhe qeverive të shteteve fqinje, ‘bëhuni gati, përgatituni për çdo eventualitet’”, theksoi ai.
Autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar gjatë kësaj jave se forcat ruse po intensifikojnë ofensivën e tyre, në përpjekjet e tyre për të marrë kontrollin e qytetit të Bahmutit, që gjendet në rajonin e Donjeckut. Beteja për Bahmutin, aktualisht është beteja më e gjatë që nga nisja e pushtimit rus më 24 shkurt 2022. Banorët e këtij qyteti të shkatërruar po ikin, teksa forcat ruse po fitojnë terren.
Agjencia e OKB-së për refugjatë vlerëson se që nga nisja e pushtimit, tetë milionë persona janë larguar nga Ukraina, ndërkaq gjashtë milionë të tjerë janë zhvendosur brenda Ukrainës. Rusia pretendon se nga zonat në lindje të Ukrainës, pesë milionë ukrainas janë larguar për në Rusi. m.b./dita