Ngrihen akuza ndaj protestuesve në Portland

0
Gjigandi

Policia e Portlandit e shpalli demonstrimin mëngjesin e së shtunës në qendër të qytetit të paligjshëm dhe punonjësit federalë e ata vendorë të zbatimit të ligjit pa shenja të qarta identifikimi u grupuan duke “reaguar ndaj protestuesve”, sipas gazetës “Oregonian”.

Një zëdhënës i agjencisë së Doganave dhe Mbrojtjes së Kufijve tha të premten se punonjës së kësaj agjencie ishin vendosur në qytet për të forcuar njësinë e porsakrijuar në Departamentin Amerikan të Sigurisë (DHS), të cilin Presidenti Donald Trump e ka ngarkuar me detyrën e mbrotjes së monumenteve dhe ndërtesave federale në Portland.
Demonstrata e mëngjesit të së shtunës ishte protesta më e fundit e përditshme përreth gjykatës federale në Portland që kur afrikano-amerikani George Floyd, humbi jetën në Mineapolis në 25 maj nën arrest policie. Protestat kundër racizmit u përhapën me shpejtësi edhe në qytete të tjera amerikane si dhe në mbarë botën. Unioni Amerikan i Lirive Civile për Oregonin (ACLU i quajti të premten veprimet e oficerëve federalë kundër protestuesve në Portland “tërësisht antikushtetuese”.
“Ajo që po ndodh aktualisht në Portland duhet t’i shqetësojë të gjithë në Shtetet e Bashkuara”, tha Jann Carson, drejtori ekzekutiv i përkohshëm i ACLU për Oregonin. “Zakonisht kur shohim njerëz në makina pa shenja, që kapin me forcë dikë në rrugë, ne e quajmë atë rrëmbim”. Zëvendës Sekretari në detyrë për Sigurinë Kombëtare Ken Cuccinelli duke folur të premten për radion publike amerikane “NPR” konfirmoi faktin se agjentët federale kishin përdorur automjete pa shenja për të ndaluar njerëz në Portland. Por ai tha se kjo ishte bërë për të garantuar sigurinë e oficerëve, larg turmave dhe për t’i zhvendosur të arrestuarit në një “vend të sigurt për t’u marrë në pyetje”.
Kryetari i Bashkisë së Portlandit Ted Wheeler i kërkoi Presidenti Trump të largojë oficerët federalë. “Mbani trupat në ndërtesat tuaja, ose të largohen nga qyteti ynë”, tha zoti Wheeler pas njoftimeve se punonjës policie kishin arrestuar njerëz në Portland që nuk ishin në pronë federale. Prokurorja e Përgjithshme e Oregonit Ellen Rosenblum tha se do të padisë qeverinë federale për arrestimin e njerëzve pa shkak. Turma njerëzish protestuan të premten në natën e 51-të me radhë që nga fundi i majit. Sipas njoftimeve, zyrtarët federale përdorën sërish gaz lotsjellës kundër demonstruesve.
Të enjten sekretari në Detyrë për Sigurisë Kombëtare Chad Wolf, i cili ishte në takim në Portland me zyrtarë federalë të zbatimit të ligjit, lëshoi një deklaratë ku i quante protestuesit “anarkistë të dhunshëm”. Zyrtarët e Oregon kanë shprehur kundërshtim të fortë ndaj vendimin të presidentit për të vendosur në terren në Portland oficerë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Guvernatorja Kate Brown tha të enjten se zoti Trump po kërkonte një përplasje me shpresën për të fituar pikë politike tek baza e tij. Zonja Brown tha se ajo i kishte kërkuar zotit Wolf që t’i largonte të gjithë oficerët federalë nga rrugët e Portlandit, duke i thënë se ai “po fuste në një situatë të rrezikshme si banorët e qytetit ashtu edhe zyrtarët vendorë të zbatimit të ligjit”.
Në përgjigje të vizitës së zoti Wolf dhe drejtuesve të Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) të enjten, kryetari i bashkisë së qytetit Ted Wheeler kërkoi largimin e trupave. Zoti Wheeler bëri gjithashtu komente rreth njoftimeve në lidhje me pohimet e sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë që sipas raporteve i ka thënë kryetares së Bashkisë së Çikagos Lori Lightfoot, që të kërkojë ndihmë federale për të siguruar qytetin.
“Kjo është qartësisht një strategji e koordinuar nga Shtëpia e Bardhë”, tha zoti Wheeler të enjten. “Është e papërgjegjshme dhe po përshkallëzon një situatë tashmë të tensionuar. Largoni prezencën e shtuar me trupa, tani”. ACLU e Oregonit bëri të ditur të premten se kishte paditur Departamentin e Sigurisë së Brendshme dhe një agjenci të Departamentit të Drejtësisë me synimin për të bllokuar punonjësit federalë të zbatimin e ligjit që të shpërndajnë, arrestojnë, kërcënojnë për arrestim ose të përdorin forcë fizike kundër gazetarëve ose vëzhguesve ligjorë.
Padia u ngrit në emër të vëzhguesve ligjorë dhe gazetarëve vendorë dhe i shtohet një procedimi egzistues gjyqësor ndaj agjencive federale, që organizata ngritur muajin e kaluar kundër organeve vendore të zbatimit të ligjit. Gazeta “OregonLive” raportoi se Andrew Jankowski, një gazetar i pavarur, ishte ndaluar dhe liruar të premten nga qendra e paraburgimit që ndodhet në qarkun Multnomah. Arrestimi i tij vjen ndodhi një ditë pasi gjykatësi i qarkut Michael Simon zgjati deri më 30 tetor një urdhër që bllokon kryerjen e veprimeve të tilla nga strukturat e zbatimit të ligjit./VOA

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu