Në pllakat e kontrabanduara nga Iraku u gjet heroinë, Shala thotë se nuk e ka ditur

0
Në pllakat e kontrabanduara nga Iraku u gjet heroinë, Shala thotë se nuk e ka ditur
Gjigandi

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Sadik Shala ka thënë se në ditën kritike në banesën e të ndjerit N.C., nuk e ka parë as nuk e ka ditur që ka pasur heroinë.

Këtë deklarim i akuzuari Sadik Shala e ka dhënë në seancën e së mërkurës, në gjykimin ku i njëjti së bashku me Xhemajl Shala, Iskender Sale dhe Alban Gashi, po akuzohen  për shitblerje të narkotikëve dhe për vepra tjera penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Sadik Shala duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokati Naim Rudari ka thënë se në Kosovë në vitin 2017 e ka pasur një firmë mermeri me emrin “Sadik Shale”.

Ai ka thënë se këtë mermer nga Iraku deri në Shqipëri ia kishte sjellë tani i ndjeri N.C., kurse ka thënë se nga Shqipëria e deri në Kosovë e kishte sjellë vetë, si dhe ka shtuar se gjysma e këtij malli ka qenë e tani të ndjerit N.C.

Tutje, ai ka thënë se herën e fundit i kishin ardhur gjashtë kontejnerë me mermer, të cilat i kishte lënë brenda në depon e tij, ndërsa disa tjera të cilat sipas tij, i kishte pasur për t’i shitur i kishte lënë në oborrin të cilin i akuzuari Xhemajl Shala e kishte marrë me qira.

RonaTyra

Ai ka shtuar se gjatë shkarkimit të gjashtë kontejnerëve i pranishëm kishte qenë ai së bashku me punëtorin e tij Hasan Zenelaj dhe gjashtë shoferët e kamionëve.

Sipas tij këtë mermer e kishte pasur për ta shitur, ndërsa ka thënë se kur ka pasur shumë shitje e ka shitur me çmim prej 17 euro një pllakë, kurse kur ka pas më pak shitje e ka shitur me çmim prej 18 euro dhe e gjithë pagesa është bërë përmes llogaris bankare.

Ai ka shtuar se policia në ditën kritike gjatë kontrollimit të depos së tij, kishte gjetur disa pllaka të mermerit me disa vrima, të cilat ka thënë se i ka parë vetëm përmes fotografive.

Kurse lidhur me ditën ku tani i ndjeri është gjendur i vdekur në banesën e tij, i akuzuari Shala ka thënë se atë ditë kishte shkuar në banesën e N.C. pasi që e kishte telefonuar Mona Kajtazi.

Ai tha se kur kishte shkuar te dera e hyrjes i kishte parë Edita Berishën dhe Mona Kajtazin duke e thyer derën por i kishte ndaluar, ndërsa ka shtuar se njëra nga vajzat e kishte telefonuar një person që rregullon dyer.

“Në ditën kritike Monen dhe Editën i kam taku para banese tu e thyer derën dhe i kamë thënë mos e theni se vijnë policia dhe Mona ose Edita e kanë thirr edhe një person që i qel dyert, se unë i thash nuk bon mej thyer dyert, dhe pastaj kur kam hyrë brenda e kam parë që ka vdekur C.N.”,

ka thënë i akuzuari Shala.

Kurse, në pyetjen se a e ka ditur se ka pasur heroin në banesën e tani të ndjerit N.C, ia ka thënë se nuk e ka parë as nuk e ka ditur që ka heroinë.

“Ta kisha ditë që ka drogë në banesën e N.C kurrë nuk isha shkuar edhe vëlla me pas. Tashti edhe me pa vëllain tim tu vdekur qaty e kthej shpinën edhe shkoj”,

ka deklaruar i akuzuari Shala.

Ndryshe, fillimisht në këtë seancë janë shikuar video-incizimet nga vendi i ngjarjes, kurse me propozimin e prokurorisë dhe mbrojtjes janë konsideruar të lexuara transkriptat e bisedave telefonike.

Pas shikimit të video-incizimeve janë administruar edhe provat materiale të propozuar në aktakuzë.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 22 dhe 31 mars 2022.

Ndryshe, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Labinot Zenelaj, mirëpo, ndaj tij gjykata kishte bërë veçimin e procedurës penale, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë dhe më 10 mars 2021, ishte dënuar me një vit burgim me kusht dhe 5 mijë euro gjobë për veprën penale të mashtrimit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Xhemal Shalës, Sadik Shalës, Iskender Sale, Alban Gashi dhe Labinot Zenelaj, për shkak se sipas aktakuzës, të akuzuarit Shala dhe ai Sale, si shtetas turk, duke vepruar si grup kriminal, i shtrirë në territorin e shtetit të Iranit, Shqipërisë dhe Kosovës, kishin blerë dhe poseduar substanca narkotike të llojit heroinë.

Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2018, kishin blerë heroinë nga Iraku, e cila kishte arritur me maune në pllaka të mermerit në Shqipëri dhe pastaj në Kosovë.

Siç thuhet në aktakuzë, me qëllim të shmangies nga ndjekja penale, të pandehurit kanë bërë ndërrimin e identiteteve, ashtu që i ndjeri N.C ka siguruar identitetin Lavdim Nimani dhe Lulzim Shala, i akuzuari Sale ka ndërruar identitetin duke u emëruar Mehmet Gjini, kurse i akuzuari Xhemal Shala me identitetin Skender Sheremeti.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Sadik Shala më 14 shkurt 2017, ka regjistruar një biznes në emrin e tij me seli në Ferizaj, i cili gjatë vitit 2017-2018 ka eksportuar gjithsej 19 maune me pllaka të mermerit dhe gurë dekorues, ku në eksportin e fundit, ishin eksportuar gjashtë maunë pllaka të mermerit, ku në njërën nga këto maune në 10 paketime të pllakave nga secila prej tyre ka pasur nga dy bunkerë ku ka qenë e vendosur heroina në peshë bruto prej rreth 113 kg, e cila është konfiskuar në banesën e të ndjerit N.C në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, tani i ndjeri N.C i cili ka qenë në krye të këtij grupi kriminal e ka bërë porosinë  e heroinës, e cila është vendosur në paketimet e pllakave të mermerit, pasi që i njëjti ishte njohës i mirë i gjuhës kurde, ku të njëjtat pllaka me substancën narkotike kanë ardhë në firmën e të akuzuarit Shala, të cilat pagesa deri në Shqipëri i ka kryer i ndjeri N.C, ndërsa nga Shqipëria në Kosovë pagesat i ka kryer Sadik Shala në emër të biznesit të tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Xhemal Shala më 12 korrik 2018, sipas marrëveshjes gojore me të ndjerin N.C dhe të akuzuarin Sadik, e kishte marrë me qira oborrin e depos ku ishte i vendosur biznesi i të akuzuarit Sadik, të cilin e kishin shfrytëzuar për t’i vendosur pllakat e mermerit dhe gurët dekorues të eksportuar në Kosovë, me qëllim të shitjes së heroinës. I akuzuari Shala kishte marrë një banesë me qira në Fushë Kosovë, ku gjatë kontrollit të saj i janë gjetur një qese me substancë narkotike – heroinë, pesë valixhe të zbrazëta me mbetje të pluhurit të heroinës, si dhe shirita ngjitës dhe dorëza të gomës të cilat janë shfrytëzuar për përpunimin edhe paketimin e substancës narkotike.

Në aktin akuzues thuhet se më 13 tetor 2018, i ndjeri N.C së bashku me tre të akuzuarit kanë shkuar në Ferizaj në depon e të akuzuarit Sadik, ku e kanë nxjerrë heroinën në peshë bruto prej rreth 113 kg nga gjashtë maunet e pllakave, të cilën të nesërmen e kanë vendosur në bagazh të veturës dhe e kanë sjellë në banesën e të ndjerit në Prishtinë, ku më 2 dhjetor 2018 është sekuestruar.

Me këto veprime, tre të akuzuarit kanë kryer veprën penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga nenin 283, par.1 të KPRK-së lidhur me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 273 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenin 281, paragrafi 1 pika 1.9 të KPRK-së.

Sipas aktit akuzues, Xhemal Shala dhe Iskender, me të kuptuar se më 19 tetor 2018 në Shqipëri janë publikuar emrat e tyre si persona të dyshuar se fshihen pas rastit të laboratorit të drogës në Has të Shqipërisë, me qëllim që t’i shmangen arrestimit kanë paraqitur fakte të rreme në Qendrën e Regjistrimit në Prishtinë dhe në Obiliq, me ç’rast kanë paraqitur ekstraktin e lindjes me të dhënat e personit Mehmet Gjini dhe të dhënat e personit Skender Sheremeti, ku me ndihmën e tani të ndjerit N.C i cili i ka vënë në kontakt me të akuzuarin Alban Gashi, nga ai kanë siguruar këto ekstrakte të lindjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këta të akuzuar së bashku me të akuzuarin Gashi, janë takuar edhe me një person deri më tani të panjohur, i cili i ka shoqëruar në këto dy qendra të regjistrimit, ku duke i paraqitë faktet e rreme i kanë vu në lajthim zyrtarët në qendrat e regjistrimit dhe kanë arritur t’i sigurojnë dokumentet me identitetet të reja.

Me këto veprime, secili nga tre të akuzuarit veç e veç kanë kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, nga neni 403, par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Gashi në periudhën kohore tetor – nëntor 2018, me dashje iu ka ndihmuar të akuzuarve Xhemal dhe Iskender dhe të ndjerin N.C, në shmangien e zbulimit dhe mosarrestimin e tyre nga organet e ndjekjes së Shqipërisë dhe të Kosovës si dhe me qëllim të përfitimit pasuror u ka ndihmuar në nxjerrjen e dokumenteve zyrtare në mënyrë të kundërligjshme, duke i marrë të ndjerit N.C nga 5 mijë euro për secilin dokument.

Prokuroria e ngarkon atë me veprën penale “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 388, paragrafi 2 nën paragrafi 2.8 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria e ngarkon të pandehurin Gashi edhe me veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 398, paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 të KPRK-së, sepse ai më 24 dhjetor 2018 me dashje ka përpiluar dokument të falsifikuar, një autorizim të lëshuar kinse në emër të noteres Feraseta Pejcinovic në Pejë, i cili paraqet faktin e rremë se kinse autosalloni “Endriti”, me përfaqësues Valon Baram, e autorizon të ndjerin N.C me të dhënat Lulzim Shala, ko formalizon blerjen e sendit të luajtshëm dhe atë veturën e tipit “BMË 7”, në vlerë prej 80 mijë euro, të cilën e ka shfrytëzuar i ndjeri si autorizim të vërtetë, ku më 2 dhjetor 2018, i është gjetur atij në banesën e tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu