Ndryshimet e reja në Kodin zgjedhor, PS-PD përplasen sërish

0
Gjigandi

Takimi i mbrëmjes të së hënës në Këshillin politik, i pari për të përshtatur në Kodin zgjedhor ndryshimet Kushtetuese të miratuara më 30 korrik, nuk solli asgjë të re. Në fund të pak më shumë se 1 orë e 30 minuta bisedimesh, palët veçse akuzuan njëra tjetrën.

Shumica është e prerë në qëndrimin e saj se koalicionet parazgjedhore nuk mund të jenë në formën që kanë qenë deri më tani, pasi sistemi parashikon lista të hapura. “Opozita dhe PD qëndroi në të njejtat pozicione a thua se nuk ka ndodhur asgjë, pa marrë parasysh se Kushtetuta e Shqipërisë tanimë ka ndryshuar, dhe ju rikthye të njejtit debat për koalicionet që tashmë quhet i ezauruar”, deklaroi pas takimit përfaqësuesi socialist Damian Gjiknuri.

Sipas organizmit të mëparshëm, në koalicionet parazgjedhore partitë pjesmarrëse, paraqiteshin secila me listën e saj. Sipas socialistëve kjo formulë nuk mund të zbatohet më, pasi kjo do të bënte të pamundur një fletë të vetme votimi, ku do të duhej të përfshiheshin qindra emra.

Por demokratët janë të një tjetër mendimi. “Koalicionet janë sot në Kodin Zgjedhor dhe nuk ka nevojë ç’të draftohet. Funksionojnë perfekt, me çdo lloj sistemi zgjedhor, janë pjesë e sistemit politik prej 17 vitesh dhe janë sot në Kushtetutë. Në nenin 96 të Kushtetutës, koalicionet paraqeveritare, pra, zgjedhore, ekzistojnë sot dhe nuk kemi ç’t’i shkruajmë”, u shpreh Oerd Bylykbashi, përfaqësues i Partisë Demokratike, i shoqëruar në takim dhe nga përfaqësuesi i LSI-së Petrit Vasili.

RonaTyra

Sipas zotit Bylykbashi “meqë nuk kemi dakordësi dhe meqë janë ata që duan të sjellin një sistem ndryshe nga ai që ekziston sot, ai sistem që u garanton sot shqiptarëve listë të hapur të partive politike, pra, të zgjedhin në mënyrë të veçantë cilën parti ata duan, për propozimin që bëjnë dhe mosdakordësinë që kemi, bashkë me ne, t’i drejtojmë një kërkesë OSBE/ODIHR-it. Bëmë këtë propozim që u refuzua nga përfaqësuesi i maxhorancës”, u shpreh zoti Bylykbashi

Por për përfaqësuesin e shumicës “ODIHR-it nuk i shkohet me opinione e me idera. ODIHR-it i shkohet me drafte, kur ka mungesë dakortësie. Nuk kanë sjellë asnjë draft. Nuk morën përsipër të sjellin ndonjë draft. Le ta ezaurojmë procesin e draftimit ligjor dhe nëse kemi ndonjë dispozitë që mund të mos biem dakort, mund t’i kërkojmë opinion ODIHR-it në një fazë të dytë”, shpjegoi nga ana e tij zoti Gjiknuri, duke saktësuar se “ngarkova ekspertët që nëse PD nuk vjen me propozime konkrete, natyrshëm që ata do paraqesin draftin teknik dhe aty të hapen debatet”, tha zoti Gjiknuri ndërsa nënvizoi se kjo çështje duhet të mbyllet brenda 30 shtatorit.

“Propozuesit e ndryshimeve, sot erdhën dhe thanë, për turpin e tyre, që nuk kanë një draft. Kjo ose është një gënjeshtër, ose është mungesë serioziteti absolute”, theksoi nga ana tjetër zoti Bylykbashi.

Ndryshimet kushtetuese u ndërmorrën duke i mëshuar idesë së listave të hapura. Demokratët thonë se janë dakort menjëherë për t’i hapur 100 përqind listat. Por shumica këmbëngul në gjetjen e një alternative për të garantuar kuotat gjinore. “Hapja e listave duke marrë parasysh si do të ruhen kuotat gjinore apo elementë të tjerë që mundësojnë zgjedhje altarnative por që njëkohësisht ruajnë një loj stabiliteti dhe integriteti të listave të kandidatëve”, u shpreh zoti Gjiknuri.

“Ajo që kërkon maxhoranca është që t’u heqë zgjedhësve mundësinë e listave 100 përqind të hapura për kandidatët dhe t’i ketë pjesërisht të mbyllura. T’u heqë mundësinë zgjedhësve të zgjedhin lirisht partinë politike që ata duan”, deklaroi nga ana e tij përfaqësuesi demokrat.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu