‘Miratoni marrëveshjen e 5 qershorit’, tre eurodeputetët: Çdo modifikim pa konsensus rrezikon nisjen e negociatave…

0
Gjigandi

Në një deklaratë të përbashkët, Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme David McAllister (EPP, DE), Raportuesi për Shqipërinë Isabel Santos (S&D, PT) dhe Kryetari i Delegacionit të Parlamentit për Shqipërinë Manolis Kefalogiannis (EPP, EL) kërkuan nga Parlamenti i Shqipërisë  të miratojë me shpejtësi Marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore.

“Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis Qeverisë dhe Opozitës më 5 qershor. Çdo modifikim i Marrëveshjes pa arritur një konsensus me të gjitha partitë politike mund të rrezikojë thirrjen e konferencës së parë për negociatat e anëtarësimit dhe për këtë arsye të ngadalësojë procesin e integrimit evropian.  Çdo vend është i lirë të vendosë dhe përmirësojë sistemin e tij zgjedhor sipas kontekstit kombëtar dhe konsensusit. Sidoqoftë, praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandojnë që çdo ndryshim në sistemin zgjedhor duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duke filluar të paktën një vit para zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara. Ne besojmë se Shqipëria do t’i respektojë këto rekomandime dhe do të punojë më tej drejt arritjes së rezultateve të qëndrueshme në fushat kryesore të reformës. Parlamenti Evropian është i përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit evropian dhe është i gatshëm të punojë me Parlamentin shqiptar në lehtësimin e dialogut dhe ndërtimin e konsensusit mbi reformat thelbësore në fushat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe përgjegjshmërisë që janë të domosdoshme për BE-në e vendit të ardhmen”, thuhet në deklaratën e tyre.
Mesazhin e tre eurodeputetëve të Parlamentit Europian e ka shpërndarë edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.
Shqipëria paraqiti kërkesën e anëtarësimit në 2009 dhe iu dha statusi i kandidatit në vitin 2014. Këshilli vendosi të hap negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 25 mars 2020, pas propozimeve të Komisionit për një metodologji të rishikuar të zgjerimit.
Në qershor të vitit 2020, Komisioni paraqiti projekt kornizat e negociatave që, pasi të jenë finalizuar, do të përdoren për të negociuar pranimet në BE të dy vendeve të Ballkanit. Shtetet Anëtare të BE-së duhet të miratojnë këto dokumente dhe Kryesia e Këshillit do t’i paraqesë ato në fillimin e negociatave të pranimit. Publikimi i raporteve të zgjerimit të Komisionit Evropian për vitin 2020 është shtyrë deri në vjeshtë për shkak të pandemisë COVID-19.

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu