Meta kujton vizitën e George W. Bush 13 vite më parë në Shqipëri

0
Gjigandi

Presidenti Ilir Meta me anë të një postimi në Facebook ka kujtuar vizitën e ish-presidentit të SHBA në Shqipëri, George W.Bush, 13 vite më parë.

Ndër të tjera Meta falënderon SHBA për mbështetjen e pazëvendësueshme në rrugëtimin Europian por dhe për mësimet mbi rëndësinë e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, demokracia, pluralizmi dhe sovraniteti.
Statusi nga Ilir Meta:
Vizita e Presidentit të SHBA, George W. Bush, 13 vite më parë, shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme në marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në përvjetorin e kësaj ngjarjeje ne kemi shumë arsye për të qenë krenarë për bashkëpunimin e shkëlqyer, tashmë të një partneriteti strategjik me SHBA, sepse me këtë vizitë të Presidentit amerikan, jo vetëm u vulos anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, por edhe Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran brenda kufijve të saj të njohura ndërkombëtarisht.
Anëtarësimi në aleancën më të madhe e të suksesshme politiko-ushtarake që ka njohur bota, garantoi lirinë e vendit, dhe përmbushi një aspiratë mbarëpopullore për të cilën janë sakrifikuar mijëra shqiptarë.
Pavarësia e Kosovës, jo vetëm korrigjoi gabimet historike të së kaluarës, duke i dhënë të drejtën popullit të saj të jetojë i lirë e i pavarur në vendin e vet, por dhe forcoi në mënyrë thelbësore sigurinë e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Shqipëria dhe populli shqiptar falenderojnë me këtë rast përzemërsisht Presidentin Bush, dhe do t’i jenë përherë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan për frymëzimin dhe mbështetjen e pazëvendësueshme në rrugëtimin europian, por dhe mësim se sa të shtrenjta janë sot liritë dhe të drejat themelore të njeriut, demokracia, pluralizmi dhe sovraniteti, përballë përpjekjeve dhe qëllimeve sfiduese anti-vlerë të aktorëve lokalë, rajonalë dhe globalë.

Shkruar nga: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu