Mediat italiane: Strakosha portier i kompletuar, një nga më të mirët në Europë

0
Gjigandi

Lojtarët e përfaqësueses po kalojnë momente të vështira për shkak të ndalesës që iu bë garës si pasojë e pandemisë së koronavirusit, një ndërprerje që mund të ketë pasoja për shëndetin e sportistëve kur ata të kthehen në stërvitjet normale. Sidoqoftë, një pjesë janë profesionistë të vërtetë dhe janë stërvitur edhe në kushte individuale në palestra dhe ambiente të hapura, duke ruajtur formën e mirë sportive. Padyshim që vëmendja shkon tek lojtarët e Kombëtares që luajnë në futbollin italian, sidomos në Serie A, dhe Thomas Strakosha është ndër më të spikaturit. Padyshim që gardiani kuqezi është ndër më të mirët e Lacios dhe njëherësh një shtyllë e skuadrës, duke u evidentuar në mediat sportive italiane si një prej më të mirëve të bardhekaltërve dhe njëherësh lider i grupit. Falë pritjeve të tij dhe peshës në skuadër, Lacio ka shanse që të luftojë deri në fund për titullin. Në fakt, Thomas Strakosha e ka vendosur veten në portierët më të mirë të Serie A dhe jo vetëm, duke zgjuar dhe interesin e një sërë klubesh nga kampionatet më të mira të Europës. 25-vjeçari ka treguar aftësi shumë të mira në neutralizimin e goditjeve, por “Lazio Neës” zbulon edhe një tjetër aftësi mjaft të rëndësishme të portierit të kombëtares sonë. Ky uebsajt shpjegon se Strakosha është një portier modern, që e përdor topin shumë mirë me këmbë dhe ka një kontribut të madh në evitimin e presionit nga skuadra kundërshtarë, në momentet që Lacio niset në sulm. Me mbajtjen e topit nga ana e tij, Strakosha tërheq një kundërshtar dhe liron një nga organizatorët, që zakonisht është Saviç. Ky i fundit merr topin dhe nis lirisht aksionin e skuadrës së Inzagit. Aftësitë e Strakoshës në pasime i vërtetojnë edhe statistikat. Ai është portieri i tretë në Serie A me 15.7 pasime për ndeshje. Kjo është një statistikë mjaft e mirë për një skuadër vertikale si Lacio e Inzagit. Kontrata e Strakoshës përfundon në vitin 2022 dhe Tare ka nisur negociatat për të rinovuar deri në vitin 2025 me një rritje page prej më shumë se 1 milionë euro.

Kombëtarja

Strakosha është në rivalitet me Etrit Berishën për një vend titullari në ekipin përfaqësues. Dy vitet e fundit kanë luajtur në mënyrë thuajse të barabartë në formacionin titullar, por veterani Berisha ka pasur avantazhin e eksperiencës dhe harmonisë me grupin. Sidoqoftë, Strakosha është portieri i të ardhmes dhe në 4-vjeçarin e ardhshëm llogaritet titullar i portës së ekipit përfaqësues. Natyrisht që është një pikë e fortë dhe vetë trajneri Edi Reja e ka cilësuar një portier të nivelit të lartë, që luan në një prej kampionateve më të mira europiane dhe është padyshim shtyllë e fortë e skuadrës përfaqësuese. Strakosha nuk po nxitohet të marrë rolin që i takon, pasi e di se me kohën fitohen gjërat e mira. Madje ai për një ose dy vite mund të marrë edhe shiritin e kapitenit, për të qenë në rrugën e babait të tij, Foto Strakosha, i cili ishte portier i parë dhe kapiten i skuadrës kombëtare afro 20 vjet më parë, madje titullar dhe kapiten në ndeshjen historike kundër Greqisë më 4 shtator 2004, ku Shqipëria mundi Greqinë me rezultatin 2-1, në atë kohë Greqia vinte në Tiranë si kampione në fuqi e Europës.

Igli Tare i vë “syrin” kampionit të botës, Mario Gëtze mund të bëhet shok me Strakoshën

Strakosha nuk do të jetë vetëm, do të luajë krah kampionëve të botës. Lacio këtë sezon do të duhet të ndërtojë një ekip me cilësi, me qëllim që të mundohet të shkojë sa më larg në Champions League, një kompeticion, që nuk e prek prej shumë vitesh. Milinkoviç-Saviç pritet të largohet këtë verë, me disa klube, që kërkojnë shërbimet e tij dhe Lacios do i duhet të sjellë një tjetër mesfushor për ta vënë në dispozicion të Inzagit. Mario Gëtze këtë sezon përfundon kontratën me Borusia Dortmund dhe pritet të marrë një vendim për të ardhmen. Për momentin Lacio është opsioni më i mirë për mesfushorin në Europë, pasi pritet të kualifikohen në Champions League dhe Gëtze do të kishte mundësinë të luante akoma në nivele të larta. Rinovimi qëndron si mundësi, ndërkohë skuadra nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina qëndrojnë gati për t’i ofruar kontrata mjaft të favorshme. Pritet të shihet se ç’do të ndodhë me mesfushorin, i cili vitet e fundit e ka ulur ndjeshëm nivelin e tij, por ai gol në finalen e Kupës së Botës ndaj Argjentinës nuk harrohet kurrë.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu