Mavraj nuk e njeh shtetin e Izraelit, klubi i tij bën këtë veprim

0
Gjigandi

Mërgim Mavraj kthehet përsëri në qendër të vëmendjes dhe përsëri për ngjarje që kanë të bëjnë pak me fushën e futbollit. Këtë herë, ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë akuzohet për qëndrim anti-Semit pasi ka fshirë nga harta Izraelin në një postim. “Nürnberger Zeitung” shpjegoi se pak ditë më parë Mavraj kishte postuar një foto në “Instagram”, në të cilin silueta e territoreve të Izraelit dhe Palestinës ishin mbuluar me lule. Në mes të fotos, me hashtag #FreePalestine (lironi Palestinën), shiheshin edhe konturet e Jerusalemit, por poshtë shkruhej vetëm Palestinë. Ndërsa Izraeli nuk paraqitej si shtet në hartë. Një reagim i cili sipas Daniela Einshtajn, drejtoresha e Muzeut Hebraik në Franken, tregonte se Mavraj mbante qëndrim anti-Semit më këtë postim. “Kjo sjellje është e papranueshme, mesazhi i Mavrajt kundërshton të drejtën e Izraelit për të ekzistuar”, theksoi ajo.

Klubi i Greuther Furthit, pjesë e të cilit është Mavraj, u distancua nga publikimi i mbrojtësit. “Si një klub, ne jemi pro tolerancës, diversitetit dhe barazisë dhe jemi kundër diskriminimit, racizmit dhe përjashtimit, të cilën ne e shprehim rreth fushatave tona vazhdimisht. Ndaj distancohemi nga publikime të tilla”, shkruante klubi në reagimin e tij.

Por ky lajm ka acaruar dukshëm Mavrajn, i cili nuk pranon akuzat dhe mendon se po e teprojnë me një përshkrim të tillë. “Përfundimi se unë jam anti-Semit është primitiv në kohët tona. Izraeli dhe Palestina kanë të njëjtën të drejtë të jenë në hartën e botës. Unë nuk i mohova Izraelit të drejtën për të ekzistuar”, shpjegoi ai për mediat gjermane. Ndërkohë, gjatë pasdites Mavraj ka postuar disa video në “Instagram” ku shpjegonte se nuk kishte qëndrime anti-Semite, por thjesht kërkonte që edhe Palestina t’i kishte të njëjtat të drejta. “Demokracia është për të dyja palët”, shkruante Mavraj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu