Llogaritë e votave/ A do vazhdojë “qeveria” Rama?

Kryefjala e ditës, në Shqipëri, është nëse kryeministri Edi Rama do të arrijë të mbledhë 71 vota, për të shpëtuar qeverinë e tij nga zgjedhjet e parakohshme.

Vendi ynë ka njohur dy raste deri tani të zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme, më 1992 dhe 1997, por asnjë rast nuk ka pasur zgjedhje të parakohshme të kryera me kushtetutën aktuale, e cila u miratua në vitin 1998.

Askush nuk do ta besonte që vota e një deputeti anonim, që s’ka folur qoftë për njëherë të vetme në foltorën e Kuvendit, të ketë kaq vlerë. Madje vlera e tyre rritet akoma edhe më tepër, kur sheh gazetar të ndryshëm, tek mprehin majën e lapsit për të gjykuar nga do mbajë “X” dhe nga “Y”.

Për të shmangur një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, mund të jetë vetë Rama që të kërkojë një mocion besimi të qeverisë. Nëse qeveria merr 71 vota dhe merr besimin e Parlamentit, ajo vijon punën.

A ka gjasa që qeveria Rama t’i marrë këto vota? Kjo është pyetja që po mundon shumë gjatë këtyre ditëve. Sipas një kalkulimi të thjeshtë, bazuar mbi informacionet e siguruara nga Opinion.al, mësohet se Edi Rama ka 58 vota + 2 vota të deputetit Ben Blushi dhe Mimoza Hafizit, ku sipas të gjitha gjasave, kryeministri Rama ka arritur të negociojë për t’i pasur këto vota në mbështetje të kësaj qeverie.

Atëherë, sipas këtij kalkulimi, hamendësohet se Rama ka 60 vota. Shtoi kësaj edhe një votë të deputetit Tom Doshi, ai shkon në shifrën e 61 votave + 1 votë të deputetit “zemërthyer” Vladimir Kosta, i cili ka ikur është kthyer dhe pritet të kthehet përsëri, kryeministri është në bilancin e 62 votave të “sigurta”, të paktën në letër.

Shtoi kësaj shume edhe 5 vota të PDIU-së, shifra arrin në 67 vota.

Mirëpo, skenari Rama nuk ka përfunduar vetëm me kaq. Referuar të njëjtave burime, mësohet se ai ka arritur të shkëpusë nga tufa e LSI-së, deputetin Shkëlqim Selami.

Pra, sipas përllogaritjes, Rama është në vlerën e 68 votave.

Kanë mbetur edhe 3 vota për të kap shifrën e duhur.

Vota e parë, në mbështetje të kryeministrit Rama, me shumë gjasa vjen nga deputeti demokristiani Nard Ndoka dhe e dyta nga zëvendësuesja e deputetit Mark Frroku, shkodrania Mirela Ferracaku.

Mirëpo, një votë tjetër e sigurtë mund të konsiderohet edhe vota e “kaubojsit” nga Lezha, deputetit Eduart Ndocaj. Ndocaj edhe pse ka pas akuza të shpeshta për qeverisjen e socialistëve, ai më tepër se një keqqeverisje të Ramës, ka parë LSI-në dhe kryesisht klanin Meta si ngërçi i gjithçkaje në administrimin e vendit.

Nga këto kalkulime të thjeshta, në letër të bardhë, kryeministri Rama ka të “sigurta”, 71 vota. Deri atëherë ne duhet të presim se çfarë surprizë mund të na rezervohet.

Pas zgjedhjeve të vitit 2013, Partia Socialiste doli nominalisht me 65 deputetë, PD me 50, LSI me 16, PDIU me 4, PR me 3 dhe PBDNJ e PKDSH me nga 1 deputet. Pas zgjedhjeve ka pasur disa transferime deputetësh nga opozita te maxhoranca, ndërsa efektivisht disa deputetë të PS janë mbështetës të hapur të LSI, si p.sh, Spartak Braho.

Gjithsesi, një koalicion me bazë PD+LSI që të bëjë 71 vota, do të duhet të marrë deputetë shtesë nga partitë e vogla, gjë që e komplikon shumë skemën e një qeverie pa PS-sën.

Dy deputetë, të Partisë Republikane, Ylli Shehu dhe Agron Duka, njëri ka levizur tek LSI, ndërsa tjetri ka riformuluar një subjekt tjetër politik. Deputeti, Gjovalin Kadeli i dalë deputet nga listat e PD-së në 2013 është pozicionuar në listat e LSI-së. Megjithatë, ekziston një tjetër rrezik, sado i vogël të jetë në pamje të parë, disa deputetë të PD, me shumë gjasa edhe mund të levizin. Pavarësisht gjithçkaje, PD+LSI bashkë me partitë e vogla, kësaj radhe e kërcënojnë seriozisht Edi Ramën.

Procedura

Kushtetuta aktuale në nenet 104 dhe 105 jep dy rrugë që të shpien të zgjedhjet e parakohshme, rrugë që, pavarësisht se janë të qarta, sërish mbeten të patestuara në histori.

Neni 104 i jep të drejtë kryeministrit të kërkojë ndaj vetes mocion besimi në parlament. Mocioni duhet të marrë 71 vota që kryeministri ta quajë veten me maxhorancë. Në rast se kryeministri nuk i merr të 71 votat, ai ka për detyrë të kërkojë brenda 48 orësh shpërndarjen e parlamentit nga presidenti i Republikës. Presidenti duhet ta shpërndajë parlamentin brenda 10 ditësh nga marrja e kërkesës nga kryeministri. Neni i jep Ramës rolin e protagonistit. Ai ka në dorë të shkaktojë zgjedhje të parakohshme nëse dëshiron.

Në rast se reforma dështon të miratohet, Rama ka mundësi të zgjedhë se kur dëshiron të bëjë kërkesën për mocion besimi dhe ka dy rrugë kryesore: ta bëjë kërkesën menjëherë javën e ardhëshme, ose të presë për më vonë.

Neni 105 i Kushtetutës nga ana tjetër i jep rrugë mundësisë që kryeministri të rrëzohet nga pushteti dhe jo thjeshtë të shkaktojë zgjedhje të parakohshme. Ky nen thotë se një e pesta e deputetëve, (28 deputetë), mund të kërkojnë mocion mosbesimi ndaj kryeministrit dhe njëkohësisht të propozojnë një kryeministër të ri. Teorikisht, PD dhe LSI mund ta përdorin këtë nen për të rrëmbyer pushtetin ekzekutiv nga Rama. Praktikisht, shifrat në Kuvend nuk e mbështesin dot idenë e një skenari të tillë dhe nëse ndodh, situata do të jetë veçanërisht e komplikuar. Neni 105 nuk jep mundësi që thjeshtë të rrëzohet kryeministri. Bashkë me rrëzimin e kryeministrit, duhet të emërohet një kryeministër i ri/Abc24.al

Kontrolloni gjithashtu

Fati i zgjedhjeve në Shqipëri , ABC24.AL shfaq sondazhin

  Sipas disa kërkimeve të bëra nga ana jonë ,gjithashtu konktatet që kemi patur me …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *