Shqipëri, 10 muaj burg për ish zëvendësministren Voda

0
Shqipëri, 10 muaj burg për ish zëvendësministren Voda
Gjigandi

Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar dënoi të enjten me 15 muaj burgim ish zëvendës ministren e Brendshme Rovena Voda. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi reduktohet në 10 muaj burgim.

Ajo u vu në arrest shtëpie, në 13 korrik të vitit të kaluar, së bashku me dy persona të tjerë Majlinda Hasani dhe Florida Beu. Prokuroria e posaçme, SPAK, i akuzoi ato për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Që nga fillimi, zonja Voda ka pretenduar pafajësinë, duke këmbëngulur se “nuk është autorja e kryerjes së veprës penale për të cilin akuzohet. Dhe për këtë arsye vendimi i Gjykatës do të ankimohet”, i tha Zërit të Amerikës avokati i saj Eugen Beci. Deri atëherë zonja Voda do të qëndrojë në arrest shtëpie.

Rasti për të cilin zonja Voda akuzohet, i përket periudhës kur ajo ishte ende në detyrën e zëvendës ministres së Brendshme, funksion të cilin e mbajti për më shumë se tre vjet, nga viti 2017 deri në korrik të vitit 2020. Sipas SPAK-ut dyshohet se ajo “ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe materiale nga zonjat Hasani dhe Beu, me qëllim që të ushtronte ndikim të paligjshëm te persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike për të favorizuar në mënyrë të padrejtë shtetasen Florida Beu, në mënyrë që kjo e fundit të emërohej, punonjëse në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive”.

Zonja Hasani, me profesion avokate, dyshohet që për shkak të marrëdhënieve miqësore me zëvendës ministren, të ketë bërë ndërmjetësen për punësimin e Beut, gjë e cila nuk ndodhi. Për të dyja Gjykata dha një dënim me 10 muaj burg./VOA

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu