‘Kuq e zi je ti’ e ndarë përgjysmë, kënga që ndan dhe bashkon Elvanën dhe Florin

0
Gjigandi

Kuq e Zi je ti…

14 tetor 2014….  Ora 21:27. Ndeshja Serbi-Shqipëri, që luhet në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian Francë 2016, ndërpritet. Ndërprerja ishte paralajmëruar thuajse që para fillimit: u ndalua pjesëmarrja e tifozëve të Kombëtares Shqiptare në Beograd, ndërsa tifozët serbë në stadium me fishkëllima e britma penguan intonimin normal të Himnit Kombëtar Shqiptar. Në këto kushte, të rënduara dhe të vështira për ekipin shqiptar, filloi ndeshja.

Arbitri britanik Martin Atkinson nuk e kishte të lehtë të ndante gjyqësinë që, sidomos nga lojtarët, tifozët, por edhe zyrtarë serbë që gjendeshin aty, konsiderohej betejë lufte. E tensionuar, me epërsi të dukshme shqiptare, ndeshja vazhdoi kështu deri në minutën e 42-të.

Dhe në atë minutë, nga qielli i Beogradit, sipër tifozëve, mengadalë e duke u valëvitur nga një dron, në fushën e lojës afrohet flamuri me hartën e viseve etnike shqiptare, me portretet e Ismail Qemalit e të Isa Boletinit dhe me mbishkrimin “AUTOCHTHONOUS”.

Një çudi e mrekullueshme që zbriste nga lartësia. Pastaj një futbollist serb e mori në hapësirë, pa rënë në tokë, flamurin me simbole shqiptare. Lojtarët e Kombëtares sonë vrapuan menjëherë pas tij duke ia rrëmbyer nga duart….

RonaTyra

Një vit më vonë…..

“Jemi ne, jemi ne

Vijmë nga trojet tona

Nuk na ndal dot askush, fluturon shqiponja….”

Cili shqiptar, i madh e i vogël, nuk emocionohet nga teksti dhe muzika e këtij hiti që prej disa vitesh tashmë, është bërë kolona zanore e çdo ndeshjeje të Kombëtares, por edhe e çdo eventi ndërkombëtar që organizohet brenda dhe jashtë Shqipërie? Cili shqiptar nuk shoqëron Elvanën dhe Florin në këtë produksion që vazhdon të mbetet i fuqishëm në çdo tribunë?

Ishte viti 2015, kur “Kuq e Zi je ti” erdhi në bashkëpunim me Digital, me një qëllim të vetëm – të kishte një hit që të këndohej e të bënte krenar çdo shqiptar për Kombëtaren e për kombin, pavarësisht rezultatit. Asokohe, Flori dhe Elvana, por edhe të gjithë bashkëpunëtorët, shumë entuziastë që arritën të kishin një prodhim të suksesshëm, u shprehën të lumtur edhe sepse besonin që kënga do të ishte jetëgjatë, do të këndohej në çdo skenë ndërkombëtare, në çdo koncert, brenda dhe jashtë Shqipërisë, do të emociononte çdo shqiptar të madh e të vogël… Sepse brenda atyre vargjeve dhe muzikës kuq e zi vlonte gjak i kuq, histori shqiponje e krenari shqiptari. Dhe ashtu ndodhi.

Asokohe, fill pas produksionit të fuqishëm që kushtoi mijëra euro, Flori tha: “Kam qarë kur e dëgjova këngën të përfunduar…” Natyrisht, nuk munguan as skeptikët, që gjykonin se kënga nuk ishte tjetër veçse komerciale, por edhe këtyre Flori ua mbylli gojën duke përmendur miliona klikimet në vetëm pak ditë pas publikimit. Videot me hashtagun #kuqezijeti, që vijojnë edhe sot në rrjet sa herë që kënga këndohet e interpretohet në skenat shqiptare, “dëshmojnë suksesin e këngës dhe mesazhin se ajo u përket të gjithë shqiptarëve…..” – tha Flori pas publikimit të “Kuq e Zi”?

Katë vjet më vonë…

Po sot? “Kuq e Zi je ti” është e ndarë në dy. Jo më larg se mbrëmë, Flori e këndoi i vetëm atë, pa zërin e Elvanës, në promovimin e stadiumit të ri “Air Albania Stadium” para ndeshjes Shqipëri – Francë. Po nuk ishte hera e parë kjo që e këndonte vetëm hitin e tij më të dëgjuar. Edhe në koncerte, me djemtë e Threedots, “Kuq e Zi je ti” këndohet pa zërin e Elvanës…

Në fakt, edhe kjo e fundit, nga koncertet dhe turet e saj muzikore, ka bërë të njëjtën zgjedhje – e këndon “Kuq e Zi je ti” pa zërin e Florit. Pyetja është: a është më shumë kënga e Florit, më shumë e Elvanës apo është kënga, së cilës të dy i kanë dhënë të njëjtën fuqi dhe shumë shpirt?

Shumë prej jush, me siguri bashkohen me mendimin e fundit. “Kuq e Zi je ti” nuk tingëllon njëlloj pa Elvanën, as tingëllon njëlloj pa Florin, nuk tingëllon njëlloj e ndarë përgjysmë, përkundrazi. Edhe pse dy bashkëpunëtorët e shumë viteve, prodhuesit e shumë hiteve, i kanë shkëputur raportet artistike me njëri-tjetrin, mund të kishin bërë një “marrëveshje” – ta këndojnë bashkë hitin e të gjithë shqiptarëve. Ose, të paktën, nëse nuk bashkohen më fizikisht në koncerte, le ta lënë zërin e kolegut (bashkëpunëtorit dhe mikut të dikurshëm) në sfond, që të kënaqë publikun…

Të paktën kaq…  

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu