Klubet franceze të pakënaqura me verdiktet në tavolinë, disa i drejtohet gjykatës

0
Gjigandi

Vendimi i drejtuesve të Ligue 1 për të mbyllur përpara kohe kampionatin francez ka sjellë në mënyrë të kuptueshme edhe reagimin e menjëhershëm të klubeve në “Le Championnat” që tani kanë filluar menjëherë procesin e ankimimit. Një zgjidhje shumë e diskutueshme dhe ndoshta tepër e nxituar, duke marrë në konsideratë faktin që situata ka ndryshuar ndjeshëm dhe forca e virusit COVID-19 ka rënë në mënyrë të dukshme, madje një vendim i tillë bën përshtypje mbi të gjitha pas reagimit të ndryshëm që kanë patur drejtuesit e ligave kryesore në Kontinentin e Vjetër.

Në Gjermani, Itali, Spanjë dhe Angli klubet janë bashkuar dhe po bëjnë çmos për të përfunduar kampionatet respektive, kështu që i vetmi kompeticion nga 5 ligat kryesore që ka preferuar për ta mbyllur sezonin në këtë mënyrë është pikërisht Le Championnat. Sakaq zgjidhje të ndryshme ndërmorën drejtuesit në Holandë dhe Belgjikë, dy kampionate që renditen më poshtë për nga rëndësia dhe nuk mund të krahasohen natyrisht me 5 ligat kryesore në kontinent, gjithsesi edhe në këtë rast përfundimet nuk kanë qenë të njëjta, sepse nëse në Belgjikë krerët e Federatës i dhanë titullin Club Brugge-it, në Eredivisie drejtuesit anuluan gjithçka duke çuar dëm gjithë sezonin.

Klubi që kryeson grupin e rebelëve është Olimpiku i Lionit. Klubi i famshëm francez që është akoma në Champions League sipas klasifikimit përfundimtar pozicionohet në vendin e shtatë, pra jashtë Kupave të Evropës, ndërsa dy klube si Toulouse dhe Amiens janë revoltuar ndjeshëm, sepse me një vendim të tillë janë të shtrënguar për të zbritur një kategori më poshtë, në një kohë kur kampionati francez kishte edhe plot 10 javë për të plotësuar sezonin 2019-2020. I është bashkuar këtij grupi gjithashtu edhe ekipi i Lilës, që pas një verdikti të tillë e mbylli këtë edicion të kampionatit francez në vendin e katërt, duke humbur në këtë mënyrë mundësinë për të luajtur në Champions sezonin e ardhshëm për thjesht një pikë, pozicion që shpërblen një klub si Stade Rennais, sidoqoftë pakënaqësi kanë shprehur edhe disa skuadra në Ligue 2, që me një zgjidhje të tillë humbasin të drejtën për të luajtur në play off.

Në Kategorinë e Dytë të Francës bëhet fjalë për tre ekipet që renditeshin nga vendi i tretë deri në vendin e pestë, pra për skuadra të tilla si Ajaccio, Troyes dhe Clermont, gjithsesi është e qartë që tani të gjithë klubet e interesuar të kërkojnë të drejtat e tyre dhe me një zgjidhje të tillë drejtuesit e Lionit kërkojnë një dëmshpërblim shembullor ndaj drejtuesve të futbollit francez. Një çështje e tillë nuk vlen vetëm për futbollin profesionist të klubeve, pasi janë plot 40 ekipe në nivelet amatore që kanë vendosur të apelojnë këtë vendim.

Me këto zhvillime ka shumë mundësi që verdikti përfundimtar i përcaktuar në bazë të renditjes përmbyllëse, të nxjerrë nëpërmjet pjesëtimit të kuotës së pikëve me numrin e ndeshjeve të luajtura, të hidhet poshtë dhe të përmbyset krejtësisht në gjykatë. Është e ndërgjegjshme për këtë edhe vetë Ministrja e Sporteve në Francë Roxana Maracineanu, që shpjegoi se një zgjidhje e tillë u mor për shkaqe madhore, duke nënvizuar edhe nevojën që ka futbolli francez për të respektuar një vendim të tillë, sidoqoftë 45-vjeçarja me origjinë rumune shtoi se shteti po mendon për të gjetur format e duhura për të kompensuar të gjithë klubet e prekur për humbjet në aspektin ekonomiko – financiar.

RonaTyra

Për një klub si Lioni tani e vetmja mënyrë për të luajtur sërish në Kupat e Evropës është që të mundë në finalen e Kupës së Ligës një ekip kundërshtar siç është Paris SG, që po dominon prej vitesh futbollin francez, pasi duket e pamundur që kjo skuadër të ngrejë në gusht “kupën me veshë të mëdhenj”. Një tjetër pengesë për Olimpikun e Lionit është edhe vendimi i marrë nga krerët e Federatës që kanë pezulluar çdo lloj sporti kolektiv deri në muajin shtator, edhe atëherë nëse do të jenë kushtet e duhura shëndetësore.

Kështu presidenti Jean – Michel Aulas që ka shpjeguar se me këtë lloj zgjidhje klubi i tij do të humbasë me dhjetëra milionë euro, ka bërë të qartë se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje. Rrugën gjyqësore mund të ndjekë gjithashtu edhe klubi i Lilës që humbi Zonën Champions për vetëm 0.03 pikë kundrejt skuadrës tjetër Stade Rennes, megjithëse drejtuesit e skuadrës bretone kanë deklaruar se duan të mendojnë më shumë për të ardhmen.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu