“Klubet e natës dhe diskot mbeten të mbyllura”/ Policia sqaron masat e Komitetit Teknik të Eksper…

0
“Klubet e natës dhe diskot mbeten të mbyllura”/ Policia sqaron masat e Komitetit Teknik të Eksper…
Gjigandi

Policia e Shtetit, sqaron edhe një herë opinionin publik, për kuptimin dhe zbatimin e drejtë të masave të vendosura në datën 02.03.2022, nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, në lidhje me pandeminë.

Sipas këtyre vendimeve dhe akteve të miratuara nga MSHMS, janë hequr kufizimet dhe lejohen:

1. Aktiviteti në bare, restorante, fast food-e dhe lokale, në zbatim të Urdhrit nr. 155, datë 02.03.2022 të MSHMS “Për shfuqizimin e Urdhrit nr.100, datë 10.02.2021 “Për kufizimin e aktiviteteve të bareve, restoranteve, fast food-eve dhe lokaleve”, i ndryshuar. Ky urdhër ka shfuqizuar kufizimin dhe lejon ushtrimin e aktivitetit në bare, restorante, fast food-e dhe lokale, si dhe ofrimin e shërbimit për klientët në të gjithë vendin, pa kufizim kohor.

2. Lëvizja e popullatës në të gjithë vendin, në zbatim të Urdhrit nr.32/3, datë 02.03.2022 MSHMS “Për shfuqizimin e Urdhrit nr.99, datë 10.02.2022 “Për kufizimin e lëvizjes brenda vendit”, i ndryshuar. Ky urdhër ka shfuqizuar kufizimin dhe lejon lëvizjen e shtetasve pa asnjë kufizim kohor, në të gjithë vendin.
Nga Komitetit Teknik i Ekspertëve nuk janë hequr kufizimet për disa masa, të cilat janë bërë publike më parë nga ana e këtij institucioni.

Për shkak të sensibilitetit dhe të interesimit të subjekteve që ushtrojnë këto aktivitete, si dhe me qëllim zbatimin e ligjit nga pronarët e tyre dhe nga strukturat e Policisë së Shtetit, sqarojmë se janë akoma në fuqi edhe këto dy masa:

RonaTyra

1. Klubet e natës, diskot, lounge-baret dhe çdo lloj shërbimi i kësaj natyre në mjedise të mbyllura apo të hapura, do të vazhdojnë të jenë të mbyllura. Ky detyrim është përcaktuar në Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19, i ndryshuar, me Aktin Normativ Nr. 30, datë 20.07.2020 në pikën 7/1, të nenit 1 të tij.

2. Muzika ndalohet në çdo mjedis shërbimi pas orës 23:00. Ky rregull është përcaktuar në Urdhrin e Ministrit të Brendshëm nr. 284, datë 19.07.2021 “Për caktimin e orarit të ndalimit të muzikës”, në bazë të kompetencës që i ka dhënë në Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 të ndryshuar me Aktin Normativ Nr. 23, datë 26.05.2021, në germën “a” të nenit 1 të të cilit përcaktohet se: “Orari i ndalimit të muzikës në mjediset e shërbimit përcaktohet rast pas rasti me urdhër të Ministrit të Brendshëm, pas rekomandimit të Komitetit të Përkohshëm për Infeksionin e Përhapur nga Coronavirusi”.
Policia e Shtetit siguron opinionin publik dhe në veçanti subjektet e interesuara, se ka marrë të gjitha masat për zbatimin e detyrimeve ligjore në këtë drejtim.

Duke falënderuar për mirëkuptimin, veçanërisht përfaqësuesit e subjekteve që ushtrojnë këto aktivitete, Policia e Shtetit kërkon zbatimin me përpikëri të masave sipas akteve në fuqi që lidhen me pandeminë. Për çdo ndryshim të akteve të mësipërme, do të ketë komunikime të tjera.

DREJTORIA E PËRGJITHSHME E POLICISË SË SHTETIT

Tiranë, më 05.03.2022

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu