Klandestinët drejt BE, rriten shifrat në muajin maj

0
Gjigandi

Si pasojë e koronavirusit në Bashkimin Evropian, në prill ra dukshëm numri i refugjatëve. Në maj ndërkohë janë shënuar rreth 4300 kalime të paligjshme të kufirit të BE, që do të thotë rreth trefish më shumë se një muaj më parë, njofton Frontex.

Prej fillimit të vitit deri në maj janë regjistruar 31.600 kalime ilegale të kufirit – 6% më pak se një vit më parë. Por kjo ka të bëjë në masë të madhe edhe me pandeminë e koronavirusit.
Katër mbeten trajektoret kryesore. Rruga e Mesdheut lindor – pra nga Turqia për Greqi – sërish ka qenë më aktivja në kalimin e refugjatëve deri në Evropë. Frontexi ka regjistruar këtu në maj 1250 kalime ilegale të kufirit. Prej janarit deri në maj ka pasur 12.700 raste, pra 28% më pak se një vit më parë. Shumica e refugjatëve kanë ardhur nga Afganistani. Në rrugën e Mesdheut qendror – nga Libia nëpër Tunizi e deri në Itali dhe Maltë – ka pasur në maj rreth 1000 kalime ilegale të kufirit, pra një rritje prej 40% në krahasim me prillin. Prej janarit deri në maj nëpër këtë rrugë kanë kaluar sipas Frontexit 5500 refugjatë, gati trefish më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2019.
Shumica e refugjatëve në këtë rrugë janë nga Bangladeshi, Sudani dhe Bregu i Fildishtë. Në Mesdheun perëndimor – pra nga Maroku drejt Spanjës – kanë kaluar në maj rreth 650 emigrantë, rreth katërfish më shumë se në prill. Në pesë muajt e parë të vitit këtë rrugë kanë kaluar rreth 3700 refugjatë, pra më pak se gjysma e vitit të kaluar në periudhën e njëjtë. Gati çdo i dyti refugjat ka qenë nga Algjeria. Ndërsa në rrugën përmes Ballkanit Perëndimor janë regjistruar në maj rreth 900 kalime ilegale të kufirit, dhjetë herë më shumë se në prill. Prej janarit deri në maj nëpër këtë rrugë kanë kaluar 6900 vetë, një rritje prej 50 % në krahasim me vitin e kaluar.

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu