John Roberts shihet si kryetari ‘Më me Ndikim’ i Gjykatës së Lartë në gati një shekull

0
Gjigandi

Pas 15 vitesh në detyrë, Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts po cilësohet nga shumë ekspertë të drejtësisë, si kreu më me ndikim i këtij institucioni që nga vitet ’40.

Me dy nga nëntë anëtarët e Gjykatës së Lartë të emëruar nga Presidenti Donald Trump, gjykata e mbizotëruar nga konservatorët u mendua nga shumë njerëz se do të anonte shumë nga e djathta dhe do të kërcënonte zhbërjen e politikave sociale progresiste.
Përkundrazi, gjatë mandatit të saj 2019-2020, i cili përfundoi javën e kaluar, gjykata nën drejtimin e John Roberts kundërshtoi presidentin Trump dhe aleatët e tij konservatorë në një mori çështjesh, duke hedhur dritë mbi prirjen dhe aftësinë e shefit të drejtësisë me pikëpamje konservatore.
Opinionet e gjykatës rrëzuan një ligj për abortin në Luiziana, zgjeruan mbrojtjet për njerëzit e komunitetit LGBTQ dhe mbajtën të paprekur një program qeveritar për emigrantët e rinj pa dokumente. Në dy raste të tjera, në ditën e fundit të afatit të gjykatës, gjyqtarët hodhën poshtë pretendimet e presidentit Trump për imunitet nga fletëthirrjet për të dhënat e tij financiare.
Në qendër të të gjitha këtyre vendimeve ishte Roberts, 65 vjeç, i cili u emërua nga ish-presidenti republikan George W. Bush në vitin 2005. Roberts jo vetëm që shkroi disa nga opinionet historike, por ishte në gjendje të bindte njërin ose të dy kandidatët konservatorë të Trumpit – Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh – për t’u bashkuar me gjyqtarët më liberalë.
Me rëndësi të veçantë ishte frekuenca me të cilën Roberts votoi me shumicën, një tregues i ndikimit të tij në rritje dhe gatishmërisë për të luajtur rolin e ndërtuesit të konsensusit. Në të gjitha, veç dy nga 58 çështjet e dëgjuara nga gjykata, Roberts ishte me shumicën. Sipas Adam Feldman, themelues dhe autor i blogut Empirical SCOTUS, kjo është diçka që asnjë kryetar tjetër drejtësie nuk e ka arritur që nga Harlan F. Stone, i cili drejtoi gjykatën nga viti 1941 deri në 1946-ën.
“Ndikimi është një masë aq subjektive sa që është shumë e vështirë të vlerësohet pa qasje në konferencat e gjyqtarëve. Por me gjithë materialin që kemi në dispozicion, ai duket se është gjyqtari më i fuqishëm që nga Harlan Stone”, tha zoti Feldman.
Të tjerë, si profesori i Drejtësisë së Harvardit, Noah Feldman, kanë shkuar shumë më tej, duke e krahasuar John Roberts me John Marshall, shefin e katërt legjendar dhe me shumë ndikim të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara, i cili kryesoi gjykatën nga viti 1801-1835.
Për një kryetar të Gjykatës së Lartë deri tani të pashquar, krahasimet janë befasuese. I diplomuar në Harvard, Roberts punoi në Departamentin e Drejtësisë dhe Zyrën e Këshilltari të Shtëpisë së Bardhë në vitet 1980 dhe 1990. Në vitin 2005, pas një qëndrimi dy-vjeçar në Gjykatën e fuqishme të Apelit të SHBA për qarkun e Distriktit të Kolumbias, Roberts u emërua nga presidenti Bush si ndihmës gjyqtar i gjykatës së lartë. Megjithatë, para se të mbahej seanca e konfirmimit të tij, kryetari i atëhershëm i Gjykatës së Lartë William Rehnquist vdiq dhe Bush e riemëroi Roberts për postin e lartë.
Vota e lëkundur
Në pjesën më të madhe të mandatit të Roberts si kryetar i gjykatës së ndarë, gjyqtari në pension Anthony Kennedy, një tjetër i emëruar republikan, ishte anëtari “i lëkundur” i gjykatës, duke hedhur votën vendimtare në një seri çështjesh historike që mbështetën mes të tjerash, të drejtën e abortit dhe legalizuan martesat e homoseksualëve.
Me daljen në pension të Kennedy-t në vitin 2018, Trump emëroi Kavanaugh për të plotësuar vendin bosh, duke e shtyrë në mënyrë efektive më të moderuarin Roberts, ideologjikisht drejt qendrës së gjykatës. Kjo i ka dhënë atij një ndikim të pashembullt, duke i dhënë mundësi të jetë vota vendimtare në një numër çështjesh, por edhe të shkruajë vetë shumë nga opinionet për çështjet e mëdha.
Në dy ose tre çështje të rëndësishme – një vendim kundër përpjekjes së administratës Trump për t’i dhënë fund programit DACA, (të rinjtë e ardhur ilegalisht në SHBA në moshë të mitur) dhe një opinion që hodhi poshtë një ligj për abortet në Luiziana – Roberts hodhi votën vendimtare. Ai formuloi opinionin e shumicës në çështjen DACA.
Në rastin e tretë, në të cilin gjykata vendosi se punëdhënësit nuk mund të diskriminojnë njerëzit LGBTQ, si Roberts ashtu edhe Gorsuch u bashkuan me shumicën. Gorsuch formuloi opinionin në atë rast.
Vendimet sollën zemërimin e presidentit Trump, i cili i kritikoi si “të tmerrshme dhe të motivuara politikisht” dhe treguan se – ashtu si në vitin 2016 – ai do ti kthejë këto vendime në çështje fushate këtë vit.
“Ne kemi nevojë për më shumë drejtësi ose do të humbasim Amendamentin e 2-të dhe gjithçka tjetër. Votoni Trump 2020! ” tha presidenti Trump në Twitter pas vendimit të DACA-s.
Qendra e konfliktit
Kjo nuk është hera e parë që Roberts e gjen veten nën kritikat e konservatorëve. Në vitin 2012, ai mërziti shumë nga e djathta kur u bashkua me krahun liberal të gjykatës në mbrojtjen e kushtetutshmërisë së Aktit të Kujdesit të Shëndetësor, plani i nënshkruar nga presidentit të atëhershëm Barack Obama për të pasiguruarit, që njihet si Obamacare.
Por me kaq shumë vendime që shkuan kundër tyre këtë mandat, konservatorët nuk kanë qenë kurrë më të zemëruar me kryetarin e gjykatës.
“Ky mandat ishte ndoshta më i keqi nga këndvështrimi konservator dhe nga një këndvështrim parimor,” tha Curt Levey, president i Komisionit Konservator për Drejtësi.
Ndërsa disa konservatorë shqetësohen se gjykata ka të ngjarë të anojë majtas me Roberts në krye, Levey thotë, “më e mira që mund të shpresojmë nga pikëpamja konservatore në këtë pikë, është një gjykatë e moderuar me Roberts që shërben si vota e lëkundur, duke i mbajtur gishtat të kryqëzuar se ai nuk do të jetë një ‘Suter’ i dytë”.
David Souter, një gjyqtar i emëruar nga republikanët që shërbeu në Gjykatën e Lartë nga viti 1990 deri në 2009, fitoi famë të keqe mes konservatorëve për prirjen e tij për të votuar me krahun liberal.
Por Roberts nuk është Suter. Për shumicën e çështjeve konservatore, ai voton vazhdimisht me grupin e tij ideologjik. Në tre çështje të lirisë fetare, ai iu bashkua shumicës në favor të organizatave fetare.
Megjithatë, për çështjet e nxehta si e drejta e abortit, ai është larguar nga gjyqtarët më konservatore, pjesërisht, thonë ekspertët juridikë, për të shmangur perceptimin se gjyqtarët shpesh votojnë përgjatë linjave partiake.
Këto vota “strategjike” janë hartuar për të arritur një rezultat të veçantë përballë presionit publik, tha zoti Levey.
Por aktivistët liberalë thonë se votat e Roberts nuk e bëjnë atë më pak konservator sesa grupi i tij ideologjikë në gjykatë.
“Nuk ka dyshim se Roberts ka zhgënjyer konservatorët të cilët presin që ai të injorojë ligjin pa marrë parasysh çështjen dhe thjesht të sigurojë fitore ideologjike”, thotë Elizabeth Wydra, presidente e Qendrës Liberale të Përgjegjshmërisë Kushtetuese. “Fakti që Roberts është ndonjëherë vota e lëkundur në këtë gjykatë tregon se sa konservatore është kjo gjykatë në tërësi.”
Në një kohë kur gjyqtarët e Gjykatës së Lartë shihen nga disa si “politikanë me uniformë gjykatësi”, ekspertët thonë se Roberts mbetet thellësisht i shqetësuar për legjitimitetin institucional të gjykatës, dhe duket i gatshëm të bëjë të pamundurën për të mbrojtur reputacionin e saj./VOA/

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu