INTERVISTË EKSKLUZIVE/ XHULJET, NA FAL QË TË BËMË KURBAN!

386

Nga: Marsela Sinani

Ekzekutimi i 19-vjeçares është padiskutim një ngjarje e përsëritur. Histori të tilla, me një fund tragjik nuk janë një fenomen shqiptar, por ato ndodhin rëndom ngado ku të kthesh sytë. Ndodhin në vendet e zhvilluara, por edhe aty ku shoqëritë nuk janë të emancipuara. Themi me plot gojën se kemi avacuar, jemi bërë më liberalë në mendime, por nga ana tjetër, e pranojmë, për fat të keq nën zë, se ato lidhje jashtëmartesore përfundojnë si ato thertoret, që i gjen në çdo anë të rrugës.

Është mjaft e vështirë të marësh penën e të shkruash për histori dashurie, për ëndrra që asnjëherë nuk u realizuan. Kështu ishte edhe rasti i Aldisonit, i cili i mori jetën vajzës që donte më shumë, dashurisë së jetës së tij, Arielës. Por rrahjet e zemrës shpeshtohen kur dëgjon se një tjetër dramë familjare ka ndodhur me të njëjtin motiv. A ishte ky një krim pasioni, ku e gjeti të drejtën Xhafer Mara ti merrte jetën 19-vjeçares Xhuljeta Çuni? Për këto e shumë pyetje të tjera, kemi pyetur sociologen Entela Binjaku, e cila analizon situatën duke e nisur nga një sërë faktorësh.

“Vetëm kur ndodh një krim që ka për protagonistë të rinjtë, atëherë shoqëria kthen vëmendjen drejt tyre. Po të shohësh rregjistrat e krimeve, shumica e tyre janë kryer nga të rinjtë. Shkaqet për këtë duhen gjetur tek edukata e dobët që marrin të rinjtë tanë. Mungesa e interesimit për mënyrën si edukohen nga personat që kanë përgjegjësi për edukimin: prindërit dhe mësuesit.

Rregullat bazë njeriu i mëson në familje, por kur prindërit nuk merren me edukimin e fëmijës, sepse ose janë të angazhuar në drejtim të përmbushjes së funksionit ekonomik, ose janë dhe të paaftë të edukojnë, ose e lënë edukimin të ndodhë vetëvetiu, në rënie të lirë, kjo mund të ndikojë në zhvillimin e mëvonshëm të fëmijës.

Emigrimi është një tjetër burim, sepse ka dobësuar edukimin në familjet tona, kur shumë njerëz shkëputen nga familjet, ata humbasin edhe disa role që duhet ti luajnë për edukim. Edukata sot nuk e vë theksin tek edukimi qytetar dhe morali i të rinjve, sepse edhe vetë mësuesit janë pak të interesuar për problemet e tyre. Pra kemi një lidhje mes kriminalitetit dhe edukimit.

Varfëria është një tjetër shkak për kriminalitet. Shumë të rinj shkojnë drejt krimeve, kur nuk kanë as punë, as para. Përdorimi i substancave krijojnë premisa për sjellje antisociale. Krimet që mësojmë nga mediat janë shokuese dhe këto bëjnë të pasigurtë edhe jetën e të tjerëve. Njerëzit nuk ndjehen të sigurtë të dalin natën edhe nëpër lagje, kështu janë miliona njerëz në këtë glob që shprehen se kanë frikë se mos bien viktimë e krimit. Kjo ndodh kudo, natyrisht.

Por duke parë këta të rinj që kryejnë krime, shohim se janë të paaftë për tu përshtatur me normat e shoqërisë, dhe kjo paaftësi mund të jetë edhe e natyrës bio-psiko-sociale. Ka pershembull të rinj që kanë një aktivitet të lartë dhe të përsëritur në kryerjen e veprave penale: bëjnë vjedhje, ushtrojnë dhunë, plagosin, tentativa vrasjeje, etj dhe shkaqet për këto sjellje mund të jenë: braktisja e shkollës, mungesa e aktiviteteve të dobishme, mungesa e vëmendjes së vazhdueshme nga ana e prindërve, mungesa e lidhjes së vazhdueshme mes familjes dhe shkollës etj. Kur kryhet një krim, shkaqet kryesore janë ndikimi i mjedisit shoqëror dhe proceset psikike që ndodhin në nivelin e të ndërgjegjshmes së individit”.

Xhuljeta Çuni nuk do të mund të veshë dot fustanin e saj të nusërisë, pasi ëndrrat e saj u prenë në mes nga ish i dashuri. Ajo kishte bërë katër herë denoncim në polici, pasi e ngacmonte, dhe është shoqëruar në komisariat. Sociologia tha për “Tirana Today”, se para se të analizojmë këtë rast, duhen parë dhe faktorët e jashtëm.

“Rrethanat konkrete të jetës janë po ashtu një tjetër mundësi për sjellje shmangëse nga normat. Ndaj kur kryhet një krim, ai nuk duhet parë thjesht si një reagim ndaj faktorëve të jashtëm, sepse veprimi ka lindur nga një akt i vullnetshëm, por kur ajo ndërthuret me personalitetin e një njeriu, kur merren parasysh interesat e tij në jetë, zakonet, mendësia, veçoritë psikike të tij, mund të shpjegojmë edhe këtë veprim kriminal.

Ndaj, para se të analizojmë publikisht dikë, duhet të nisemi nga analiza e strukturës së brendshme të tij dhe nga ndikimi i faktorëve të jashtëm. Personaliteti i tij, e kaluara, gjendja aktuale, mjedisi ku bën pjesë apo ku ka jetuar, sepse sot problemet e edukimit, të përshtatjes së të rinjve me jetën, promovimi i tyre janë shumë të vështira, ndaj për një sjellje kriminale, para se të mendojmë mentalitetin, le të mendojmë makromjedisin, mikromjedisin ku të rinjtë jetojnë dhe modelet që marrin”.

Ne si shoqëri nuk duhet të vajtojmë vetëm nëpër rrjete sociale, por duhet të ngrëmë zërin, pse këto femra nuk merren në mbrojtje. Ai e “dënoi” jo vetëm duke mos e lënë të lirë, por edhe duke ia marë jetën.

Xhaferi e shumë të tjerë si Xhaferi, do të preferonin t’i shihnin gratë të vdekura, sesa të pranonin refuzimin ose idenë se gratë janë të lira për të bërë zgjedhjet e tyre në lidhje me jetën e tyre. Këtu është për të vënë kujën!

Tirana Today

You might also like
Comments