Intervista/ Enver Bytyçi: Kurti nuk duhet të pranojë Asociacionin pa kërkuar njohjen nga Serbia. Vuçiç pret që në Kosovë të vijnë në pushtet kukullat e tij si ka Edi Ramën dhe Hashim Thaçin

0
Gjigandi

Nga Klara Dervishi

Çfarë do të ndodhë në 18 Mars në Shkup? A do firmosin palët atë çfarë ndërkombëtarët kanë ofruar edhe pse lidershipi në Kosovë është kundër Asociacionit? Çfarë duhet të kërkoj Albin Kurti edhe nëse një ditë do të pranohet Asociacioni por me kushtin e mos ndryshimit të kufijve? Dhe çfarë po planifikon presidenti serb Vuçiç i cili një herë thotë që është dakord me Planin dhe sapo vë këmbën në territorin Serb thotë të kundërtën? Çfarë e pret Kosovën nëse Kurti dhe Vuçiç bien dakord me planin? A po kërkohet firma e Kurtit edhe me premtimin se 5 vendet e BE-së do ta njohin Kosovën? Të gjitha pyetjet nuk pritet të marrin përgjigje në 18 Mars pasi do të duhet kohë për të kuptuar strategjinë e presidentit Serb i cili mesa duket nuk ka vetëm mbështetjen e Putin edhe të disa vendeve të BE por edhe mbështetjen e ndonjë partie në Kosovë që dikur i ka falur atij shumë dhe tani pret të vij në pushtet për të vijuar planin e nisur.

Unë kam biseduar këtë herë me analistin dhe profesorin e njohur të çështjeve ndërkombëtare zotin Enver Bytyçi.

  1. Të gjithë pritën zoti Bytyçi që të hënën e 27 shkurtit të kishtë marrëveshje në Bruksel edhe pse në Kosovë bien ende këmbanat e nacionalizmit ku të gjithë pothuajse akuzojnë Kurtin për tradhëti.

Më 27 shkurt 2023, pas gati shtatë muajsh, u takuan në Bruksel dy interlokutorët përkatës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Kësaj radhe ata patën mbi tavolinë një project-marrëveshje të hartuar nga pala franko-gjermane, të cilën iu kërkua ta nënshkruajnë. Por projekti nuk u nënshkrua. Të dy palët në parim e pranuan këtë project-marrëveshje. Megjithatë presidenti i Serbisë e konteston atë, sidomos në pikën katër, ku kërkohet dakordësia e shtetit të tij për pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë OKB-në. Ndërsa Kurtit I kërkohet implementimi i Asosacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë, për të cilën ai ka parashtruar 6 kushte. Kurti e ka pranuar këtë marrëveshje dhe është shprehur i gatshëm për ta nënshkruar. Vuçiç thotë se do ta nënshkruajë, por kur flet në Beograd shprehet kundër nënshkrimit. Eshtë një lloj ambiguiditeti i llojit specific që aplikon Serbia në diplomacinë e saj të vazhdueshme.

  1. Në fakt me pikat që u publikuan kush fiton nga kjo marrëveshje në këndvështrimin tuaj? Kosova apo Serbia?

Me këtë marrëveshje, nëse ajo nënshkruhet e realizohet, fitojnë të dy vendet, Kosova dhe Serbia. Por nëse Kosova arrin ta shtyjë formimin e asosacionit në momentin e finalizimit të një marrëveshjeje përfundimtare, e cila çon në njohjen e shtetësisë nga ana e Serbisë, atëherë Kosova nuk ka asnjë dilemë tjetër pse të mos e nënshkruajë marrëveshjen në fjalë. Nuk është marrëveshje perfekte. Nuk qartëson se çfarë do të ndodhë me genocidin serb në Kosovë. Nuk u jep, përgjigje disa çështjeve të tjera, përfshirë gjetjen e të zhdukurve. Por Kosova, nëse fiton njohjen ndërkombëtare nga kjo marrëveshje, atëherë ajo është e fituar. Rëndësi ka që të realizohet një menaxhim politik e diplomatik aktiv për të arritur anëtarësimin në OKB, NATO, BE, Këshillin e Europës, OSBE dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

RonaTyra

Megjithatë do të duhet të jem skeptic. Sepse prej vitit 2013 e këtej Kosova e Serbia kanë nënshkruar disa marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve e në fakt këto marrëdhënie janë acaruar edhe më shumë. Ka ndodhur kjo për shkak se Serbia gjendej dhe gjendet në Kosovë. Eshtë ajo që nxit konfliktin në Kosovë. A do ta evitojë kjo marrëveshje që pritet të nënshkruhet në Ohër më 18 mars? Nuk besoj. Sepse Serbia dhe Beogradi do të përdorin sërishmi të njëjtat metoda dhe akte destabilizimi në Kosovë, si edhe më parë. Prandaj presidenti serb I garanton serbët se “nuk do të dorëzohet”! Mesazhi I tij “Nuk do të dorëzohem” ka të bëjë pikërisht me faktin se ai do të vazhdojë ta kërcënojë e madje ta destabilizojë shtetin më të ri në Europë. Marrëveshje nuk e eviton këtë veprimtari subversive të Beogradit.

  1. Por fakti që ishte Vuçiç ai që nuk firmosi a shton garancinë se Kosova merr më shumë nga kjo marrëveshje?

Kosova, siç e thashë, fiton teorikisht. Duhet parë nëse do jetë kështu edhe në praktikë. Serbisë, pra lidershipit të saj, nuk mund t’u besohet. Për disa arsye. Së pari, se është vetë politika e shteti që nxit nacionalizmin hegjemon serb në rajon. Ekziston e njëjta retorikë si në kohën e Milosheviçit. Nuk ka asnjë ndryshim, megjithëse gjithkush e di se luftrat e fundit të shekullit të kaluar në ish-Jugosllavi ndodhën pikërisht për shkak të manipulimit të kësaj retorike nacional-shoviniste. Së dyti, sepse Serbia në përceptimin tim do të vazhdojë ta ruajë aleancën e saj me Rusinë e Vladimir Putin, ose pa Vladimir Putin. Kush më shumë e kush më pak, të gjithë politikanët, mediet, akademikët, prijësit fetarë në Serbi kanë lidhje të ngushta personale me Moskën. Shumë prej tyre paguhen dhe shërbejnë me zell të madh. Të tjerë duken si më të ekuilibruar, por në fshehtësi punojnë bashkë me shërbimet sekrete dhe politikën ruse.

Në Serbi bashkëpunimi dhe aleanca me Rusinë konsiderohet patriotizëm. Po ashtu mbrojtja e Kosovës, pra diversioni dhe agresioni ndaj saj. Në Serbi, aleanca me Perëndimin, sidomos me NATO-n quhet tradhëti. Aty ndodh e kundërta e asaj që ndodh me shqiptarët në Kosovë, ku aleanca me Perëndimin, NATO-n, BE-në etj shihet si aleancë e shenjtë. Derisa Kosova është aleate e padiskutueshme e BE-së, Europës dhe SHBA-ve, të cilat janë sponsorë të kësaj marrëveshjeje, përderisa shqiptarët e Kosovës janë viktimat e genocidit serb, do të ishte gjithnjë normale që ata ta fitonin përfundimisht shtetësinë dhe pavarësinë e tyre.

Por marrëveshja në fjalë nuk e garanton përfundimisht këtë. Prandaj është herët të thuhet se Kosova është më shumë e fituar, sesa Serbia. Së paku duhet pritur për këtë derisa pesë shtetet anëtare të BE-së ta njohin këtë shtetësi e pavarësi. Pastaj mund të hapet plotësisht rruga e anëtarësimit në NATO e BE. Kjo i jep fuqi dhe legjitimitet marrëveshjes. Por asgjë nuk është e sigurt. Gjithçka është në ajër.

  1. Megjithatë a është normale të bëhen presione të tilla “merre ose lëre” nga faktori ndërkombëtar?

Bazuar në të drejtën ndërkombëtare, por edhe në teoritë politike e filozofike, çdo marrëveshje ndërkombëtare do të duhet t’I përmbahet një kriteri të caktuar – Të garantojë paqen, stabilitetin e sigurinë në rajon, kontinent ose në botë. Immanuel Kant shkruan që në vitin 1795 në veprën e tij “Paqja Hyjnore”, se traktatet ndërkombëtare duhet të sigurojnë jetëgjatësi në garancinë e tyre për paqe e stabilitet ndërkombëtar. A e kryen këtë funksion një marrëveshje e imponuar me metodën “Merre ose lere”! Besoj se jo. Pikërisht për këtë arsye Kant sugjeron që paqja duhet të vijë nga vullneti i palëve në konflikt.

E zemë se Aleksandër Vuçiç do ta firmosë marrëveshjen. Të jeni të sigurt se ai nuk do të guxojë ta çojë atë për ratifikim. Dhe nëse e çon për ratifikim, do të jetë gjykata kushtetuese e Serbisë që do ta rrëzojë atë. Qoftë dhe për një arsye të thjeshtë: – Kosova në kushtetutën serbe është pjesë e Serbisë. Vuçiç sot (11.3.2023) u foli serbëve të Vranjës me një hartë pas shpinës së tij, ku Kosova shihet të jetë pjesë e Serbisë. Cila gjykatë kushtetuese në botë e lejon presidentin e vendit të implementojë një marrëveshje si kjo, kur kushtetueshmërisht vendi partner që nënshkruan atë është pjesë integrale e sovranitetit të tij?! Absurde të besohet. Dhe Gjykata Kushtetuese e Serbisë ka të drejtë ta hedh poshtë marrëveshjen, nëse më parë parlamenti i Serbisë nuk e ndryshon Kushtetutën, duke e nxjerrë Kosovën nga sovraniteti serb.

Përveç kësaj në Serbi ka e do të ketë presion në rritje nga ana e Moskës për mos-nënshkrimin e më e shumta mos-zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Nuk ka asnjë garanci juridike, politike, apo të së drejtës ndërkombëtare se marrëveshja në fjalë do të jetë e zbatueshme. Për më tepër nuk mund të konsiderohet marrëveshje ndërkombëtare, sepse Kosova, derisa nuk është anëtare e OKB-së, nuk është subjekt shtetëror ndërkombëtar. Presioni “mere ose lere” ka thjesht për qëllim ta shtyjë një konflikt të mundshëm në Ballkan, sa të shihet kapitullimi i Rusisë në Ukrainë. Por as këtë qëllim nuk do ta arrijë. Po sikur, larg qoftë, Rusia të jetë sado pak e sukseshme në Ulrainë? Serbia do të vraponte si e çmendur në krahët e saj!

  1. A e ka Kurti besimin e kosovarëve për të marë vendime të tilla me pasoja për Kosovën? Dhe kur them pasoja pa specifikuar pozitive apo negative?

Kurti e ka besimin e qytetarëve të Kosovës për ta nënshkruar marrëveshjen në fjalë. Së paku të shumicës së tyre, por sa kohë që do ta shtyjë krijimin e asosacionit të komunave me shumicë serbe. Kurti ka edhe mbështetjen e një pjese të opozitës, sidomos të AAK-së së Ramush Haradinajt. Dy partitë e tjera opozitare, LDK dhe PDK nuk kanë gjithashtu qëndrime të koordinuara kundër Kurtit. Për më tepër janë pak të çoroditura, sepse nga njëra anë ata e sollën këtë situatë për shkak të lëshimeve që i kanë bërë në dhjetë vite Serbisë. Nga ana tjetër po kërkojnë njohjen e Serbisë të shtetësisë së Kosovës, gjë që nuk e kërkuan asnjëherë. Përkundrazi liderët e opozitës së sotme morën gërshërët për ta prerë hartën e Kosovës në favor të Serbisë.

Por Kurti duhet të ketë kujdes të mos gabojë. Të llogarisë avantazhet dhe disavantazhet, Të parashikojë të papriturat, sidomos në zbatimin e marrëveshjes dhe të menaxhojë mirë politikën dhe implementimin e saj. Të kërkojë më shumë garanci nga aktorët ndërmjetësues ndërkombëtarë. Të kërkojë gjithashtu që të shënohen në marrëveshje penalitetet nëse marrëveshja nuk zbatohet nga njëra ose tjetra palë, sepse siç e thashë, Serbia është ajo që nuk do ta zbatojë atë. Kurti duhet të dëshmojë se nuk punon në mënyrë amatore, siç punuan qëllimisht Hashim Thaçi e Isa Mustafa. Por duhet të jetë largpamës.

  1. Çfarë duhet të bëj Albin Kurti të pranoj marrëveshjen bashkë me detyrimin për krijimin e asociacionit?

Marrëveshja teorikisht nuk është problem për Kosovën. Edhe nëse nuk e ndihmon atë, së paku nuk e dëmton. Por Asosacioni, për të cilin disa aktorë ndërkombëtarë dhe vetë Serbia këmbngulin fort, është thembra e Akilit. Për krijimin e tij Kurti ka vendosur disa kushte, herë thuhet 6 kusht e herë tjetër 4. Fillimisht ishin gjashtë, por ndoshta janë reduktuar në 4. Nëse asosacioni krijohet në momentin e njohjes së shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe nëse krijimi i tij bazohet në Kushtetutë, besoj se rreziku i ndarjes së Kosovës zvogëlohet në minimum.

Por eksperienca e këtyre 15 viteve të fundit, nga shpallja e pavarësisë, më bën të jem përsëri skeptik. Gjatë gjithë kësaj kohe, madje edhe në ngjarjet e 17-18 marsit 2004, cak i agresionit serb ka qenë veriu i Kosovës. Komunat me shumicë serbe në veri ishin fushë-beteja midis të dy vendeve. Konflikti në këtë rajon ka shkuar disa herë në kufijtë e një lufte ndërshtetërore. Dhe kjo ka ndodhur pa patur një entitet territorial, çka përmban ky asosacion. Në rastin e krijimit të tij pa u njohur Kosova nga Serbia do ta shfrytëzojë atë për të realizuar qëllimet e saj të zakonshme, ndarjen e Kosovës.

Kjo marrëveshje që pritet të nenshkruhet nuk e zgjidh konfliktin. Thjesht krijon statukuo, madje thjesht në pikëpamje teorike. Prandaj asosacioni edhe nëse krijohet, duhet të bëhet pas njohjes së pavarësisë nga ana e Beogradit. Sepse me njohjen nënshkruhet edhe marrëveshja për kufijtë dhe çdo ndërhyrje e Beogradit, çdo provokim i tij, dënohet nga e drejta ndërkombëtare.

  1. Ka politikanë që janë të sigurt që nuk ka për të pasur njohje pas kësaj marrëveshje? Ju si e shihni? Si mund të arrijë më shumë Kosova tani kur kërkohet kaq shumë nga ndërkombëtarët? Pra a mund të shkohet drejt njohjes me planin që kërkohet të firmoset nga Kurti dhe Vuçiç?

Njohja e Serbisë është shumë e rëndësishme. Por nuk e garanton njohjen ndërkombëtare, siç mendojnë disa politikanë apo jo të tillë. Sepse njohjen duhet ta votojë Këshilli i Sigurimit dhe këtu kërkohet që Rusia e Kina të votojnë për pranimin e Kosovës në OKB. Ose së paku të abstenojnë. Kush është ai që jep garanci se në Këshillin e Sigurimit Rusia do të votojë pro ose do të abstenojë për ta parë Kosovën anëtare të OKB-së?! Kjo është rruga legale me legjitimitet të plotë. Ka edhe një rrugë tjetër legale, por pa legjimitet të plotë ndërkombëtar. Përmes votimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Por edhe këtu duhen 2/3 e votave. Pra, duhet që së paku 132 vende të votojnë pro pranimit të Kosovës në OKB. Dhe, edhe sikur të ndodhë kjo, në këtë rast anëtarësimi nuk është krejt i plotë.

Mbështetja nga ndërkombëtarët është maksimale, por garancia është minimale. Prandaj dhe besoj se ka vend për një kujdes të veçantë, me qëllim që të mos hidhen hapa të pamenduar. Së paku për të evituar dështimet, edhe nëse nuk garantohet ndonjë sukses i madh në formësimin e shtetësisë së Kosovës.

  1. Vështirësia më e madhe duket se do vijë pas firmosjes, pra zbatimi i marrëveshjes duke pasur parasysh se do jenë ndërkombëtarët që do e kontrollojnë. Dhe si deklaroi ish presidenti Pacolli në një intervistë me mua “duket se shpatat do prehen gjatë zbatimit të marrëveshjes”

Të jem i sinqertë, Pacollin nuk e njoh si person në taborrin e qëndrestarëve sa i përket shtetësisë dhe integritetit territorial të Kosovës. Nuk e kam pranuar idenë e tij për përkrahjen e Ballkanit të Hapur, sepse kam qenë i bindur se kjo iniciativë është ide dhe dobi e Serbisë. Madje mendoj se këtë e di edhe zoti Pacolli, e megjithatë i jep mbështetje Open Balkan. Por se do “mprehen shpatat” mbas nënshkrimit të marrëveshjes, ky është një vlerësim real që bën ai.

Unë mendoj se edhe ndërkombëtarët e dinë se asgjë nuk do të funksionojë si duhet pas nënshkrimit të marrëveshjes, gjë që pritet të ndodh pas një jave në Ohër. Ndërkohë ata nuk kanë fuqi të ndikojnë te palët, sidomos te Serbia. Dhe kur nuk munden të ndërhyjnë e ta bindin Serbinë e gjuajnë Kosovën me shkop, që të tregojnë se “janë të fuqishëm”! E bëjnë këtë për egon e tyre, me qëllim që të mos e pranojnë dështimin me Serbinë. Kosovën e shoh vazhdimisht viktimë të unit individual e në grup të disa politikanëve dhe diplomatëve europianë e amerikanë. Nuk mund të ndodhë ndryshe edhe kësaj radhe. Aq më tepër që kjo marrëveshje është kalimtare në disa kuptime. Kalimtare, me qëllim që Europa dhe Amerika të merren me sfida të tjera në botë. Kalimtare me qëllim që të kapërcehet situata e rrëzikut të një konflikti në Ballkan. Kalimtare me qëllim që të mos paguhet kostot elektorale e disa qeverive në vështirësi në zgjedhjet e ardhshme. Pra është një karrotë që pretendohet të shitet disi shtrenjtë, por që nuk e zgjidh përfundimisht krizën dhe konfliktin midis Kosovës e Serbisë.

Për këto arsye “shpatat do të dalin nga këllëfi”. Sepse Beogradi do të marrë pak kohë për t’u përgatitur me zbatimin e planeve të Serbisë për zgjerim territoresh. Sepse presidenti serb me këtë taktikë merr disa investime e donacione. Ndërkohë asgjë substanciale nuk do të ndryshojë.

  1. A mund të jetë njohje De facto p.sh neni 1 i propozimit kur thuhet: Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore?

Marrëveshja e 19 prillit 2013 e nënshkruar midis ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, i kishte parashikuar të gjitha këto që përcakton neni 1 i propozimit të marrëveshjes së sotme, e cila vjen si projekt franko-gjerman. Pas dhjetë vitesh jemi kthyer te viti 2013. Palët në konflikt kanë përpara një plan ku parashikohet njohja reciproke e dokumenteve, simboleve etj. Serbia nuk është ngarkuar me asnjë përgjegjësi pse nuk i ka zbatuar të tilla marrëveshje dhe ende nuk i njeh dokumentet, pasaportat e simbolet e Kosovës. Ajo nuk ka pranuar as të kthejë në Kosovë regjistrat e kadastrave dhe hipotekave, të cilat i ka grabitur në pranverën e vitit 1999. Nuk ka pranuar të bashkëpunojë për të gjetur eshtrat e të zhdukurve shqiptarë në territorin e sotëm të Serbisë.

Nëse unë do të besoja se ajo të gjitha këto do t’i zbatojë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, do të isha naiv. Duhet kohë, mund dhe shumë veprimtari politike e diplomatike derisa të shkohet te njohja. Në përceptim njohja e dokumenteve dhe simboleve duket si njohje e shtetësisë. Por nuk është e njëjta gjë. Derisa ta njohë zyrtarisht shtetin e Kosovës, Serbia do të ndërhyjë në punët e brendshme të saj, do të përpiqet ta rikthejë për diskutim e vendimmarrje të re statusin e saj. Pra do të përpiqet të ndryshojë kufijtë e saj. Sepse sa kohë që Kosova nuk do jetë anëtare e OKB-së, nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare ndryshimi i kufijve mes saj dhe Serbisë. Njohja dhe pranimi në OKB e mbron edhe tërësinë territoriale të Kosovës.

10. Ju vetë zoti Bytyçi, çfarë mendoni se do sjellë kjo marrëveshje?

Marrëveshja, nëse nënshkruhet dhe unë besoj se do të nënshkruhet, do të sjellë një stabilitet të përkohshëm në marrëdhëniet midis të dy vendeve. Nuk besoj se Serbia do t’i zbatojë disa kërkesa të këtij projekti. Madje zor se do ta ratifikojë atë në parlamentin e saj, duke e justifikuar këtë me faktin se kjo marrëveshje nuk është midis dy shteteve të pavarura. Ndërkaq do të shërbejë që Serbia të ripozicionohet në raport me aktorët e faktorët por-serbë në Kosovë. Pra, që të fuqizohet ky faktor pro partisë në pushtet të Aleksandër Vuçiç.

Pas marrëveshjes e deri në marrëveshjen përfundimtare, Serbia do të ankohet te aktorët e fuqishëm perëndimorë, se Kosova po keqtrajton minoritetin serb. Zbatimin e ligjit në Kosovë do ta trajtojë si shkelje të të drejtave të njeriut atje. Do të ndërmarrë fushatë të fshehtë, me qëllim që ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Nuk do t’ia arrijë kësaj në çdo rast, por mundet në disa të tjera po. Beogradi nuk do t’i përmbahet marrëveshjes dhe do të vijojë të bëjë diversion kundër Kosovës e ta bllokojë atë, por me metoda e forma më përfide sesa më parë. Nënshkrimi i marrëveshjes do të shtojë mundësinë e Serbisë për të investuar në lobimet anti-Kosovë në Europë e në SHBA. Ndërsa Kosova do të fitojë anëtarësimin në Këshillin e Europës, ndoshta në OSBE, por edhe në UNESCO e në organizata të tjera ku nuk kërkohen dy të tretat e votave. Mund të fitojë njohjen nga Greqia, Sllovakia e Rumania, pas ndoshta një viti. Por njohja e Qipros dhe e Spanjës nuk do të vijë aq shpejt. Kësisoj nuk pres që Kosova t’i ketë të hapura dyert e anëtarësimit në NATO e BE në një kohë, aq sa e presin disa. Po kështu, e thashë në një pikë tjetër, edhe pranimi në OKB ka e do të ketë vështirësitë e veta. Përmirësimi i pozitës së Kosovës do të jetë simbolik dhe jo spektakolar. Vetëm nëse shtetin e Kosovës do ta njohë edhe Vatikani, atëherë mund të ketë një përmbysje në qasjen positive ndaj saj. Njohja e Vatikanit është nga pikëpamja morale e politike e vlefshme aq sa është njohja e të pesë vendeve të BE-së.

  1. Ndërkohë kemi parë një Vuçiç që vijon thotë që mban premtimet që Kosova i përket Serbisë. Ka kjo lidhje vetëm me nenin për Asociacionin?

Vuçiç është një politikan pehlivan. Edhe kur nuk ka ndonjë gozhdë Nastradini për t’u kapur, e sajon një të tillë. Jam i bindur se ai i bombardon ndërkombëtarët me akuza kundër Kosovës, gjasme se ato i ka kundër Albin Kurtit. Asosacioni është gozhda më e madhe që ai mban në dorën e majtë. Në të djathtën mban çekiçin. Por çekiçin nuk ka fuqi ta përdorë dot vetë. Nuk ka forcë. Prandaj shantazhon dhe sensibilizon ndërkombëtarët për këtë. Kërkon ndihmën e tyre, me qëllim që ta ngulë gozhdën në murin (kufirin) e Kosovës. Me asosacionin presidenti serb kërkon të bëhet histar në shtetësinë, pasuritë, politikën dhe gjithçka tjetër të Kosovës.

Përkatësia e Kosovës sovranitetit serb formalisht është e sanksionuar në kushtetutën e Serbisë. Dhe Vuçiç luan me këtë fakt, për të gënjyer qytetarët e politikën serbe që e kundërshton sa i përket firmosjes së marrëveshjes së ofruar nga plani franko-gjerman. Asosacionin për momentin, nëse krijohet, do ta përdorë si „sukses“ të politikës së tij ndaj Kosovës. Në fakt do të ishte një sukses për të, për ato avantazhe që ia krijon pikërisht asosacioni i komunave serbe për destabilizimin e Kosovës e të rajonit. Por mendoj se nuk ka shanse që ky asosacion të krijohet ende pa u njohur përfundimisht pavarësia e shtetësia e Kosovës.

  1. Kemi parë dhe shohim një opozitë që nuk ndihmon shumë në kosovë me deklaratat e saj madje kemi dëgjuar që Kurti të quhet Tradhëtar.

Gjatë kësaj kohe të diskutimit të planit franko-gjerman, prej shtatorit të vitit të kaluar e deri më sot, ka patur debate dhe kundërshti të caktuara sa i përket këtij plani, që pret të nënshkruhet si marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. Opozita gjatë gjithë kohës ishte dhe mendoj s edhe sot mbetet konfuze, e paqartë në opsionet e veta. Ajo harxhoi shumë energji me kritika ndaj kryeministrit Kurti, ku akuza e „anti-amerikanit“ ishte në qendër të këtyre kritikave. Tani që ky “anti-amerikani” Kurti e ka pranuar planin franko-gjerman, po dalin vetë si anti-amerikanë. Sepse kryeministri i Kosovës pranoi një plan, për të cilin bënë presion amerikanët, ndërkohë që një pjesë e opozitës zhvillon kritika ndaj tij për këtë.

Nuk ka patur etiketime për tradhëti, përveçse ndonjë sharlatani. Sepse në dialogun me Serbinë Albin Kurti ka qenë më konsekuent se cilido paraardhës i tij, përjashtuar presidentin Rugova e presidentin Sejdiu. Ai realizoi të pamundurën, duke realizuar në kulmin e diskutimit për asosacionit liberalizimin e vizave me BE-në për qytetarët e vendit të tij. Ai u përball me një trashëgimi perverse të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit Isa Mustafa, pikërisht sa i përket krijimit të asosacionit. Për këtë arsye akuzat për “tradhti” nuk e cënojnë figurën e tij, edhe nëse këto akuza do të bëheshin në bllok nga opozita.

Por ai është kritikuar më së shumti për “mosbashkëpunim” me opozitën e të tjera sjellje taktike në dialog. E përsëris, kritika dhe akuza ndaj tij është reduktuar në atë „Pse nuk i dëgjoi e përfilli ndërkombëtarët që në fillim e për pasojë e vonoi dialogun”! Por rënia dakord që në fillim, pa opsione dhe pa këmbngulje në të drejtën e Kosovës ishte karakteristika kryesore e paraardhësve të tij, të cilët i përmenda më lart. Opozita si bartëse e përgjegjësive të ish-udhëheqësve të vet kërkoi pikërisht të njëjtën gjë që bënin Isa dhe Thaçi.

  1. A mund dhe a duhet ta shkëmbej Kurti angazhimin për krijimin e Asociacionit me kushtin që të ketë njohje?

Ka disa këmbime që mund të bëhen për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Asosacioni dhe krimet kundër njerëzimit, pra genocidi serb në Kosovë, janë dy as-at në dorën e qeverisë së Kosovës. Por janë dhe element të tjerë, si shkëmbimet tregtare dhe krijimi i tregut të hapur midis dy vendeve. Fqinjësia e mirë midis tyre. Gjetja e mbi 1600 trupave të zhdukur pas masakrimit të tyre prej serbëve. Krijimi i infrastrukturës së përbashkët për lidhjen e Serbisë me portet e Adriatikut, etj.

Pra, Serbia mund të joshet me shumë gjëra. Megjithatë ajo do të kërkojë ndryshimin e kufijve, shkëmbimin e territorit dhe ndarjen e Kosovës si kusht për njohjen. Do ta vazhdojë këtë politikë të saj edhe në të ardhmen. Ndoshta shpreson edhe për ndryshime në favor të saj në institucionet e Kosovës, me qëllim që të ketë aty kukullat e saj të modelit Edi Rama dhe Hashim Thaçi. Por intuita politike e shqiptarëve në Kosovë është e mahnitshme. Ata e kuptojnë në ajër se çfarë synon Serbia dhe me kë bashkëpunon ajo për të dëmtuar interesat e Kosovës. Prandaj dhe nuk do t’u japin asnjë shans shërbëtorëve të Beogradit të vijnë në pushtet.

  1. Si e shihni situatën aktuale? A do kemi marrëveshje në 18 Mars?

Situata aktuale është ende e brishtë. Në fakt gjatë këtij viti nuk ka patur incidente të rënda. Por Lista Srpska kundërshton zgjedhjet vendore në katër komunat e veriut më 23 prillin e ardhshëm. Ajo nuk ka pranuar të regjistrohet në këto zgjedhje. Nëse nuk regjistrohet Lista Srpska, atëherë ajo do të bëjë presion që qytetarët e minoritetit serb të mos dalin në votime dhe ta përdorin këtë për destabilizim të sërishëm të vendit.

Lista Srpska, e cila shihet dhe është në fakt masha e presidentit Viçiç në Kosovë, po vepron në mënyrë diversive. Ajo nuk njeh institucionet dhe kushtetutën e vendit. Nuk pranon e nuk lejon të luftohet kundër krimit të organizuar dhe veprave penale që bëjnë serbët, sidomos ata në veri të vendit. Qëllimi është të bllokohet e përjashtohet pjesmarrja e prania e shtetit të Kosovës dhe institucioneve të tij në këtë pjesë të vendit. Dhe e gjitha kjo duhet të konsiderohet si kërcënim për integritetin territorial të Kosovës

Tiranë, 11 Mars 2023

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu