Inter në “Bentegodi” për të fshirë turpin ndaj Bolognës

0
Gjigandi

Kampionati italian do të vijë sot në ekranin e Supersport me dy sfidat e fundit të javës së 31-të, ku natyrisht që vëmendja maksimale do të jetë në “Bentegodi” për ndeshjen mes Veronës dhe Interit e cila do të startojë në orën 21:45.

Dhe pas humbjes ndaj Bolognës të dielën pasdite, të besuarit e Antonio Contes do të provojnë të reagojnë dhe të marrin një tre pikësh në një transfertë mjaft të vështirë, ku këtë sezon kanë dalë kokulur shumë skuadra.

Humbja e të dielës ndaj Bolognës provokoi një reagim nervoz të Contes, i cili ka mbajtur distancë ndaj futbollistëve gjatë gjithë seancave stërvitore, ndërsa edhe administratori Giuseppe Marotta bëri thirrje për reagim të menjëhershëm.

Megjithatë Verona është një nga surprizat e këtij sezoni të kampionatit italian, pasi ia ka dalë me meritë të grumbullojë plot 42 pikë në 30 javë, ndërsa në fushën e saj ka dominuar e fituar edhe përballë Juventusit kryesues.

Veronezët e drejtuar nga Juric vijnë pas një humbjeje të beftë 2-0 në transfertën ndaj Brescias të dielën, rezultat ky që i ka lënë disi larg garës për një vend në zonën europiane të renditjes, por kjo nuk i zbeh aspak pretendimet e tyre për një ndeshje të mirë dhe fitore ndaj Interit.

RonaTyra

Më herët në orën 19:30 do të luhet përballja mes Spalit dhe Udineses, një sfidë shumë e rëndësishme veçanërisht për friulianët, të cilët janë shumë pranë zonës së rënies dhe duan të sigurojnë sa më shpejt mbijetesën.

Me 19 pikë dhe në vendin e fundit të renditjes, shpresat e Spalit për mbijetesë i mban gjallë vetëm matematika, pasi kur kanë mbetur edhe 8 javë për t’u luajtur, duket e pamundur të marrë pikë mjaftueshëm për të qëndruar mes më të mirëve.

Krejt ndryshe është situata e Udineses, që pozicionohet e 15-a me 32 pikë dhe zona e ftohtë është vetëm 4 pikë më poshtë, ndaj friulianët do të provojnë të marrin tre pikët në transfertën e sotme, për t’u larguar njëherë e mirë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu