Haradinaj: Pragun e shtëpisë do ta kemi të sigurt vetëm me anëtarësim në NATO

0
Gjigandi

Në Irzniq të Deçanit sot u zbulua shtatorja e dëshmorit Maxhun Çekaj, me ç’rast u vlerësua lart veprimtaria e tij në arsim dhe luftën çlirimtare të Kosovës.

Zbulimi i shtatores që u organizua nën përkujdesjen e kësaj komune, u bë në 21- vjetorin e çlirimit të Deçanit, ndërsa përveç familjarëve morën pjesë përfaqësues institucionalë, bashkëluftëtarë të Maxhun Çekaj, qytetarë të Deçanit. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Maxhun Çekaj do të mbahet gjithmonë mend për kontributin në arsim dhe në luftë. Ai tha se Kosova do të jetë përjetësisht e mbrojtur vetëm me anëtarësim në NATO, teksa shtoi se një marrëveshje me Serbinë do t’i hapë rrugë vendit.
“Është një figurë që bashkon në vete anën e njeriut të mirë e të dashur, por po ashtu është një njeri që ka pasur ngritje intelektuale, dije profesionale të cilën ai e dha në kohën më të çmueshme. 21 vjet nga çlirimi i vendit, Kosova ka të arritura, por edhe sfidohet nga mënyra si qeveriset vendi përballë vështirësive. Kosova duhet të ketë vetëbesim e të ecën përpara për një marrëveshje për njohje reciproke me Serbinë që t’i hapet perspektiva Kosovës jo veç për marrjen e njohjeve të pesë vendeve të BE-së, e ku njohja nga këto vende do të ishte drejtësi dhe po ashtu mundësi të cilën e synojmë anëtarësimin në NATO… Mirëpo ne pragun e Kosovës do ta kemi të mbrojtur përjetësisht ditën kur anëtarësohemi në NATO. Deri në atë ditë pragu ynë i shtëpisë mund të rrezikohet dhe ne duhet të bëjmë kujdes deri në anëtarësim në NATO”, tha Haradinaj.
Ndërsa, drejtori i shkollës, Mejdi Doda, tha se shkolla që ai udhëheq do të jetë përherë krenare që mban emrin e dëshmorit Maxhun Çekaj.
“Sot në Ditën e çlirimit të Deçanit shkolla jonë po nderohet me bustin e heroit të Kosovës Maxhun Çekaj. Dukagjini si dhe fshati Irzniq për liri dhe pavarësi ka dhënë shumë burra të zotë, të pushkës dhe të pendës. Maxhun Çekaj ishte dhe do të mbetet shembulli i një intelektuali dhe luftëtari të lirisë, i cili për shumë vite punoi si mësimdhënës duke edukuar shumë gjenerata. Kur Kosova dhe bijtë e bijat e saj rrokën armët për liri të Kosovës, profesor Maxhuni iu bashkua luftës çlirimtare, ku së bashku me nxënësit e tij bënë realitet pavarësinë e vendit. Jemi mirënjohës ndaj kryetarit të Deçanit, i cili e bëri të mundur që shkolla jonë të ketë bustin e heroit Maxhun Çekaj”, deklaroi ai.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, uroi stafin e kësaj shkolle për bustin e mësuesit dhe dëshmorit Maxhun Çekaj.
“Dua t’ju uroj Ditën e çlirimit, 21-vjetorin e çlirimit më 16 qershor. Urime emri i shkollës fillimisht, urime edhe shtatorja e heroit e mësuesit Maxhun Çekaj, lavdi e përjetshme”, tha ai. Në anën tjetër, në emër të familjarëve, djali i dëshmorit Orhan Çekaj, u shpreh mirënjohës për nderimin që iu bë familjes së tij me ngritjen e bustit.

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu