Hagia Sophia, do të kthehet apo jo në xhami? (FOTO)

0
Gjigandi

Këshilli i shtetit në Turqi do të vendosë brenda 15 ditësh nëse Hagia Sophia në Stamboll mund të konvertohet apo jo në një xhami.

E ndërtuar në shekullin e gjashtë me urdhër të perandorit bizantin Justiniani I, ajo ka qenë katedralja më e madhe në botë për rreth 1000 vjet. Sajti që është pjesë e trashëgimive botërore të UNESCO-s, u shndërrua në një xhami kur perandoria otomane mori qytetin në 1453 por u bë një muze në 1930.
Ajo mund të bëhet tani sërish xhami nëse gjykata miraton lëvizjen të enjten. Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan kërkoi ndryshimin gjatë një tubimi elektoral vitin e kaluar. Islamikët në Turqi kanë kërkuar prej kohësh që ajo të shndërrohej, por opozita laike ka kundërshtuar lëvizjen. Propozimi ka ndezur edhe kritika ndërkombëtare nga liderë fetarë dhe politikë në të gjithë botën. Ndërtesa ikonike gjendet në lagjen Fatih të Stambollit, në bregun perëndimor të Bosforit. Justiniani i I urdhëroi ndërtimin masive në vitin 532 kur qyteti, atëherë i njohur si Kostandinopoja, ishte kryeqytet i perandorisë bizantine, e njohur edhe si perandoria lindore romane. Inxhinierët mblodhën materiale nga i gjithë Mesdheu për të ndërtuar katedralen kolosale.
Hagia Sophia shërbeu si shtëpia e kishës ortodokse të lindjes për rreth 900 vjet por5 në 1453 perandoria otomane e Sulltan Mehmetit të II, mori Kostandinopojën dhe i dha emrin qytetit Stamboll, duke i dhënë fund një herë e mirë perandorisë bizantine. Mehmeti i II, kërkoi rinovimin dhe shndërrimin e saj në xhami. Në fund të luftës së parë botërore, në 1918, perandoria otomane u mund dhe u nda nga aleatët fitues. Forcat nacionaliste sidoqoftë u ngritën dhe krijuan Turqinë e ditëve moderne nga hiri i asaj perandorie. Themeluesi i Turqisë dhe presidenti i parë i republikës laike, Mustafa Kemal Ataturk, urdhëroi që Hagia Sophia të kthehej në muze. Ajo u hap për publikun në 1935 dhe është një nga atraksionet më të vizituara të Turqisë.
 
 

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu