Forumi mbi pastrimin e parave në Shqipëri, priten më shumë rezultate pas forcimit të ligjeve

0
Forumi mbi pastrimin e parave në Shqipëri, priten më shumë rezultate pas forcimit të ligjeve
Gjigandi

Pastrimi i parave në Shqipëri po del përherë e më shpesh si problem shqetësues në disa studime e raporte vendase e ndërkombëtare si në pikëpamje të sigurisë ashtu edhe në atë të qeverisjes, korrupsionit dhe kapjes së shtetit.

Shqipëria është vënë nën vëzhgim nga struktura MoneyVal e Këshillit të Europës si një vend që ka mangësi në luftën kundër pastrimit të parave

e “kjo tregon se ka një shqetësim në rritje në lidhje me këtë dukuri”,

thotë Gjergj Vurmo, përfaqësues IDM-së, ndaj një seri institucionesh shtetërore duhet të zbatojnë ligjet, ndërsa shoqëria civile të japë ndihmesën e saj.

“Në rastin e Shqipërisë do të thoja se financimi i terrorizmit mbetet në qendër të vëmendjes së institucioneve, por mendoj se një vëmendje më të shtuar ka nevojë pjesa e pastrimit të parave nga krimi i organizuar dhe sidomos nga korrupsioni i lartë” –

RonaTyra

thotë zoti Vurmo.

Qeveria shqiptare po zbaton prej dy vjetësh masa të reja dhe një plan veprimi për të forcuar luftën kundër pastrimit të parave, parandalimin e prurjeve financiare të paligjshme si dhe kontrollet mbi lidhjet e subjekteve të ndryshme.

Zëvendësministrja e drejtësisë, Adea Pirdeni, renditi përmirësimin e ligjeve të noterisë dhe letërporosive, si dhe për ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme.

“Tashmë Shqipëria ka intensifikuar përpjekjet e saj në luftën kundër pastrimit të parave. Kjo si pasojë e një sërë raporteve ndërkombëtare, të cilat kanë kërkuar marrjen e një seri masash në nivel legjislativ, organizativ dhe në nivel zbatimi të detyrimeve që burojnë nga këto raporte ndërkombëtare”

– thotë zonja Pirdeni.

Ekspertët pohojnë se përballë kësaj gjendje që vlerësohet si e rëndë, të gjithë duhet të jenë më bashkëpunues me agjencitë ligjzbatuese.

Studiuesi Fabian Zhilla nga Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional flet për pastrim masiv të parave në Ballkan, por përballë kësaj situate shoqëria civile dhe qarqet akademike duhet të shtojnë ndihmesën e tyre në evidentimin dhe luftën kundër pastrimit të parave.

“Gjendja është shumë shqetësuese. Nuk mund të përcaktoj saktë nivelin, por situta është shumë shqetësuese sin ë Shqipëri dhe në gjithë rajonin. Në këtë rajon pastrohen para në mënyrë masive. Rrugëdalja është bashkëpunimi i të gjithë aktorëve, sepse është një veprim kriminal shumë i sofistikuar dhe vetëm në këtë mënyrë mund të luftohet”

– thotë zoti Zhilla.

Po ashtu medias i kërkojnë të bëjë më shumë përballë kësaj situate problematike për të rritur kërkesën e llogarisë ndaj institucioneve ligjbërëse dhe atyre ligjzbatuese.

Kristina Voko nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative Birn thotë se ende mungojnë të dhëna të sakta nga institucionet ligjzbatuese mbi shtrirjen e këtij krimi në shumë sektorë, ndonëse perceptohen vetëm ndërtimi dhe turizmi ku janë hedhur para të jashtëzakonshme dhe ku pastrimi i parave është përhapur më shumë.

Ajo thotë se pastrim parash nuk bëjnë vetëm grupet e organizuara kriminale pas shitjes së drogës apo burime të tjera, por edhe ekonomia informale e vendit.

“Duhet parë edhe parandalimi i transaksioneve në hije ose parave të zeza brenda vendin në jetën e përditshme. Është e pajustifikueshme që ekziston ekonomia gri informale ende pas 30 vitesh tranzicion nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut të lirë”

– thotë zonja Voko.

Përfaqësuesi i ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri, Beniamin Rokuell, tha se në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet ende shumë punë për të bërë edhe me pastrimin e parave, ndërsa është përmirësuar ligji i mbikëqyrjes dhe sistemit të parandalimit.

“Ligji nuk mjafton, por nevojitet zbatimi i tij me efektshmëri dhe mbetet shumë për të bërë pas nisjes së mire”

– tha zoti Rokuell. Ai thesoi se akuza e pastrimit të parave u shfaq në arrestimet për çështjen e inceneratorëve dhe pritet të bëhet më shumë me konfiskimin e pasurive, të cilat mund të gjenden lehtë nga SPAK në ndërtime dhe bregdet.

Departamenti amerikan të Shtetit theksoi në Raportin vjetor mbi Strategjinë e Kontrollit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, se

“Shqipëria mbetet e pambrojtur ndaj Pastrimit të Parave për shkak të korrupsionit, pranisë së rrjeteve të krimit të organizuar dhe boshllëqeve në legjislacion dhe mbikëqyrje”.

Sektori i ndërtimit, i pronave të paluajtshme dhe përfshirja në sipërmarrje janë, sipas raportit, ndër metodat më të përhapura të pastrimit të të ardhurave të paligjshme, ku theksohen dhe mbikëqyrja dhe sekuestrimet e pasurive kriminale janë të pamjaftueshme./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu