Ekskluzive, Enio Jaço i AmCham-it: Qeveria shqiptare ka përgjegjësinë të krijojë kushtet për funk…

0
Ekskluzive, Enio Jaço i AmCham-it: Qeveria shqiptare ka përgjegjësinë të krijojë kushtet për funk…
Gjigandi

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço në një intervistë për abc24.aln ka analizuar ndikimin e krizës në Ukrainë si dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri.

Jaço tërheq vëmendjen për masa afatgjata për menaxhimin e krizës. Ai është skeptik mbi ndërhyrjen e fortë të qeverisë në kontrollin e çmimeve, ndërsa thekson konkurrueshmërinë e tregut të lirë si mjetin kryesor për uljen e çmimeve.

Por edhe për një përqendrim më të mirë të burimeve dhe kushteve për qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe tërheqjen e investimeve.
Duke u ndalur tek investimet madhore potenciale në Shqipëri, Jaço bën të ditur se projekti i Gazit të Lëngshëm në TEC-in e Vlorës merr një dimension të shtuar gjeostrategjik pas krizës në Ukrainë.

“Një kontratë e mundshme shqiptare me ExonMobil, një nga prodhuesit më të mëdhenj të gazit natyror në botë, do të ishte një nga investimet më të mëdha të huaja direkt Amerikane për Shqipërinë dhe do ta kthente vendin në një furnizues të mundshëm rajonal të gazit në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë presidenti i AmCham.

Jaço ka folur gjithashtu edhe për protestat kundër rritjes së çmimeve që kanë përfshirë Shqipërinë periudhën e fundit. Ai ka theksuar se protestat reflektojnë strukturën e brishtë të ekonomisë shqiptare.

RonaTyra

Me zotin Jaço bisedoi gazetari Klaudjo Jonuzaj në Tiranë.

Intervista e plotë:

abc24.al: Z. Jaço, Shqipëria është përfshirë nga protesta masive në lidhje me rritjen e çmimeve. Shqetësimet filluan me çmimet e karburantit por tani janë shtrirë në të gjitha produktet. Qeveria ka lajmëruar masa, por si e shikoni në tërësi këtë situatë?

Enio Jaço: Rritja e çmimeve ka ardhur kryesisht nga konflikti në Ukrainë. Dhe kjo është e pashmangshme – Shqipëria nuk është e izoluar nga zhvillimet në tregjet e jashtme. Një lloj sensitiviteti në këtë drejtim mendoj që është i nevojshëm për të përballuar një situate që edhe mund të zgjasë.

Por këtu ka dhe një shqetësim lokal të akumuluar. Çmimi i karburantit në Shqipëri ka qenë gjithmonë i lartë – shumë ekonomistë mendojnë më i lartë se ç’duhej te ishte. Në fakt, Shqipëria radhitet ndër vendet më të larta në botë për çmimin e gasolinës në raport me të ardhurat mesatare. Dhe njerëzit kanë dalë në protesta pikërisht kur ky çmim u rrit më tej, duke krijuar një presion të ri ekonomiko-social, ndoshta të papërballueshëm për një pjesë të popullsisë.

Mendoj që situata është reale dhe kërkon një adresim përtej kornizave të zakonshme. Por nga ana tjetër, duhet të kuptojmë brishtësinë e sistemit fiskal në Shqipëri përballë krizave të tilla – efikasitetin që ofron sistemi në lidhje me rregullat e tregut të lirë, funksionimin e çmimeve, sistemi i taksave etj. Këto faktorë krahas krizës në Ukrainë po rezultojnë me një presion të fortë ndaj biznesit dhe stres ekonomik social në rritje krahasuar me ekonomi të tjera.

abc24.al: Goditja e inflacionit në tregjet ndërkombëtare ka sjelle pasoja edhe në ekonominë shqiptare? A mendoni se rritja e shpejte e çmimeve mund te zbutet me politika te caktuara shtetërore dhe si e shikoni vazhdimësinë e kësaj situate kundrejt biznesit dhe konsumatorëve në vend?

Enio Jaço: Inflacioni duket se do vijojë në Shqipëri sepse ka të bëjë me një sërë faktorësh, një pjesë e madhe jashtë Shqipërisë e ndikuar nga kriza në Ukrainë. Megjithatë, rritja e çmimeve mund të zbutet me politika monetare që ngadalësojnë injeksionin e parasë në ekonomi, por në të njëjtën kohë frenojnë rritjen ekonomike. Bizneseve në përgjithësi nuk ju pëlqen kjo sepse ju rrit koston e investimeve.

Por dua të theksoj se Leku është nga monedhat më të qëndrueshme në rajon. Mendoj që Banka Qendrore e Shqipërisë në këto 15-20 vite ka arritur të menaxhojë mirë stabilitetin e monedhës dhe kam arsye të besoj që kjo do vijojë. Por kjo nuk është një situatë normale, dhe në periudhat në vijim, mund të ketë nevojë për vëmendje të shtuar ndaj shtresave vulnerable të shoqërisë. Sidomos në vijim të rritjes së çmimeve të shportës bazike të produkteve. Rritja e këtyre çmimeve mund të ketë një ndikim disproporcional ndaj shtresave vulnerable dhe ka nevojë të adresohet në terma asistues që zgjasin zgjidhjet në kohë.

abc24.al: Dhe në këto kushte çfarë masash mendoni se do të mbronin ekonominë nga përballja me rritjen e çmimeve?

Enio Jaço: Mendoj se në këto raste, por edhe në tërësi, marrja e masave të shpejta “aty për aty” nuk ndihmon shumë. Duhet menduar në terma afatgjatë. Në përgjithësi ne jemi skeptik mbi menaxhimin e çmimeve të sektorit privat nga qeveria. Koha dhe historia globale ka treguar që tregu i lirë dhe konkurrent krijon çmimet më të mira për konsumatorin. Detyra e qeverisë është të krijojë kushtet për funksionimin ideal të tregut, por jo rregullimin e çmimeve.

Për karburantet mendoj që duhen adresuar taksat mbi karburët dhe niveli i konkurrencës. Taksat mund të adresohen me politika të përkohshme lehtësuese ndërsa konkurrenca duhet të rritet ndjeshëm në mënyrë që të prevalojnë presionet mbi uljen e çmimeve. Kjo do ishte shërbimi më i mirë për konsumatorët në afat të gjatë.

Nga ana tjetër, çdo krizë sjell një moment të ri. Konflikti në Ukrainë mund të zgjasë dhe diversifikimi i tregjeve është një mundësi, ku sektorë të rinj mund të zhvillohen siç është industria e teknologjisë, burimet e energjisë së ripërtëritshme etj. Mundësitë janë që tregjet të alternohen në mënyra të reja ku Shqipëria me disa plane të mira mund të bëhet protagoniste në disa nga këto tregje.

abc24.al: Kjo situatë padyshim lidhet edhe me klimën e biznesit. Si e shikoni klimën e biznesit tani që kriza po përshpejton të tjera ritme për bizneset dhe investime?

Enio Jaço: Momenti që ka krijuar kriza globale është gjithashtu ideal për reformën e investimeve. Shqipëria është vend tërheqës për investimet. Arsyet njihen, përfshijnë klimën e mirë, pozicionin e favorshëm gjeografik, kosto të ulët të fuqisë punëtore, kulturën mikpritëse dhe sigurinë e lartë si vend i NATO-s. Por ka dhe dy probleme fondamentale: ka një sistem të të bërit biznes i cili është i prapambetur, jo konkurrent dhe mundëson burokracinë dhe korrupsionin.

Së dyti është treg i vogël. E dyta nuk varet nga ne por mund të adresohet me strategji krijuese. E para varet krejtësisht nga vullneti politik për reformë ne liberalizimin e tregut të investimeve. Ky është momenti i duhur për t’u fokusuar në këtë reformë sepse do zbuste presionin që sjell inflacioni.

abc24.al: Si krahasohet ajo me vendet e rajonit? A është Shqipëria tërheqëse për investitorët e huaj (Amerikane ne veçanti) dhe si konkurron ajo me vendet e rajonit për tërheqjen e investimeve.

Enio Jaço: Pjesën e luanit për Investimet e huaja në rajon e përfiton Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Të dyja vendet kanë një legjislacion superior në lidhje me klimën e biznesit ne krahasim me Shqipërinë. Por ndërsa Serbia ofron dhe një treg të madh dhe më të zhvilluar, Maqedonia e Veriut “fiton” vetëm me klimën e biznesit. Në këtë aspekt, Shqipëria ka shumë për të bërë. Zhvillimet që kanë ndryshuar javët e fundit tani tregojnë një emergjencë edhe më të madhe që Shqipëria të lëvizë më me shpejtësi nga pozicioni që renditet tani.

abc24.al: Sa të rëndësishme janë investimet amerikane në projektet e hidrocentralit të Skavicës dhe TEC-it të Vlorës? Si e shikoni avancimin e këtyre projekteve dhe a keni dijeni për investime të tjera të ngjashme ose në fusha te tjera të kompanive amerikane në vendin tonë?

Enio Jaço: Skavica është një projekt i Qeverisë Shqiptare që do zbatohet nga Bechtel Corporation. Mendoj që është një nga projektet më madhore në Energji, me një kthim të qartë në investime dhe që do përmirësojë dukshëm prodhimin e energjisë në Shqipëri. Projekti është në fazat e tij fillestare pas lidhjes së kontratës dhe po ecën me hapat e duhura.

Në lidhje me TEC e Vlorës, kompani të mëdha amerikane, ExonMobil dhe Excelerate po kryejnë një studim fizibiliteti, për hapjen e mundshme të terminalit të Gazit të Lëngshëm në Vlorë. Nëse shkon përpara, do të krijonte një burim të rëndësishëm, shtesë të furnizimit me gaz për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën, duke diversifikuar më tej burimet e energjisë të Evropës.

Një kontratë e mundshme shqiptare me ExonMobil, një nga prodhuesit më të mëdhenj të gazit natyror në botë, do të ishte një nga investimet më të mëdha të huaja direkt Amerikane për Shqipërinë dhe do ta kthente vendin në një furnizues të mundshëm rajonal të gazit në Ballkanin Perëndimor. Projekti i Gazit të Lëngshëm merr një dimension të shtuar gjeostrategjik tashmë, pas krizës në Ukrainë.

Mendoj që këto zhvillime, janë shumë të rëndësishme për prezencën amerikane nëpërmjet biznesit dhe tregtisë në Shqipëri.

/abc24.al/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu