Dyqanet në krizë ndërsa mallrat e pashitura humbasin vlerën

0
Gjigandi

Megjithëse shtetet amerikane po zbusin gradualisht masat izoluese, dyqanet e shitjes me pakicë të veshjeve të modës përballen me një sfidë serioze – pamundësinë për të shitur mallrat që po qëndrojnë në rafte për muaj të tërë. Shitjet në internet të veshjeve po vazhdojnë, por për shkak të rënies së fuqisë blerëse, dyqanet nuk mund të kompensojnë humbjet

Pranvera e vitit 2020 ka rezultuar katastrofike për qindra dyqane me pakicë të veshjeve të modës, pasi shitjet ranë me 90%, sipas agjensisë së lajmeve Reuters. Dhe shitjet në internet nuk mund të kompensojnë të ardhurat e humbura, thonë ekspertët.
Sidoqoftë, disa dyqane të vogla janë duke gjetur disa mënyra krijuese për të shkëlqyer në biznes. “Ne jemi paksa ndryshe nga shitësit e tjerë me pakicë të veshjeve të modës. Ne i përmbahemi inventarit tonë shumë më gjatë sesa ata me shumë dyqane, sepse mallrat tona janë speciale dhe ekskluzive. Ndonjëherë na duhet një vit ose më shumë për të shitur diçka nga inventari ynë”, thotë Neil Barrett, i firmës në Kaliforni “Standard & Strange”.
“Ne ekzistojmë jashtë asaj që e mendoni si modë. Nuk është kjo ajo që bëjmë. Ne shesim veshje, ne shesim rroba, shumica e atyre që ju shesim mund t’i kishit veshur dhjetë vjet më parë, njëzet vjet më parë …”, thotë Jeremy Smith, i firmës “Standard & Strange”. Ende nuk është e qartë kur dyqanet me pakicë të modës mund të kthehen në nivelin e funksionimit para-pandemisë. Në shtetet që po lehtësojnë gradualisht masat izoluese, dyqanet po hapen çdo ditë me kapacitet më të ulët dhe kontrolle të detyrueshme të temperaturës. Në shumë prej tyre, dhomat e provës vazhdojnë të jenë të mbyllura.
“Është optimizëm nervoz. Po hapemi me vetëm dorëzim të mallit në trotuar. Nuk e dimë se çfarë do të thotë kjo; nëse të gjithë do të fillojnë të telefonojnë në të njëjtën kohë… Por, jemi të ngazëllyer sepse tregon se përparimi po ndodh”, thotë Michelle Nadeau, e firmës “Timbuk2”. Ekspertët thonë se kur shumica e dyqaneve me pakicë të veshjeve të modës do të hapen, ato do të fillojnë me shitje të mëdha – këtë herë jo vetëm në internet, por edhe brenda dyqaneve./VOA

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu