Dy orë rrugë në këmbë për të shkuar në shkollë

0
16
Gjigandi

Si në ftohtë ashtu edhe në vapë, Kleo, Alisia, Mikaela dhe Trifoni çdo ditë për të shkuar në shkollë duhet të bëjnë rreth 1 orë e gjysmë rrugë në këmbë nga fshati Shtyllë drejt Vithkuqit.

“Lodhemi është shumë larg, na dhemb kurrizi nuk mund të ecim dot. Ai është i vogël, edhe ne të vogla jemi ne dy çupat, por ja që duhet të shkojmë të mësojmë diçka”, thotë Mikalea Ibraj.

Prindërit e tyre ashtu si dhjetëra të tjerë të kësaj zone shprehen të frikësuar për vështirësitë që fëmijët duhet të hasin çdo ditë. Kërkesa e tyre është sigurimi i një mjeti transporti.

“Problemi është që ne të na vihet një makinë, asgjë me tepër, të venë fëmijët se djali është në klasë të dytë, mendoje vetë tani që është i vogël”, shprehet Klodi Ibraj.

“Ne kemi 4-5 vjet që fëmijët shkojnë në këmbë në Vithkuq, në dimër, në dëborë, frikë kemi se ka dhe ujqër edhe kemi shumë frikë. Jemi ankuar, ka vajtur ky kryeplaku i fshatit, ka vajtur e në bashki, e në arsim edhe nuk kanë dhënë zgjidhje fare”, deklaron Fatmir Ibraj.

Përpos terrenit të vështirë me të cilin fëmijët do duhet të përballen, çanta e rëndë të cilën mbajnë gjatë ecjes është një tjetër shqetësim për ta. Gjatë gjithë rrugës Kleo do duhet të mbajë në kurriz thuajse 5 kilogramë.

Drejtoresha e shkollës së Vithkuqit shprehet se shteti i “lan duart” me këta fëmijë pasi u jep 80 lekë të vjetra për vështirësinë e rrugës.

“Ligjërisht funksionon në formën që, në momenti që këta fëmijë dhe prindërit e tyre marrin vështirësinë që u akordon shteti, 880 lekë të vjetra në ditë për fëmijë, atëherë kjo detyrë i mbetet prindërit për të zgjidhur”, shprehet Majlinda Duni.

“Unë jam prind vetë dhe në qoftë se fëmija im do të udhëtonte në këto vështirësi edhe unë do isha në dilemë ta çoja apo mos e çoja në shkollë”. Shton ajo.

E deri sa sytë e pushtetit vendor të kthehen tek këta fëmijë, ata do vazhdojnë të sakrifikojnë mes kushteve të vështira atmosferike me qëllim daljen nesër nga kjo situatë.

Njoftime falas, njoftime pune

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu