Shifrat e ekonomisë dhe rritja e çmimeve përplasi opozitën me kryeministrin ne foltoren e Kuvendit. Edhe pse kishin të njëjtin burim të dhënash me INSTAT-IN, leximet ishin te ndryshme.
Për herë të parë Edi Rama pranoi çmimin e lartë të karburantit, por bashkë me pohimin kryeministri kishte dhe një justifikim.
“Kemi çmimin më të lartë të karburanteve në rajon”,
tha Tabaku.
“Është e vërtetë që ne kemi një çmim karburanti më të lartë në rajon, por ndryshe nga rajoni ne biznesit të vogël i marrim 0 taksë. Në vërtetë e kemi më të lartë se sa të tjerët për biznesin e madh, por ne subvencionojmë 100% energjinë elektrike për biznesin e vogël dhe familjarët”
, tha Rama.
E vetmja pikë ku shefi i qeverisë ra dakord me demokraten ,Jorida Tabaku ishte për natyrën e bordeve përcaktuese të çmimeve. Por, palët u ndanë sërish në qëndrime ku ra fjala për ekzistencën apo jo të tyre.
“Janë futur 5 kompani karburantesh që bashkë me qeverinë caktojnë çmimet, ky bord nuk duhet të ekzistojë
“, u shpreh Tabaku.
“Jam dakord kemi një bord 100 përqind KOMUNIST, por në këtë moment na duhet”,
u shpreh Rama.
Pjesë e debatit parlamentar kërkoi të behej edhe Sali Berisha, por kryeministri i kujtoi që procedura nuk parashikon fjalë për personat e shpallur non grata.