Biznesmeni Ylli Ndroqi nuk mer pasuritë. Kushtetuesja i rrëzon kërkesën

0
Gjigandi

Janë të paktën 32 prona, (biznese, pasuri të paluajtshme, makina e televizione) që prej disa vitesh drejtësia ia ka sekuestruar manjatit të medias Ylli Ndroqi, pronarit të “Ora Tv” dhe “Ora News”. Avokatët e Ndroqit, janë shprehur me kohë se pasuria është normale pasi bizneset kanë vazhduar punën, edhe pse kanë qenë me administratorë shtetërorë.

Në vitin 2020 GJKKO kishte vendosur sekuestrimin e 26 pasurive të Ndroqit. Në vendimin e marrë nga GJKKO thuhej se, sekuestrimi u bë mbi bazën e dyshimeve, se pasuria e tij, që është edhe në emër të familjarëve, dyshohet se është ngritur mbi bazën e aktivitetit kriminal.

Avokati i Ndroqit ka deklaruar se Apeli nuk e ka argumentuar vendimin e tij. Po sipas tij, “Dyshimet e ngritura janë të bazuara në indicie dhe jo në prova”.

Por më pas, SPAK-u, kërkoi konfiskimin e jo më 26 por plot 32 pasurive të biznesit Ylli Ndroqi, dhe kalimin në llogarinë e shtetit shqiptar. Bëhet fjalë për 32 pasuri, apartamente, aksione, pyje, troje, automjete, biznese etj.

Por sot edhe pas ankimimit të bërë nga përfaqësuesit ligjorë të Ndroqit, dhe apelimit, Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë parasysh kërkesën duke mos  e shqyrtuar ankimimin e Ndroqit dhe ka lënë në fuqi vendimin e SPAK dhe GJKO për sekuestrot mbi 32 prona.

RonaTyra

Vendim nr. 19 datë 03.02.2022

 

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Vitore Tusha, Kryetare, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Sonila Bejtja, Përparim Kalo, anëtarë, në datën 03.02.2022 mori në shqyrtim paraprak kërkesën nr. 2 (Y) 2021 të Regjistrit Themeltar, që i përket:

KËRKUES:               YLLI NDROQI,

                                MIMOZA NDROQI

OBJEKTI:  Shfuqizimi i vendimit nr. 12, datë 15.02.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të lënë në fuqi me vendimin nr. 75, datë 11.03.2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për rrëzimin e kërkesës me objekt: “Konstatimin e shuarjes së masës së sekuestrimit të pasurive të shtetasve Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) dhe Mimoza Ndroqi, sipas vendimit nr. 16, datë 01.08.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” dhe të vendimit nr. 00-2021-487, datë 29.06.2021 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.                                           

BAZA LIGJORE:  Nenet 3, 4, 5, 7, 11, 15, 17, 18, 31, 33, 42, 43, 116, 122, 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i”, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; nenet 1, 6, 7, 13, 14, 15, 16, 17 dhe 18 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ); Protokolli shtesë nr. 1 dhe neni 2 i Protokollit nr. 7 të KEDNJ-së; nenet 22, 27, 49, 50, 70, 71/a dhe 71/b të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar (ligji nr. 8577/2000).

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese (Mbledhja e Gjyqtarëve), pasi dëgjoi relatorin Përparim Kalo, shqyrtoi kërkesën, dokumentet shoqëruese dhe diskutoi çështjen në tërësi,

 

V Ë R E N:

I

Rrethanat e çështjes

  1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme) në datën 21.07.2020 ka regjistruar procedimin pasuror nr. 10 në ngarkim të kërkuesit Ylli Ndroqi dhe personit të afërt me të, të lidhur, për shkak të ligjit.
  2. Me vendimin nr. 16, datë 01.08.2020, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO-ja e Shkallës së Parë), në dhomë këshillimi, në bazë të ligjit nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar (ligji nr. 10192/2009), ndër të tjera, ka vendosur: “Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sekuestrimin e pasurive (të paluajtshme dhe të luajtshme) në zotërim të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu)…”. Ky vendim është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO-ja e Apelit) me vendimin nr. 145, datë 27.08.2020.
  3. Në datën 26.01.2021 Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në GJKKO-në e Shkallës së Parë kërkesën nr. 10 prot., datë 26.01.2021, nëpërmjet së cilës kërkon zgjatjen e afatit të zbatimit të masës së sekuestrimit për pasuritë e kërkuesve, të vendosur prej saj me vendimin nr. 16, datë 01.08.2020. Me vendimin nr. 3, datë 31.01.2021, në dhomë këshillimi, në vijim të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme të datës 26.01.2021, GJKKO-ja e Shkallës së Parë, në bazë të neneve 3, 11, 12, pika 3, 14 dhe 15 e vijues të ligjit nr. 10192/2009, ka vendosur zgjatjen për një periudhë 6-mujore të afatit të zbatimit të masës së sekuestrimit, të vendosur më parë prej saj me vendimin nr. 16, datë 01.08.2020.
  4. Në datën 02.02.2021 kërkuesit kanë kërkuar shuarjen e masës së sekuestrimit të vendosur për pasuritë e tyre me vendimin nr. 16, datë 01.08.2020 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, në bazë të nenit 12, pika 5, të ligjit nr. 10192/2009, për shkak se, në bazë të nenit 12, pika 4, të këtij ligji, duke qenë se (në dijeninë e tyre) nuk ishte caktuar seancë 5 ditë përpara mbarimit të afatit të sekuestrimit, pra brenda datës 26.01.2021, për rrjedhojë, duhet të konstatohej shuarja e masës.
  5. GJKKO-ja e Shkallës së Parë, me vendimin nr. 12, datë 15.02.2021, ka vendosur: “Rrëzimin e kërkesës […], si të pambështetur në ligj e prova. […]. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda afatit ligjor.”. GJKKO-ja e Shkallës së Parë ka arsyetuar se masa e sekuestros e vendosur me vendimin e saj nr. 16, datë 01.08.2020 është ekzekutuar nga Policia Gjyqësore në datat 03.08.2020 dhe 04.08.2020. Pa përfunduar ende afati 6-mujor i sekuestrimit, i cili sipas pikës 2 të nenit 12 të ligjit nr. 10192/2009 përfundonte në datat 3 dhe 4 shkurt 2021, në datën 31.01.2021 gjykata ka disponuar me zgjatjen e afatit të zbatimit të masës së sekuestrimit për një periudhë 6-mujore. Prandaj, afati kohor i masës së sekuestrimit, i parashikuar në pikat 2 dhe 3 të nenit 12 të ligjit nr. 10192/2009, nuk ka mbaruar, ndaj nuk gjen zbatim pika 4 e nenit 12 e të njëjtit ligj.
  6. Vendimi nr. 12, datë 15.02.2021 i GJKKO-së së Shkallës së Parë është marrë në seancë gjyqësore, në prani të avokatëve të kërkuesve.
  7. Ndaj vendimit të mësipërm kërkuesit kanë paraqitur ankim në GJKKO-në e Apelit, e cila, me vendimin nr. 75, datë 11.3.2021, ka vendosur: “Mospranimin e ankimit […], kundër vendimit nr. 12, datë 15.02.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. […]. Kundër këtij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda kompetencës së saj.”. Kjo gjykatë ka arsyetuar se, në interpretim të neneve 112, pika 1 dhe 407 pika 1, të KPP-së, e drejta e ankimit duhet të parashikohet shprehimisht në ligj. Ligji nr. 10192/2009 në nenin 27 lejon të drejtën e ankimit në gjykatën e apelit, sipas afateve dhe kushteve të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale (KPP), ndër të tjera, kundër një vendimi gjyqësor që ka disponuar për shuarjen e masës së sekuestrimit, sipas parashikimeve të pikës 5 të nenit 12 të tij, por jo për “urdhrin/vendimin” që disponon për rrëzimin e kërkesës së subjektit për konstatimin e shuarjes së një mase të tillë. Një konkluzion i tillë mbështetet pikërisht te natyra e kësaj vendimmarrjeje, që ka si synim verifikimin dhe kontrollin mbi faktin nëse vijojnë të ekzistojnë kushtet dhe kriteret, mbi bazën e të cilave është caktuar masa parandaluese, lidhur ngushtë edhe me kohëzgjatjen e arsyeshme të masave parandaluese në rastin konkret. Për sa i përket pretendimit të kërkuesve për zbatimin e nenit 249 të KPP-së, fakti që në këtë dispozitë është njohur e drejta e ankimit për kërkesat me objekt “revokim ose zëvendësim mase sigurimi”, nuk do të thotë se kjo dispozitë mund të referohet edhe për ushtrimin e së drejtës së ankimit sipas ligjit nr. 10192/2009, për shkak se ky ligj, në nenin 27 të tij, ka parashikuar shprehimisht të drejtën e ankimit dhe vendimet ndaj të cilave lejohet ankim; ankimi sipas nenit 247 të KPP-së lidhet me zbatimin e nenit 248 të KPP-së, si rrjedhojë e verifikimit të kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal, ndërkohë që objekti i kërkimit të kërkuesve është shuarja e masës së sigurimit; ligji nr. 10192/2009 duke referuar në dispozitat e KPP-së lejon zbatimin e tyre në procedurën e shqyrtimit të kërkesave gjatë fazës së hetimit pasuror, kur ligji i posaçëm nuk ka një rregullim konkret të situatës procedurale, që nuk është rasti konkret, pasi në ligjin e posaçëm ka një rregullim të tillë.
  8. Ndaj vendimeve të mësipërme kërkuesit kanë paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila, me vendimin nr. 00-2021-487, datë 29.06.2021, në dhomë këshillimi, ka vendosur mospranimin e tij në bazë të nenit 433 të KPP-së. Gjykata e Lartë në vendimin e saj ka arsyetuar: “[…]pjesa e pretendimeve në rekurs që ngre çështje të vlerësimit të provave del jashtë juridiksionit ekskluzivisht ligjor të Gjykatës së Lartë. Në të gjitha rastet kur rekursi nuk iu përmbahet shkaqeve të përcaktuara nga neni 432/1 i Kodit të Procedurës Penale, Kolegji Penal vendos mospranimin e rekursit.. […] Kolegji Penal vlerëson se asnjë nga pretendimet e ngritura në rekursin e paraqitur nuk iu referohet shkaqeve të rekursit të parashikuara nga neni 432 i KPP-së. Pavarësisht se Kolegji nuk i hyn shqyrtimit të provave, ai vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar drejtë se ekzistojnë kushtet për vijimin e masës së sekuestrimit ndaj pasurive të vendosur me vendimin nr.16, datë 01.08.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në rekurs janë ngritur edhe në shkallët e tjera të gjykimit dhe kanë marrë përgjigje të arsyetuar nga gjykatat më të ulëta. Në lidhje me pretendimin se Gjykata e Apelit me vendimin e saj ka cenuar institutin e ankimit dhe për pasojë ka bërë edhe cenimin e parimit të një procesi të drejtë gjyqësor të ngritur nga kërkuesi në rekurs, Kolegji vlerëson të sjell në vëmendje se Kodi i Procedurës Penale në Titullin VIII, Ankimet, Kreu I, Rregullat e Përgjithshme, ka përcaktuar në nenin 407 rastet dhe mjetet e ankimit. Pika 1 e nenit 407 përcakton rregullin “Ligji cakton rastet në të cilat vendimet dhe urdhrat e gjykatës mund të ankimohen, si dhe mjete e ankimit”. Në këtë formulim evidentohet se e drejta e ankimit udhëhiqet nga parimi i taksitivitetit, që e drejta e ankimit duhet të njihet nga ligji në mënyrë të shprehur. Për pasojë, rregullat e ankimit duhet t’i referohen ligjit nr. 10192/2009, […] Neni 27, pika 1 parashikon se “Kundër vendimit të gjykatës për sekuestrimin e pasurisë, zgjatjen e afatit të masës së sekuestrimit, revokimit apo të shuarjes së masës së sekuestrimit, mund të bëhet ankim në gjykatën e një niveli më të lartë, sipas afateve dhe kushteve të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale”. Pra, ankimi si mjet dhe e drejtë për të kundërshtuar një vendim të gjykatës më të ulët, në gjykatën më të lartë duhet të jetë parashikuar në ligj. Qëndrimi që mban kërkuesi në rekursin e tij se e drejta e ankimit lejohet pasi ligji nuk është shprehur për ndalimin e ushtrimit të kësaj të drejte nuk qëndron dhe është i pabazuar […].”.
  9. Në datën 27.10.2021 kërkuesit i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata), sipas objektit të sipërcituar. Në datën 17.12.2021, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, bazuar në nenin 31, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, vendosi kalimin e kësaj çështjeje për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve.

 

II

Pretendimet e kërkuesve

  1. Kërkuesit i janë drejtuar Gjykatës me kërkesë sipas objektit, duke pretenduar se GJKKO-ja e Shkallës së Parë, GJKKO-ja e Apelit dhe Gjykata e Lartë kanë shkelur të drejtën e tyre për proces të rregullt ligjor në aspektet e mëposhtme:

10.1.    Të drejtën për t’iu drejtuar gjykatës dhe për t’u dëgjuar, të garantuara në nenet 31, 33 dhe 42 të Kushtetutës, pasi vendimi i Gjykatës së Lartë është marrë në kundërshtim me dispozitat procedurale të njoftimit të gjykimit, sikurse parashikohet në nenin 436, pika 3, të KPP-së. Ky kufizim, në kundërshtim me nenin 17 të Kushtetutës, së bashku me nenet 5, 116 dhe 122 të saj, nuk iu ka dhënë mundësinë kërkuesve për të pasur kohën e nevojshme për të përgatitur mbrojtjen e tyre dhe për të paraqitur pretendime të tjera që lidheshin me rekursin, sikurse parashikohet në nenin 415 të KPP-së.

10.2.    Parimin e gjykatës së pavarur dhe të caktuar me ligj, pasi Gjykata e Lartë, në kundërshtim me dispozitat e KPP-së, ka disponuar për themelin e çështjes, e cila mund të bëhet vetëm me trup gjykues prej 5 gjyqtarësh dhe në seancë gjyqësore. Argumenti i Gjykatës së Lartë se rekursi nuk përmban shkaqe që parashikohen në nenin 432 të KPP-së nuk është i bazuar, pasi ato janë parashtruar shumë mirë dhe saktë e shtronin para kësaj gjykate çështje për të cilat kërkohej njehsimi i praktikës. Po ashtu, në bazë të nenit 433 të KPP-së, Gjykata e Lartë nuk vlerëson themelin e çështjes dhe pretendimet, nëse qëndrojnë ose jo, pasi vendimmarrja kufizohet vetëm në vlerësimin nëse ekzistojnë shkaqet, pa shqyrtuar themelin. Qëndrimi i Gjykatës së Lartë ka cenuar parimin e shtetit të së drejtës, të parashikuar në nenin 4 të Kushtetutës dhe parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, për shkak se Gjykata e Lartë ka ushtruar atributet e ligjvënësit nëpërmjet krijimit de facto dhe de jure të një norme të re procedurale për shqyrtimin e themelit të çështjes në dhomë këshillimi. Po ashtu, prej saj është cenuar edhe parimi i qartësisë së normave juridike penale, pjesë e të cilit është edhe qartësia e normave procedurale, si garanci thelbësore e  të pandehurit.

10.3.    Parimin e kontradiktoritetit, për shkak se GJKKO-ja e Apelit ka lejuar që GJKKO-ja e Shkallës së Parë të zhvillojë një proces në dhomën e këshillimit, pa iu dhënë mundësi palëve të dëgjohen për pretendimet e tyre. Caktimi i masave të sigurimit, duke përfshirë edhe vendosjen e sekuestros në dhomë këshillimi dhe jo nëpërmjet një procesi të rregullt, ku të respektohet barazia e armëve, është në kundërshtim me nenet 4, 5, 17, 31, 33 dhe 42 të Kushtetutës në lidhje me nenet 116 dhe 122 për sa iu përket dispozitave të KEDNJ-së. Edhe procesi në gjykatën e apelit duhej të ishte bërë në seancë të rregullt gjyqësore, në prani të palëve dhe gjykata duhet të kishte vendosur pasi të dëgjonte më parë palët. Në mënyrë të njëjtë ka vepruar edhe Gjykata e Lartë, e cila jo vetëm ka ligjëruar shkeljet e gjykatave më të ulëta në këtë drejtim, por nuk e ka shqyrtuar çështjen në seancë, edhe pse në rastin në shqyrtim plotësoheshin kriteret e nenit 432 të KPP-së.

10.4.    Të drejtën e ankimit, të garantuar në nenin 43 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së. GJKKO-ja e Apelit dhe Gjykata e Lartë kanë keqinterpretuar nenin 420 të KPP-së, pasi në çështjen në shqyrtim nuk plotësohet asnjë prej rasteve të parashikuara në këtë dispozitë, sepse që një vendim të jetë i paankimueshëm, duhet që ndalimi i ankimit kundër tij të shprehet në mënyrë të qartë me ligj dhe nuk mund të jetë çështje e vlerësimit subjektiv të gjykatës. Në asnjë dispozitë të ligjit nr. 10192/2009 nuk parashikohet se kundër vendimit që disponon kërkesën për shuarjen e masës nuk lejohet ankim. Ligjvënësi në nenin 27, pika 1, të ligjit nr. 10192/2009, lidhur me vendimin e gjykatës për “sekuestrimin e pasuris딓zgjatjen e afatit të masës së sekuestrimit”“revokimit të masës së sekuestrimit” dhe “shuarjes së masës së sekuestrimit”, ka për qëllim të identifikojë objektin e gjykimit të shkallës së parë për masën e sekuestrimit parandalues, i cili mund të ankimohet dhe jo mënyrën e disponimit të gjykatës, pranimin ose jo të kërkesës, nga e cila do të varej nëse lejohej ose jo ankimi. Nga pikëpamja e teknikës legjislative është e pamundur që ligjvënësi të parashikojë mënyrat e zgjidhjes nga gjykata dhe më pas ankimin ose jo. Në të njëjtën mënyrë ka parashikuar KPP-ja të gjitha rastet e vendimeve të gjykatës që mund të ankimohen, pa përmendur nëse vendimmarrja është pranim, rrëzim i kërkesës ose pushim i çështjes (nenet 249, pika 8, 442 dhe 432 të KPP-së), ashtu edhe në nenin 27, pika 2, të ligjit nr. 10192/2009 për konfiskimin e pasurisë.

10.5.    Vendimi i GJKKO-së së Apelit është marrë në kundërshtim me dispozitat procedurale të ligjit nr. 10192/2009 dhe të KPP-së, që rregullojnë institutin e ankimit kundër vendimit të shkallës së parë lidhur me detyrimin e kësaj të fundit që në një proces pasuror, 5 ditë para se të përfundojë afati 6-mujor i masës së sekuestrimit, të caktojë seancë gjyqësore me kontradiktoritet dhe, në rast të kundërt, të konstatojë shuarjen e masës së sekuestrimit dhe shqyrtimin në gjykatën e apelit.

10.6.    Të drejtën e pronës, të garantuar në nenet 42 të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit 1 të KEDNJ-së, si dhe  drejtën e iniciativës së lirë dhe ekonomisë së tregut, të garantuara në nenin 11 të Kushtetutës, për shkak të ligjërimit të vazhdimit të masës së sekuestros për pasuritë e kërkuesve përtej afateve maksimale që parashikon ligji dhe në kundërshtim me garancitë kushtetuese.

10.7.    Parimin e ndalimit të diskriminimit, të garantuar në nenin 18 të Kushtetutës dhe nenin 14 të KEDNJ-së, të lidhura me nenet 5 dhe 6 të saj dhe Protokollin nr. 1 të KEDNJ-së, si dhe me nenin 2 të Protokollit nr. 7 dhe Protokollin nr. 12 të KEDNJ-së, pasi edhe pse individëve të tjerë, subjekte të masave të sigurimit, u njihet e drejta e ankimit ndaj vendimeve që refuzojnë ose pranojnë shuarjen, ose jo të masave, kërkuesve, në mënyrë diskriminuese, nuk u është njohur e drejta e ankimit me vendimet objekt kundërshtimi.

 

III

Vlerësimi i Mbledhjes së Gjyqtarëve

  1. Për legjitimimin e kërkuesve
  2. 11. Çështja e legjitimimit (locus standi) është vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese si një ndër aspektet kryesore që lidhet me inicimin e një procesi kushtetues. Bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës, si dhe nenin 71, pika 1, të ligjit nr.8577/2000, Gjykata Kushtetuese vendos për gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë.
  3. Ankimi kushtetues individual, në çdo rast, duhet të plotësojë kriteret e nenit 71/a të ligjit nr. 8577/2000, që lidhen me shterimin e mjeteve juridike, afatin e paraqitjes së kërkesës, pasojat negative të pësuara në mënyrë të drejtpërdrejtë e reale, mundësinë për rivendosjen e së drejtës së shkelur, si dhe rregullimet e veçanta ligjore të shqyrtimit paraprak të kërkesës.
  4. Kriteret për pranueshmërinë e ankimit kushtetues individual janë të natyrës kumulative, në kuptimin që ato duhet të plotësohen njëkohësisht. Në këtë vështrim, mjafton mosplotësimi i njërit prej këtyre kritereve që kërkuesi të mos legjitimohet për vënien në lëvizje të gjykimit kushtetues.
  5. Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se kërkuesit kundërshtojnë vendimet objekt gjykimi nëpërmjet të cilave është vendosur mospranimi i kërkesës së kërkuesve për konstatimin e shuarjes së masës së sekuestrimit të pasurive të tyre, të vendosur nga GJKKO-ja e Shkallës së Parë me vendimin nr. 16, datë 01.08.2020, mospranimi i ankimit nga GJKKO-ja e Apelit dhe i rekursit nga Gjykata e Lartë, për rrjedhojë legjitimohen ratione personae, në kuptim të neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i” dhe pika 2, të Kushtetutës.
  6. Në lidhje me shterimin e mjeteve juridike, në kuptim të nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës, individi mund t’i drejtohet Gjykatës për cenimin e të drejtave kushtetuese, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese, që individi pretendon se i janë cenuar nga akti i pushtetit publik. Shterimi i mjetit është kusht si në rastet e kundërshtimit të një vendimi gjyqësor, sipas nenit 71/a, pika 1, shkronja “a”, të ligjit nr. 8577/2000, i lartpërmendur, ashtu edhe në rastet e kundërshtimit të një dispozite ligjore/ligji (shih vendimet nr. 19, datë 01.04.2021; nr. 6, datë 16.02.2021; nr. 38, datë 25.04.2017 të Gjykatës Kushtetuese).
  7. Rregulli i shterimit të mjeteve të ankimit në gjykatat e zakonshme përbën një aspekt të rëndësishëm të parimit se procedura e zgjidhjes së ankesave individuale përpara Gjykatës Kushtetuese është plotësuese e gjykimit në gjykatat e zakonshme lidhur me mbrojtjen e të drejtave kushtetuese (parimi i subsidiaritetit). Ky rregull nënkupton jo vetëm që individi t’u jetë drejtuar të gjitha instancave të zakonshme, por edhe që të gjitha pretendimet që ngre në këtë Gjykatë t’i ketë paraqitur më parë në këto instanca, të paktën në substancë, duke respektuar kërkesat formale dhe afatet e parashikuara në ligjin procedural (shih vendimet nr. 10, datë 04.03.2021; nr. 15, datë 07.05.2018; nr. 8, datë 19.03.2018 të Gjykatës Kushtetuese). Duke qenë se mbrojtja kushtetuese ka një funksion subsidiar, kjo do të thotë se mund të kërkohet vetëm për një vendim përfundimtar, që përmbyll procesin gjyqësor (shih vendimet nr. 10, datë 04.03.2021; nr. 48, datë 06.07.2015 të Gjykatës Kushtetuese). E drejta për proces të rregullt ligjor garantohet nga neni 42 i Kushtetutës dhe cenimi i saj mund të pretendohet në këtë Gjykatë vetëm pasi të shterohen të gjitha mundësitë e ofruara nga sistemi i apeleve, kjo vlen edhe në rastet kur procedurat gjyqësore paraprake çojnë në një rëndim të mëtejshëm ose në tejzgjatjen e dhunimit të kësaj të drejte (shih vendimet nr. 29, datë 30.03.2017; nr. 28, datë 23.06.2011 të Gjykatës Kushtetuese). Mjetet juridike shterojnë kur në varësi të rrethanave të çështjes rregullat procedurale nuk parashikojnë mjete të tjera ankimi (shih vendimet nr. 35, datë 01.11.2021; nr. 34, datë 01.11.2021; nr. 33, datë 01.11.2021 të Gjykatës Kushtetuese).
  8. Në rastin konkret, Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se me vendimin nr. 16, datë 01.08.2020, GJKKO-ja e Shkallës së Parë ka vendosur sekuestrimin e pasurive të kërkuesve, në funksion të hetimit pasuror të tyre nga Prokuroria e Posaçme, bazuar në ligjin nr. 10192/2009. Ajo gjykatë, në vijim të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, me vendimin nr. 3, datë 31.01.2021, në dhomë këshillimi, ka vendosur zgjatjen me 6 muaj të afatit të zbatimit të masës së sekuestrimit. Nuk rezulton që kërkuesit të kenë paraqitur ankim kundër këtij vendimi.
  9. Po kështu, Mbledhja e Gjyqtarëve konstaton se GJKKO-ja e Shkallës së Parë, bazuar në kërkesën e kërkuesve për shuarjen e masës së sekuestrimit të pasurive të tyre, për shkak se kishte përfunduar afati i parashikuar për këtë masë sipas nenit 12 të ligjit nr. 10192/2009, me vendimin nr. 12, datë 15.02.2021 ka vendosur rrëzimin e kërkesës. Në vijim, GJKKO-ja e Apelit, bazuar në ankimin e paraqitur nga kërkuesit kundër vendimit të GJKKO-së së Shkallës së Parë, me vendimin nr. 75, datë 11.3.2021, ka vendosur mospranimin e ankimit. Në përfundim, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, bazuar në rekursin e paraqitur nga kërkuesit kundër vendimeve të mësipërme, me vendimin nr. 00-2021-487, datë 29.06.2021, ka vendosur mospranimin e tij, duke arsyetuar se asnjë nga pretendimet e ngritura në të nuk iu referohet shkaqeve të parashikuara nga neni 432 i KPP-së.
  10. Gjithashtu, Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se GJKKO-ja e Shkallës së Parë ka vendosur masën e sekuestrimit të pasurive të kërkuesve sipas neneve 3, 11, 12, 14, 15 e vijues të ligjit nr. 10192/2009 dhe, përpara mbarimit të afatit ligjor, ka vendosur zgjatjen e afatit të sekuestrimit bazuar në nenin 12, pika 3, të të njëjtit ligj. Megjithatë, kërkuesit në ankimin kushtetues individual nuk kundërshtojnë vendimet gjyqësore për masën e sekuestrimit dhe për zgjatjen e afatit të saj, por, me pretendimin se GJKKO-ja e Shkallës së Parë nuk kishte caktuar seancë të posaçme, të paktën 5 ditë përpara përfundimit të afatit 6-mujor, sipas nenit 12, pika 4, të ligjit nr. 10192/2009, ata kundërshtojnë vendimin gjyqësor për rrëzimin e kërkesës për shuarjen e sekuestrimit për shkak të përfundimit të afatit ligjor, ndonëse kjo gjykatë kishte vendosur në fakt zgjatjen e tij. Në këtë situatë, për të vlerësuar përmbushjen e kriterit të shterimit të mjeteve juridike efektive, merr rëndësi të përcaktohet nëse vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i kundërshtuar nga kërkuesit në ankimin e tyre, ka formë përfundimtare, në kuptim të nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës.
  11. Gjykata ka pohuar në jurisprudencën e saj se, si rregull, individi mund t’i drejtohet asaj për kontrollin e kushtetutshmërisë së një vendimi gjyqësor, i cili ka vendosur në mënyrë përfundimtare për të drejtën kushtetuese që pretendohet të jetë cenuar (shih vendimin nr. 14, datë 11.03.2021 të Gjykatës Kushtetuese).
  12. Në rastin konkret, ndonëse kërkuesit kanë kundërshtuar vendimet e gjykatave, të cilat kanë rrëzuar kërkesën e tyre për shuarjen e masës së sekuestrimit të pasurive, shkaku i pretendimeve të paraqitura lidhet me procedurat e hetimit pasuror, në përfundim të të cilit mund të vendoset pushimi i çështjes ose konfiskimi i pasurisë. Përgjatë këtij procesi, GJKKO-ja e Shkallës së Parë ka marrë masën paraprake të sekuestrimit që ka natyrë konservative për një afat deri në 6 muaj, të cilin, bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, e zgjati edhe për 6 muaj të tjerë.
  13. Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se vendimet e GJKKO-së së Shkallës së Parë për vendosjen e masës së sekuestrimit të pasurisë për një afat deri në 6 muaj, për zgjatjen e këtij afati, për revokimin e masës ose për shuarjen saj bazohen në ligjin nr. 10192/2009, konkretisht në nenet 3-7, 11, 12, 14 dhe 15 të tij. Gjithashtu, neni 27, pika 1, i ligjit nr. 10192/2009 parashikon: “Kundër vendimit të gjykatës për sekuestrimin e pasurisë, zgjatjen e afatit të masës së sekuestrimit, revokimit apo të shuarjes së masës së sekuestrimit, mund të bëhet ankim në gjykatën e një niveli më të lartë, sipas afateve dhe kushteve të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.”.
  14. Mbledhja e Gjyqtarëve çmon se në rastin konkret kërkuesit kanë kundërshtuar një vendim gjyqësor për shuarjen e masës së sekuestrimit, i cili nuk është përfundimtar, pasi nëpërmjet tij nuk është vendosur në mënyrë përfundimtare për të drejtën e tyre të pronësisë. Një vendim i tillë, edhe kur është dhënë pas shterimit të ankimeve deri në Gjykatën e Lartë, nuk ka masën e autonomisë nga procesi i themelit, në kuptimin që nuk është i aftë të ndryshojë dhe as të riparojë efektet në vendimin e mosmarrëveshjes së themelit (kupto procedimin pasuror), pavarësisht se ky procedim vazhdon.
  15. Për sa më lart, Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se kërkuesit, në kërkesën e tyre drejtuar Gjykatës Kushtetuese, nuk plotësojnë kriterin e shterimit të mjeteve juridike në dispozicion, në kuptim të nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës.

 

PËR KËTO ARSYE,

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 31 dhe 31/a, pikat 1 dhe 2, shkronja “d”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njëzëri,

 

V E N D O S I:

Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.

/Burimi: Priza.al/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu