Bajram Begaj presidenti i Shqipërisë/ Çfarë ndodhi dje në Kuvend, nga votimi te firma e Metës! Ja…

0
Bajram Begaj presidenti i Shqipërisë/ Çfarë ndodhi dje në Kuvend, nga votimi te firma e Metës! Ja…
Gjigandi

Duke u zotuar se Shqipëria për të vjen mbi të gjithçka, ushtaraku Bajram Begaj u zgjodh të shtunën president i Shqipërisë me 78 vota të deputetëve të Kuvendit.

Në votimin e tij në Kuvend morën pjesë 83 deputetë, prej të cilëve katër ishin kundër dhe një abstenoi. Pjesa më e madhe e opozitës nga Partia Demokratike bojkotoi seancën.

Kandidatura e Begajt u mbështet nga Partia Socialiste dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e propozoi për president pas dështimit për të zgjedhur president konsensual me Partinë Demokratike në opozitë.

Para votimit, Begaj tha se do të mbajë pozitën e presidentit “me respekt të barabartë për të gjitha palët përfaqësuese të popullit shqiptar”.

“Fjalët nuk kanë qenë kurrë arma ime më e fortë, por edhe sikur të ishin jam i bindur se do ta kisha të vështirë t’i gjeja në këtë rast. Ky është një ndër ato raste që fjalët nuk e përshkruajnë dot. Vetëm përkushtimi me besnikëri absolute ndaj Republikës, qytetarëve dhe Kushtetutës së saj, mund ta tregojnë sadopak madhësinë e këtij nderi”,

RonaTyra

tha Begaj.

Para se të propozohej për president, Begaj mbante detyrën e shefi të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Presidenti aktual i vendit, Ilir Meta, më herët gjatë ditës firmosi dekretin për lirimin nga detyra e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke i hapur rrugë votimit të tij në postin e kreut të ri të shtetit.

Kryeministri i Shqipërisë, njëherësh kryetar i PS-së, Edi Rama, edhe të shtunën përsëriti se emri i Begajt u propozua për shkak të profilit të tij ushtarak dhe dedikimit e shërbimit të tij ndaj shtetit të Shqipërisë.

Rama gjithashtu theksoi se Begaj është figurë jopartiake dhe unifikuese, si dhe “shëmbëlltyra e normalitetit” për Shqipërinë.

“Besoj se kemi arritur qartësisht objektivin që kemi pasur qysh në krye të herës dhe të gjitha reagimet flasin për këtë. Natyrisht përjashtuar ndonjë reagim pa lidhje të hapësirës politike, flas përtej kësaj, që do të thotë që i kemi dhënë Shqipërisë një president normal, një figurë të pakontestueshme në aspektin e integritetit të humanizmit dhe patjetër edhe të përkushtimit për vendin dhe për njerëzit”

, u shpreh kryeministri.

Seanca e Kuvendit për të zgjedhur të parin e shtetit u mbajt të shtunën, pas dështimit të tre rundeve të mëparshme, ku partitë opozitare nuk propozuan asnjë kandidat, duke i hapur rrugën PS-së që ta zgjedhë e vetme presidentin.

Partia Demokratike në opozitë e ka konsideruar jokushtetuese zgjedhjen e presidentit.

Kryeari i kësaj partie, Sali Berisha, ka thënë se me zgjedhjen e tij si president,

“krijohet precedenti tepër i rrezikshëm për vendin sepse krijon precedentin e mundësisë së ardhjes së ushtarkëve në pushtet, pavarësisht se Kushtetuta nuk i lejon ata”.

“Dënoj me forcën më të madhe këtë akt tipik për juntat dhe të pashembullt në historinë e vendeve të lira”,

tha Berisha.

Megjithatë, bashkësia ndërkombëtare ka uruar zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se pret bashkëpunim për marrëdhënie të sigurta BE-Shqipëri.

“Urime Bajram Begajt për zgjedhjen e tij si presidenti i ardhshëm i Shqipërisë. Presim me padurim që të punojmë bashkë për një marrëdhënie të sigurt dhe solide BE-Shqipëri, si anëtarë të familjes evropiane”,

ka shkruar Borrell në Twitter.

Urimit i janë bashkuar edhe kori diplomatik ndërkombëtar me mision në Shqipëri.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi Begajn për zgjedhjen në krye të shtetit shqiptar, duke thënë se do të punojnë së bashku drejt integrimeve evropiane.

Begaj, mjek në profesion, mori detyrën si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare, në vitin 2020.

Që nga viti 1998 ai ka shërbyer në disa poste administrative ushtarake, si komandant i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës, shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor, dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.

Presidenti i ri i vendit pritet të marrë zyrtarisht detyrën më 24 korrik të këtij viti – ditën kur largohet nga zyra presidenti aktual, Ilir Meta. /REL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu