Autobusët nisin punën, nuk lejohen pasagjerët pa maska

0
Gjigandi

Policia Bashkiake ka nisur monitorimin në të gjitha stacionet e autobusëve të protokollit të sigurisë, si nga ana e operatorëve, ashtu edhe udhëtarëve.

Gentian Vocaj, shef i qarkullimit në Policinë Bashkiake thotë se pjesa më e madhe e qytetarëve dhe e operatorëve janë në dijeni të këtyre masave dhe po i zbatojnë ato, ndërsa apelon për një ndërgjegjësim më të madh të qytetarëve lidhur me respektimin e tyre.

“Në bazë të protokollit, qytetarët duhet të jenë të pajisur me maska që kur qëndrojnë në stacion, po ashtu edhe shoferët, faturinot dhe kontrollorët. Policia Bashkiake e ka nisur kontrollin që në mëngjes. Pjesa më e madhe e qytetarëve dhe operatorëve janë në dijeni të këtyre masave dhe po i zbatojnë, por Policia Bashkiake gjatë kësaj dite dhe në vazhdim do të kërkojë sensibilizimin e qytetarëve. Por, nëse do të kemi probleme me moszbatimin e protokollit do të kalojmë në masa administrative, si për operatorët, edhe për qytetarët”, theksoi Vocaj.

Ai shtoi se pas 10 ditëve, kushdo që nuk do të respektojë protokollin e sigurisë, do të përballet me sanksione, ndërsa siguron se kontrollet do të vijojnë deri në zhdukjen e pandemisë. “Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka miratuar një protokoll sigurie për të gjithë operatorët e transportit urban, qytetës dhe rrethqytetës, si dhe për qytetarët që do të përdorin këtë shërbim. Në bazë të këtij protokolli të gjithë qytetarët që në momentin që rrinë në stacion dhe presin urbanin, duhet të jenë të pajisur me maskë dhe këtë maskë duhet ta mbajnë edhe brenda autobusit. Kontrolli ynë nis që kur qytetarët presin në stacion, nëse nuk i respektojnë masat, polici shkon dhe i këshillon. Në rast se do të konstatohet se nuk zbatohen masat do të vendosim masat administrative. Kontrollet do të jenë në të gjitha linjat deri në zhdukjen e pandemisë”, përfundoi ai.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu