Gjigandi
Ballina Lajme Shqip Asnjë surprizë nga Presidenca! Meta kthen për rishqyrtim dhe çon në Venecia...

Asnjë surprizë nga Presidenca! Meta kthen për rishqyrtim dhe çon në Venecia Kodin Zgjedhor

0
18

Siç pati paralajmëruar Presidenti Ilir Meta ka nënshkruar ditën e djeshme dekretin që kthen në Kuvend rishqyrtimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.  Meta thotë se këto ndryshime janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën si dhe cënojnë parimet demokratike ndërkombëtare të realizimit të një procesi ligjor.

Duke renditur të gjitha arsyet e tij për rikthimin e këtij ligji në Kuvend, ndër të tjera mësohet se Meta i është drejtuar Komisionit të Venecias më 21 Tetor për të marrë opinionin e saj të specializuar dhe objektiv mbi këtë çështje.

“Pikërisht për këto arsye, që konstatojnë faktin se këto ndryshime të shpejta, të padialoguara dhe të pa dakordësuara, vetëm pak muaj para datës së zgjedhjeve, cenojnë jo një, por disa parime dhe të drejta kushtetuese, ashtu si dhe standardet, angazhimet dhe praktikën e mirë zgjedhore europiane; në mungesë të Gjykatës Kushtetuese funksionale; dhe në respektim të kërkesës zyrtare që më është paraqitur nga Kryetari i Opozitës së Bashkuar për marrjen e një opinioni pranë Komisionit të Venecias, si President i Republikës, në datën 21 tetor 2020, i jam drejtuar me një kërkesë urgjente Komisionit Europian për Demokraci përmes Ligjit (Komisionit të Venecias) për një opinion të specializuar dhe objektiv mbi këtë proces”.

Meta arsyeton se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë realizuar në mënyrë të njëanshme, pa konsensus gjithëpërfshirës dhe bie ndesh me frymën kushteve të vendosura nga Këshilli Europian në datë 25 Mars 2020 dhe plotësimin e 15 kushteve përpara zhvillimit të konferencës së parë ndërqeveritare.

Për më tepër, sipas Metës, ndryshimet dëmtojnë klimën e bashkëpunimit mes forcave politike në vend, janë në kundërshtim me parimet e vendosura nga Komisioni i Venecias si dhe krijojnë një pozitë të pabarabartë, diskriminuese. Sipas kreut të shtetit situata rendohet edhe me faktin që Gjykata Kushtetuese në Shqipëri mungon.

“Miratimi i këtyre ndryshimeve të njëanshme, pa dialog dhe konsensus, e mbi të gjitha duke ndryshuar rregullat pas përcaktimit të datës së zgjedhjeve, shumë afër kësaj date (25 prill 2021), do të jetë një shkak më shumë për bllokimin e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian, do të minonte çdo mundësi për çeljen e negociatave dhe përmbushjen e kriterit kryesor të Kopenhagës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe do të dëmtonte imazhin e Republikës së Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe si kryesues i OSBE-së përgjatë vitit 2020, kur për vetë OSBE-në çështjet e standardeve zgjedhore janë thelbësore”, thotë Meta.

Sipas Metës, rregullat e reja të lojës, përpiqen që të krijojnë një ambient elektoral që do të favorizojnë mazhorancën qeverisëse në procesin zgjedhor. Ato përbëjnë një rrezik që procesi paraeraelektoral, ai i fushatës, votimi, numërimit dhe ai ankimor të zhvillohet nën një klimë të polarizuar politike.

Meta shton më tej se ndryshimet ndryshimet në Kodin zgjedhor u realizuar në një kohë që Presidenti e kishte caktuar datën e zgjedhjeve duke prishur kështu rregullat e një procesi zgjedhor që tashmë ka filluar, në shkelje të parimeve demokratik. Në fund Meta thotë se “Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 tetor 2020, cenojnë parimin e procesit të rregullt ligjor, si dhe të drejtën për të zgjedhur e për t`u zgjedhur, e mbi të gjitha parimin e barazisë së votës”.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor u miratuan në parlament më datë 5 Tetor me 97 vota pro. Këto ndryshime kanë të bëjnë me listat, koalicionet dhe pragun zgjedhor. Kështu sipas vendimit të marrë nga Kuvendi në zgjedhjet e ardhshme listat do të bëhen nga partia. Një kandidat mund ta prishë këtë renditje nëse merr më shumë vota parapëlqyese se sa mesatarja që ka marrë partia për të fituar një mandat deputeti në një qark të caktuar.

Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor parashikohet që koalicionet të jenë me listë unike dhe jo të përbërë. Gjithashtu pragu është caktuar në 1%. Kryetari i partisë do të ketë të drejtën që të kandidojë në 4 zona të ndryshme me Kodin e ri.

Ajo seancë plenare u shoqërua me debate të ashpra mes deputetëve dhe opozitës parlamentare dhe të mazhorancës. Opozita jashtëparlamentare është shprehur kundër ndryshimeve pasi sipas tyre ato janë antikushtetuese. PD-ja dhe LSI-ja kërkuan ekspertizën e OSBE/ODIHR, por kjo u refuzua nga mazhoranca.

Ndërkohe opozita dhe Presidenti Meta kanë deklaruar se miratimi i ndryshimeve kushtetuese prishi marrëveshjen e 5 Qershorit, e arritur mes palëve për Reformën Zgjedhore edhe falë ndërhyrjes së ambasadorëve të huaj.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu