Ambasada SHBA në Beograd: Të shqetësuar nga zhvillimet e fundit, po ndjekim me kujdes situatën

0
Gjigandi

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd u shpreh thellësisht e shqetësuar nga protestat e dhunshme atje, duke thënë se e dënon dhunën në të gjitha format e saj, përfshirë ato që duken “ si sulme të koordinuara ndaj policisë, por edhe forcën e përdorur prej kësaj të fundit.

Ajo shton megjithatë se e drejta për të protestuar paqësisht mbetet një prej elementëve kyçë të çdo demokracie, dhe se Amerika vetë është një vend që po përballet me sfida përsa i takon protestave civile dhe trazirave.
Pas indinjatës popullore që shkaktuan planet për rivendosjen e karantinës, qeveria serbe vendosi të heqë dorë prej idesë së rikthimit të një shtetrrethimi gjatë fundjavës.
Kryeministrja Ana Brnabic thjesht njoftoi disa kufizime shtesë, duke përfshirë ndalimin e grumbullimeve me më shumë se 10 persona. Pas dy netë protestash, njerëzit u mblodhën sërish mbrëmjen e djeshme përpara ndërtesës së Parlamentit, por këtë herë tubimi ishte paqësor.
Protestat në Beograd nisën të martën, pas paralajmërimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçic se mund të vendoste orë policore në fundjavë, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.
Tubimet shpejt morën kthesë të dhunshme e turma njerëzish tentuan edhe të hynin në Kuvendin e Serbisë. Në protestat e dy netëve të kaluar, policia ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre. Disa organizata joqeveritare e kanë akuzuar atë për përdorim të tepruar të dhunës kundër protestuesve.

Burimi: top-channel.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu