Presidenti amerikan Donald Trump ka treguar detaje ne lidhje me ngjarjen e ndodhur me kreun e ISIS. Ai tha se Lideri i ISIS AL Bagdadi vdiq duke qarë, dhe gjatë shpërthimit mbetën të vrarë dhe tre fëmijët e tij. Në këtë mënyrë kreu i Shtëpisë së Bardhë Donald Tramp konfirmoi vdekjen e atij që e cilësoi si terroristi numër 1. Trump falenderoi dhe kurdët në Siri për informacionet e çmuara që kishin dhënë për vendndodhjen e tij. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, konfirmoi se Al Bagdadi u vra gjatë një sulmi amerikan në Siri. Gjatë deklaratës në Shtëpinë e Bardhë Trump u shpreh se terroristi numër një në botë u vetëhodh në erë, pasi u bllokua në një rrugë pa dalje, duke qarë dhe duke ulëritur. Gjatë shpërthimit ai vrau dhe tre fëmijët e tij. Me tej kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se nën drejtimin e tij u shkatërrua Kalifati dhe terroristët tashmë nuk duhet ta bëjnë gjumin e qetë. Trump shtoi se lideri i ISIS vdiq si një qen, si një frikacak dhe se operacioni kundër tij zgjati dy orë: “E pashë drejtpërdrejt atë operacion teksa ndodhesha në Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë. Ishte si të shihje një film,” shtoi Trump. Sipas presidentit amerikan Trump, AL Bagdad po punonte për rindërtimin e ISIS. Më pas ai falenderoi Rusinë, Sirinë, Turqinë, Irakun dhe kurdët e Sirisë pa të cilët operacioni nuk do të ishte kaq i përsosur. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën një sulm kundër Al Bagdadit në verilindje të Sirisë. Sipas rrjetit televiziv Foks, i cili citon burime ushtarake amerikane, lideri i ISIS është vrarë. Ai aktivizoi detonatorin e një jeleku eksploziv duke u hedhur në erë para ushtarëve që kishin hyrë në vendqendrimin e tij. Përpjekjet për kapjen e al Bagdadit zgjatën pesë vjet. Burime të Pentagonit për revistën Njusuik, thonë se lideri i ISIS u sinjalizua teksa ndodhej me disa familjarë. Dy nga bashkëshortet e tij mbetën të vrara gjithashtu gjatë shpërthimit. Ndërkohë dhe analizat e ADN-së konfirmuan se bëhet fjalë për AL Bagdadin, sipas asaj që raporton Foks Njus. Lideri i ISIS u sinjalizua teksa ndodhej me disa familjarë. Sipas agjencisë turke të lajmeve Anadoll, sulmi zgjati katër orë. Tetë helikopterë amerikanë dhe dy dronë, sulmuan zonën për më shumë se një orë e gjysëm, ndërsa në tokë u zhvillua një shkëmbim zjarri. Pas kësaj helikopterët u rikthyen sërish në zonë duke goditur objektivat, para se të uleshin për të zbritur njësitë tokësore, forcat special amerikane. Këtu nisi dhe faza e dytë e cila zgjati dy orë e gjysmë. Në vendngjarje janë gjetur shtatë trupa të pajetë, tre burra, tre gra dhe një fëmijë, ndërkohë të plagosurit janë pesë.