Akuza e fortë Sandër Lleshajt: Në ndërtimin e Portit të Durrësit do të pastrohen para

0
Gjigandi

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka folur mbi ndërtimin e Portit të Durrësit, ku sipas tij, prioritet madhor duhet të jetë porti i madh i Shqipërisë si më i rëndësishmi në rajon.

Lleshaj flet për zhvendosje të portit, që sipas tij duhej të kishte ndodhur ndërkohë, pasi aty ku është nuk mund të kryejë funksionet e një porti modern rajonal. Ai mendon që porti duhet të ndërtohet në një vend tjetër me vizionin e njërit nga portet me të rëndësishme të rajonit.

Sandër Lleshaj thotë për gazetën “Panorama.al” se Porti i madh duhet të jetë projekti i vërtetë strategjik i vendit, pasi ka kapacitetin ta transformojë rrënjësisht Shqipërinë, kurse Porti i vogël i Durrësit sipas tij është shumë i vogël për të marrë një domethënie strategjike. Ai bën të qartë se “Durrësi ka shumë rrezatim historik dhe nuk ka nevojë të jetë një “Dubai i Mesdheut”.

Ish-ministri socialist flet edhe për largimin e shqiptarëve, teksa e sheh me shqetësim trendin migrator të tyre drejt vendeve të perëndimit. Për largimin e tyre ai fajëson politikën si përgjegjëse për gjendjen ekonomike të vendit, e cila, sipas Lleshajt, kurrë nuk ka arritur që t’i afrohet normalitetit.

Sandër Lleshaj thotë se politika në thelb ka qenë një betejë e përhershme për vota dhe jo për zhvillim. Sipas tij, obsesioni për vota ka shuar çfarëdo guximi për reforma dhe mungesa e tyre ka goditur natyrisht vetë ata që japin votën, qytetarët të cilët po emigrojnë drejt vendeve të perëndimit.

RonaTyra

Sandër Lleshaj beson se ka shumë mënyra për të kontrolluar përmasat e tij, ndërkohë që ndalimi as mund të mendohet si opsion… Ai apelon për krijimin e kushteve për zhvillimin e shoqërisë dhe jo thjesht fitorja në zgjedhjet e ardhshme. Lleshaj përmend se partitë janë një punishte elektorale, por jo laboratorë ku zhvillohet e ardhmja e vendit.

Z.Lleshaj, së fundmi politika është përfshirë nga debati për ndërtim e portit turistik të Durrësit nga kompania “Emaar”. Si e konsideroni projektin e këtij porti, projekt strategjik apo një skemë për pastrimin e parave!?

Kur flasim për pozitë gjeostrategjike të Shqipërisë, flasim në fakt për aksesin maritim të saj, flasim konkretisht për portet e saj, ku Durrësi është kryesori, edhe pse ende krejt i vogël për të qenë strategjik. Që metafora e Shqipërisë si Porta e Ballkanit të bëhet realitet, ajo ka nevojë të ndërtojë një PORTË reale, një ose disa porte të mirëfilltë. Kjo gjë madje është sanksionuar edhe në Politikën e Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë, që është miratuar në Kuvendin e saj.

Është prioritet strategjik kombëtar i dorës së parë ndërtimi i një kapaciteti të rëndësishëm portual dhe i një korridori përkatës që e lidh këtë port me “hinterlandin” juglindor të Europës. Janë disa shtete shumë afër me ne, që mund të lidhen me hapësirën jetike të shkëmbimeve detare përmes Shqipërisë. Ky është një ndër kapitalet më të rëndësishëm që Shqipëria ka potencialisht në dorë për ta zhvilluar. Theksoj se prioriteti madhor duhet të jetë porti i madh, i cili ka kapacitetin ta transformojë rrënjësisht Shqipërinë.

Unë jam krejt i bindur se këtu duhet të përqendrohet energjia kryesore. Sa i përket portit turistik, ose portit të vogël, unë mendoj se ai është i nevojshëm, por shumë i vogël për të marrë një domethënie strategjike. Sigurisht që vendimi për ta ndërtuar atë në Durrës është krejt logjik, ndërkohë që PORTI i MADH i Shqipërisë duhet të paraprijë në të gjitha aspektet. Kam një shënim të vogël anësor lidhur me simbolikën e projektit të vogël. Ata që njohin disi kohën e artë të antikitetit greko-romak, e dinë se Durrësi gjendet në të gjitha hartat e vjetra të kontinentit, në të cilat mungojnë shumë prej qyteteve të mëdha të vetë Europës së sotme.

Durrësi ka aq shumë rrezatim historik kulturor dhe historik sa që jo vetëm i mjafton, por edhe i tepron. Në këtë kuptim, ai nuk ka nevojë të jetë një “Dubai me Mesdheut”, por vetëm Durrësi. Durrësi, që edhe pse ende nën dhe, e ka hirin e një qyteti të përjetshëm. Sa u përket aludimeve për krimin e lidhur me këtë projekt, mendoj se ato duhet të verifikohen nga organet që kanë kompetencë ligjore dhe profesionale. Ndërkohë që për publikun vlen thirrja për të analizuar edhe autorët e tyre, që në shumë raste kanë spikatur si intoksikues të rrezikshëm publikë.

Projekti është shpallur investim strategjik dhe parashikon zhvendosjen e portit aktual të Durrësit dhe në pronën e tij do të ndërtohen apartamente, qendra komerciale dhe hotele… A është një kafshatë e madhe për shqiptarët siç shprehet opozita…?

Zhvendosja e portit duhej të kishte ndodhur ndërkohë, pasi aty ku është ai nuk mund të kryejë funksionet e një porti modern rajonal. Ritheksoj që porti duhet të ndërtohet në një vend tjetër me vizionin e njërit nga portet me të rëndësishme të rajonit. Ky duhet të jetë projekti i vërtetë strategjik i Shqipërisë ashtu sikundër e përcakton dhe Strategjia e Sigurisë Kombëtare. Ndërsa ky projekti tjetër me port turistik, hotele dhe rezidenca mbetet vetëm një projekt zhvillimor.

Pse po ikin shqiptarët…? Çfarë i bën ata të pakënaqur në këtë vend?

Ju bëni një pyetje, për të cilën nuk mund të ketë një përgjigje. Për secilin nga ata që janë larguar apo po largohen ka një të veçantë. Dikush ikën për një punë më të mirë, një tjetër për një shkollë më të mirë; dikush kërkon një mundësi kurimi e një tjetër i ikën një sherri. Sigurisht që ka edhe shumë të tjerë që ikin pa e ditur mirë se përse, ikin në kërkim të një iluzioni të krijuar nga imazhet. Por është e vërtetë që fluksi i largimit të shqiptarëve nuk duket se do të zvogëlohet.

Dikush largohet nga vendi ose kur një faktor shtytës tenton ta largojë, ose kur një faktor tërheqës në vendin tjetër e nxit të afrohet, ose kur të dy faktorët bëhen bashkë. Duhet të jemi të qartë se faktorët tërheqës, pra, ata faktorë të jashtëm që nuk varen nga ne, do të vijojnë të përforcohen, për aq kohë sa ekonomitë e vendeve të Europës apo të Amerikës së Veriut kërkojnë përditë e më shumë fuqi punëtore. Kësaj nuk kemi se çfarë t’i bëjmë. Ajo që mbetet në dorën tonë është të reduktojmë faktorët shtytës, ata faktorë që nxisin largimin dhe që janë në dorën tonë.

Çfarë po i varfëron shqiptarët, kriza ekonomike apo politika?

Varfërimi apo pasurimi i kujtdo varet në radhë të parë nga ai vetë dhe ne nuk duhet të ngurrojmë që ta themi këtë, pasi tendenca për t’i kërkuar shkaqet e të mirave apo të këqijave tona vetëm jashtë nesh, përfshirë madje edhe vetë qeverinë, është në thelb e paplotë. Në njëfarë mase, kjo gjë na depersonalizon dhe na shtyn drejt një rrethi vicioz të kërkimit të përgjegjësive tona tek të tjerët. Jo! Secili duhet të ndiejë përgjegjësi për gjendjen e vet.

Po shfajësoni politikën si faktori shtytës…?

Mos u nxitoni që të thoni se po përpiqem që me këtë të shfajësoj politikën. Aspak jo! Politika shqiptare në përgjithësi dhe qeveritë shqiptare në veçanti kanë qenë dhe mbajnë përgjegjësinë kryesore për gjendjen ekonomike të vendit, e cila kurrë nuk ka arritur që t’i afrohet normalitetit. Duke ia lënë çdo shqiptari pjesën e përgjegjësisë së tij personale, është e qartë se politika mban pjesën më të madhe të përgjegjësisë për gjendjen e shqiptarëve.

Problemi themelor me atë që në Shqipëri quhet politikë është deformimi absolut i kuptimit të vetë këtij termi të lartë. Në Shqipëri, politikë do të thotë parti dhe parti do të thotë grupim interesi. Ky është një deformim i thellë, një defekt lindjeje i pluralizmit shqiptar, i cili për ironi të historisë, nëse nuk është autorizuar, të paktën është noterizuar nga vendimet e partisë komuniste në fundin e 1990-ës. Një politikë e gjymtuar që në lindje duket se e ka të pamundur ose të ndaluar të kuptojë se qëllimi i ekzistencës së saj është krijimi i kushteve për zhvillimin e shoqërisë dhe jo thjesht fitorja në zgjedhjet e ardhshme.

Pikërisht për arsye se partitë tona ekzistojnë për të fituar zgjedhje, ato janë një punishte elektorale, por jo laboratorë ku zhvillohet e ardhmja e vendit. Për këtë arsye, ato janë vatra militantësh, por jo forume mjeshtrash. Për arsye se fitorja në zgjedhjet e radhës është qëllimi final, partitë dominohen nga punëtorët partiakë dhe bash për këtë arsye ato e kanë shumë të vështirë bërjen e politikës dhe qeverisjen.

Dhe nëse duam të jemi të ndershëm, duhet të pranojmë se për këtë gjendje, përgjegjësia nuk është vetëm e politikës, por edhe e gjithë shoqërisë, e cila nuk ka arritur të ndriçohet deri në atë nivel sa të kuptojë këto gjëra elementare. Nganjëherë mjafton të shohësh përgjërimet plot përulje të njerëzve të thjeshtë përballë dinozaurëve të rrënimit politik të vendit në mitingjet e tyre për të kuptuar thellësinë e dramës shqiptare.

Pse kemi trend migrator të shqiptarëve drejt vendeve të Perëndimit? Pse qeveria nuk arrin të ofrojë në vendin tonë një ambient ku qytetarët tanë të realizojnë ambiciet dhe ëndrrat e tyre për një jetë më të mirë ndërkohë që ky largim masiv po krijon një hendek të madh në vend dhe një strukturë ekonomike të prapambetur?

U përpoqa ta cek pak edhe në pyetjen e mëparshme këtë. Politika këtu në thelb ka qenë një betejë e përhershme për vota dhe jo për zhvillim. Që në orët e para të saj, në vitin 1991, ajo bëri “mëkatin fillestar” kur për vota shkatërroi edhe më keq se sa vetë komunizmi konceptin e pronësisë mbi tokën. Më tej, po për vota shkatërroi konceptin e jetës urbane dhe mbushi vendin me ndërtime pa leje. Më tej, po për vota, legalizoi dhe përjetësoi katastrofën urbane. Nevoja për vota ka penguar reformat e vërteta në sistemin politik, në administratë, në pushtetin vendor, në financat publike, në shëndetësi, në arsim e në shumë sektorë të tjerë të rëndësishëm të jetës.

Obsesioni për vota ka shuar çfarëdo guximi për reforma dhe mungesa e tyre ka goditur natyrisht vetë ata që japin votën, qytetarët. Guximi politik për reforma është edhe guximi edhe për të humbur vota, pa të cilin shoqëria nuk mund të ecë përpara. Në vendin tonë nuk janë kryer kurrë reformat kryesore që do të duhej të ishin realizuar prej dekadash tashmë. Energjia e paorientuar e shqiptarëve në masën më të madhe të saj është kthyer në beton, në vend që të ishte shndërruar në një ekonomi të strukturuar.

Si e lexoni deklaratën e kryeministrit Edi Rama se shqiptarët gjithmonë kanë emigruar dhe e vetmja kohë kur u penguan ishin gjatë kohës së komunizmit?

Deklarata e Ramës është e saktë. Përpara pavarësisë, shqiptarët kanë emigruar drejt lindjes otomane, aq sa arritën të krijojnë atje një prani të konsiderueshme numerike, më pas kahja e emigrimit u kthye nga Perëndimi, ndërkohë që komunizmi e frenoi me dhunë këtë tendencë. Rënia e gardheve të diktaturës i hapi rrugë një vale tjetër gjigande migracioni përsëri drejt Perëndimit, falë së cilës Shqipëria mbijetoi dhe arriti të bëjë një kapërcim historik jo vetëm në aspektin ekonomik, por më së pari në atë kulturor.

Migracioni është një fenomen i përjetshëm njerëzor. Problem janë përmasat e tij, të cilat duhet të adresohen. A e dini për shembull se qytetarët e Izraelit duhet të marrin vizë për të shkuar në Amerikë? Dhe a e dini përse? Jo se SHBA nuk është gatshme të liberalizojë regjimin e vizave me aleatin e saj emblematik në Lindjen e Mesme, por se Izraeli nuk do që ta bëjë aq të lehtë migrimin e qytetarëve të tij.

Ju po nënkuptoni aplikimin e masave kufizuese kundër emigracionit?

Jo! Me këtë nuk dua kurrsesi që të them se ne duhet të aplikojmë masa kufizuese kundër emigracionit. Por, nga ana tjetër, ne nuk mund të rrimë përballë tij si përpara një fenomeni natyror të pashmangshëm. Ka shumë mënyra për të kontrolluar përmasat e tij, ndërkohë që ndalimi as mund të mendohet si opsion.

Çfarë pasojash do të ketë për shoqërinë shqiptare plaga e madhe e emigrimit? Çfarë mund t’i mbajë shqiptarët në Shqipëri?

Shqipëria, ashtu si dhe vetë Europa, po mpaket. Por te ne ky proces ka ritëm dhe përmasa shqetësuese, pasi plakjes natyrore mjaft shqetësuese, që vjen nga rënia e natalitetit, i mbivendoset edhe migracioni i konsiderueshëm. Për të parë pasojat e kësaj nuk ka nevojë për shumë studime. Rënia e kapacitetit prodhues të vendit për shkak të rënies së fuqisë punëtore, largimi i mendjes dhe kërcënimi për sistemet e përkrahjes shoqërore dhe të pensioneve për mungesë të kontributeve janë vetëm disa nga pasojat më të dukshme.

Duket sikur të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit, por megjithatë e vetmja kurë për këtë situatë është ajo e hidhura. Reformat e munguara në sistemin politik, në administratë, në ekonomi, në pronësi, në shëndetësi, në arsim, në administrimin e pasurive publike mbeten një domosdoshmëri e panegociueshme. Në mungesë të tyre, ne vetëm do të mund ta shtyjmë për pak më vonë, por kurrsesi nuk do të mund ta zvogëlojmë përmasën e problemeve tona të mbartura.

Shqiptarët po ikin, por të tjerë pritet të vijnë… Bëhet fjalë për projektin e qeverisë, një pasaportë shqiptare në këmbim të investimeve… BE i ka kërkuar qeverisë tërheqjen nga skema e shtetësisë për investitorë që sipas Brukselit bie ndesh me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe përbën rrezik për Shqipërinë dhe për Unionin. A duhet rishikuar ky projekt…?

Për këtë temë jam shprehur edhe një herë te gazeta juaj. Projekti për pasaporta në këmbim të investimeve edhe në rastin më të mirë është aq i vogël sa nuk mund ta justifikojë kurrë shndërrimin në një argument konfrontimi me BE. Në thelb, pasaportat shqiptare do të kishin një shans për të tërhequr interesin e investitorëve të ndryshëm jo europianë, pikërisht për shkak të valencës europiane të tyre, e cila varet vetëm nga BE. I gjithë fati i këtij projekti varet nga vullneti i BE. Nëse BE është kundër, ky projekt duhet arkivuar. Në të kundërt, vetë pasaporta jonë mund të humbte valencën e saj europiane.

Komisioni Europian po monitoron shtetet, të cilat po udhëtojnë pa viza në BE, por që po planifikojnë të krijojnë skema të dhënies së shtetësisë për investitorët e pasur. Këtu përfshihen shtete si ishujt e Karaibeve dhe Paqësorit, shtetet e Evropës Lindore, Mali i Zi, Shqipëria dhe Moldavia. Kjo skemë sipas jush a paraqet mangësi serioze dhe dështime të sigurisë?

E thashë edhe më lart që pasaporta shqiptare mund të tërheqë investitorë jo për arsye të Shqipërisë, por për arsye të Shengenit. Por përderisa këtë SH-në e dytë, Shengenin, e kanë në dorë europianët dhe jo ne, edhe vetë fatin e projektit e kanë efektivisht në dorë ata. Kështu që mua më duket se kjo histori do të jetë thjesht në dorë të tyre. Padyshim që dhënia e shtetësisë ndaj qytetarëve të një vendi tjetër lidhet edhe me shumë aspekte të sigurisë.

A rrezikojmë të kemi infiltrim të krimit të organizuar, pastrimit të parave, evazionit fiskal dhe korrupsionin nëpërmjet “aplikantëve të mundshëm nga vendet e treta në një skemë të ardhshme shqiptare”?

Edhe pa “pasaportën e artë”, nga vitet ‘90-të e këndej, Shqipëria është “vizituar” nga shumë persona me barrë kriminale apo edhe terroriste. Ata kanë ardhur me viza, pa viza, kanë marrë leje qëndrimi madje edhe pasaporta shqiptare. Sigurisht që krijimi i mundësive të reja mund të ketë njëfarë ndikimi negativ edhe në këtë drejtim, por në thelb unë nuk shoh ndonjë risk shumë të shtuar për sigurinë. Risku i vërtetë në këtë drejtim është mospranimi europian. Nuk ka ndonjë nevojë për argumente të tjera. Mjafton ky mospranim që ky projekt të harrohet.

A po e konsumon pushteti qeverisjen socialiste?

Mandati për të qeverisur, apo pushteti, i ngjan një baterie që karikohet në zgjedhje në një përqindje të caktuar, që te ne shkon diku te niveli i 50 përqindëshit. Nga e nesërmja e zgjedhjeve fillon konsumi i energjisë. Partitë përpiqen që edhe gjatë rrugës të gjejnë mundësi dhe mënyra për të bërë ndonjë rikarikim, por në thelb konsumimi i energjisë është ligjësi e pashmangshme. Krejt arti është tekqëllimi i shpenzimit të saj dhe te rikarikimi. /Panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu