613 kg kokaine/ Basha tregon lidhjet me PS te pronarit te kompanise

10



Kryedemokrati Lulzim Basha ka treguar lidhjet me Partinë Socialistë të Arbri Çekaj, pronarit të kompanisë “Arbri Garden” që porositi ngarkesën me banane, që erdhi nga Kolumbia së bashku me 613 kg kokainë.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Basha tha se babai i Arbër Çekaj ka qenë kryetar i Partisë Socialiste në Tropojë, ndërsa xhaxhai i tij ka punuar në Bashkinë e Tiranës dhe ka kontribuuar financiarisht për kryebashkiakun Erion Veliaj. Megjithatë, Lulzim Basha e konsideron “peshk të vogël” pronarin e kompanisë.
“Babai i tij ka qenë kryetari i PS në Tropojë dhe xhaxhai ka punuar në Bashkinë e Tiranës dhe sipas informacioneve tona ka qenë kontribuues financiar në fushatën për Erion Veliaj. Por zotëria është peshk i vogël”, u shpreh kryetari i PD.
Sa i përket ngarkesës më të madhe me kokainë të sekuestruar në vendin tonë, Lulzim Basha akuzoi direkt Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.
“Kjo tregon që autoritetet shqiptare e kanë ditur që do të vinte kontanieri i drogës. Pse nuk e kapën italianët? Sepse donin të shikonin kush ishin pas saj.
24 orë para se kontenieri të futej në skaner, pronari i kompanisë u largua për në Gjermani. E njoftuan ata që janë të lidhur me drogën. Xibraka dhe Maminasi çojnë tek një lidhje. Një sasi 613 kg drogë nuk mund të vinte këtu pa garancitë më të larta politike.
Një sasi e tillë droge kokainë nuk kalon kurrë pa garanci politike. Sepse për të dytën herë radhazi kapet hamalli.
Kush është garancuesi politik i drogës? Ka dy mundësi. Njëri është ministri i Brendshëm, vëllai i të cilit është i dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata italiane dhe nuk ka bërë asnjë ditë burg dhe bredh i lirë në Shqipëri. Pista tjetër është pista e Xibrakës. Ne kemi informacionet tona, por të gjitha indikacionet të çojnë te dy fakte; që arrestohet hamalli dhe që pronari i kompanisë 24 orë para iku në Gjermani”, deklaroi kreu i PD Lulzim Basha.

You might also like
Comments