30 vite më parë u kthye muri i ambasadave, vendoset monumenti

0
Gjigandi

30 vite më parë, Tirana do të printe fillimin e ndryshimeve demokratike, kur shqiptarët mposhtën frikën dhe zgjodhën lirinë në perëndim, duke hyrë në ambasadat e huaja. Për të përkujtuar këtë ngjarje të shënuar, skulptori Agim Rada përjetësoi në një vepër të tij në Rrugën e Ambasadave, 2 korrikun e 1990, kushtuar njerëzve që grisën guximshëm perden e hekurt të regjimit komunist dhe rendën drejt lirisë evropiane.

Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se shumë prej atyre që në ato momente të vështira rrezikuan jetën për liri, sot janë sipërmarrës të suksesshëm në vendet ku jetojnë. “Me këtë monument përkujtojmë shprehjen për liri, por edhe vuajtjet e përjetuara në komunizëm. Më kujtohet shprehja e Dostojevskit, një shprehje ironike: “A jam unë i denjë për gjithë këto vuajtje që po kaloj?” Shumë prej nesh, sidomos gjenerata e prindërve tanë dhe ata që kanë bërë burg politik, me gjasë kanë pyetur veten si Dostojevksi: A i meritojmë t’i heqim mbi kurriz të gjitha këto? Unë besoj se ajo ditë e bekuar, kalimi i atij pragu, ishin një lloj konfirmimi që po, ndoshta vuajtjet na bënë më të denjë për të kërkuar një aspiratë më të madhe, për të qenë dinjitozë e fisnikë, ku sot jemi shumë krenarë për të gjithë ata shqiptarë të suksesshëm që janë integruar, që janë bërë sipërmarrës dhe punëdhënës të valës së re të emigrantëve që vijnë nga rajoni ynë”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se vetëm duke përkujtuar të shkuarën, shoqëria jonë mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë. “Kjo vepër e Agim Radës dhe bashkëpunimi mes ministrit të Diasporës dhe Ambasadorit gjerman do të jetë një kujtesë e përditshme e atyre kujtimeve, e episodeve, rrëfimeve dhe unë besoj se nëse do kemi një të ardhme si komb, do jetë duke kujtuar ato gjëra që kanë ndodhur për të ndërtuar një histori shumë herë më të mirë se ajo që kaloi”, theksoi Veliaj.
Ministri i Diasporës, Pandeli Majko solli në vëmendje ngjarjen e shënuar 30 vite më parë. Ai tha se 2 korriku 1990 ishte tronditja më serioze për një nga regjimet më të kontrolluara të Lindjes Komuniste. “Kjo datë prodhoi një akt, i cili sa refuzoi atë që ishte, po ashtu pohoi atë që do të vinte për shoqërinë shqiptare. Emigrantët shqiptarë të 2 korrikut trokitën të parët në dyert e Evropës, ata nuk ishin më shumë se 5 mijë vetë. Sot numri i shtetasve shqiptarë me pasaportë evropiane po shkon në 500 mijë. Ata ndryshuan Shqipërinë. Jemi sot për të përkujtuar një rrugëtim që filloi nga dera e vogël e ambasadave, me shpresën për të përfunduar në destinacionin e Bashkimit Evropian”, deklaroi Majko.
Ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf u shpreh se ata që guxuan më 2 korrik u kthyen në një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. “Diaspora luan një rol mjaft të madh. Kanë kaluar 30 vjet dhe Shqipëria është zhvilluar jashtëzakonisht nga ajo kohë, është në rrugëtimin e saj për t’u anëtarësuar në BE. Të merresh me të shkuarën është e vështirë, por e shëndetshme, i jep forcë një shoqërie që të marrë vendime më të mira për të tashmen dhe për të ardhmen. I inkurajoj të gjithë shqiptarët që ta diskutojnë hapur kohën e para vitit 1991 dhe të forcojnë më tej e të mbështesin institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile që janë aktive në këtë fushë”, deklaroi ai.
Vetë skulptori Agim Rada risolli edhe përjetimet personale të ngjarjeve të atyre ditëve ku ai ishte dëshmitar, ndërsa i bëri një apel ambasadorëve të pranishëm që të ndihmojnë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt familjes evropiane.

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu