Shkëndija ka mbyllur fazën përgatitore të dimrit në Antalya duke u rikthyer në qytetin e Tetovës ku do të vazhdojë përgatitjet deri në datën 19 Shkurt që përkon edhe rifillimin e kampionatit maqedonas. Kuqezinjtë tetovarë nën drejtimin e trajnerit gjerman Thomas Brdaric, qëndruan për më shumë se 2 javë në tokën turke duke zhvilluar edhe 4 sfida miqësore. Takimi i fundit ishte ai ndaj ekipit nga Kazakistani Okzhetpes, ndeshje të cilën skuadra shqiptare që luan në ligën e parë të Maqedonisë e fitoi me rezultatin 2-1.

Gjatë kësaj periudhe trajneri Brdaric, që në të kaluarën ka qenë sulmues i Hannover 96 dhe shumë klubeve të tjera të njohura, mori përgjigjet që kërkonte nga futbollistët e tij. Në 4 sfidat miqësore që zhvilloi në Antalya, Shkëndija regjistroi 2 fitore dhe 2 humbje. Të Shtunën në Sofje, kuqezinjtë do të zhvillojë ndeshjen e fundit miqësore përballë Cska-së vendase në mënyrë që skuadra që jetë gati për duelin e 19 Shkurtit ndaj Sileksit, takim i vlefshëm për javën e 19-t të kampionatit.

Pasi bëri mrekullinë duke kaluar tre ture dhe duke u kualifikuar deri në fazën play-off të Europa League, objektivi i Shkëndijës në këtë sezon është të fitojë titullin kampion pa anashkaluar edhe Kupën e Maqedonisë. Për këtë arsye drejtuesit e klubit tetovar ia besuan stolin një emri të mirënjohur të futbollit gjerman si Brdaric i cili do të bëjë cmos për të rikthyer trofeun e kampionatit në Tetovë. Aktualisht Shkëndija pozicionohet në vendin e dytë të renditjes me 4 pikë më pak se Vardari i Shkupit që kryeson klasfikimin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here