Roja dhe mysafiri tregojnë për të shtënat në ‘City Club’

0
63

Në gjykimin e Granit Elshanit dëshmuan roja e “City Club”-it dhe një mysafir i këtij lokali. Visar Digë që më parë e kishte mbiemrin Tishuki që ishte njëri nga rojat e diskotekës “City Club” në Pejë, dëshmoi në gjykimin e Granit Elshanit. Granit Elshani akuzohet se në këtë diskotekë vrau Besart Shabin më 2 janar të vitit 2010, ndërsa kreu edhe vepra tjera penale- tri vrasje në tentativë, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje. Visar Digë, njëri nga 5-6 rojat e sigurimit në natën kur ndodhën të shtënat në ”City Club” tha se detyrë e tij ishte organizimi i rojave tjera. Ai deklaroi se atë natë dy roja ishin vendosur te dera, një e kishte për detyrë të kontrollonte mysafirët, ndërsa ai bashkë me një rojë tjetër ishin vendosur brenda lokalit. Visar Digë tha se kur nisën të shtënat, kishte menduar se bëhej fjalë për fishekzjarrë. “Unë kam qenë në katin e dytë të lokalit, e kam hapë tavanin e lokalit. Një herë kam menduar që po gjuhen fishekzjarrë, sikurse herëve tjera. Dikur kam parë njerëz t’u shtri për tokë”, tha dëshmitari. Visar Digë më pas tregoi se kishte parë një person që shtinte me dy revole. “E kam pa personin me dy revole në duar, kam qenë duke zbritë shkallëve, pas meje ka qenë një vajzë e cila është plagosur, s’ka lëvizur askush. Ky person( me armë në duar) ka nisë me dal jashtë. Dikur është bërë tollovi e madhe dhe të gjithë mysafirët filluan të dalin jashtë”,tha dëshmitari. Prokurori Andrew Hughes ia kujtoi dëshmitarit deklaratën e dhënë në polici në të cilën Visar Digë kishte thënë se personi që qëllonte njërën revole e kishte të zezë e tjetrën të bardhë. “Ndoshta kam thënë, nuk e di”, tha dëshmitari, duke deklaruar se u qëndron besnik fjalëve që kishte thënë në polici. Prokurori Hughes ia “freskoi” përsëri kujtesën dëshmitarit duke ia përmendur se në polici kishte thënë që personi që shtinte kishte qëlluar edhe drejt tij. Dëshmitari nuk e mohoi këtë. “Ndoshta kam thënë, nuk me kujtohet, sepse ka kaluar kohë e gjatë. Në katin e dytë vetëm unë kam mbetur në këmbë dhe dy persona tjerë pas meje, ai ka gjuajtur kah na edhe u plagos ajo çika”,tha dëshmitari. Me pas ish roja e sigurimit e bëri edhe përshkrimin e personit që kishte gjuajtur me armë atë natë. “I gjatë ka qenë diku rreth 1.80 deri 1.90 centimetra dhe ka qenë shumë i zhvilluar. Detajet tjera nuk me kujtohen bash mirë”, tha ai. Por përsëri prokurori lexoi përshkrimin që dëshmitari i kishte bërë personit që shtiu në deklaratën e dhënë në polici. “Jakne të zezë apo të kaftë, nuk e di a ka pas pantallona apo farmerka po kanë qenë ngjyrë të zezë. Ka qenë i gjatë 1.80-1.85 cm,dhe kraharor të gjerë, me peshë mesatare. Gjysmën e flokëve të qethura,dhe pjesën e epërme të shkurtër”, lexoi prokurori. “Sipas deklaratës që po lexohet e kam thënë”, tha dëshmitari Visar Digë, por nuk mundi ta identifikojë personin që qëlloi para gati 8 vjetësh. Roja e sigurimit tha se sigurimi dështoi atë natë. Dha edhe arsyen për këtë. “Ka dështuar për arsye se pronari i diskotekës, Kaqa(Besart Shabi), ka kërkuar të hekën dy rojet nga dera e hyrjes se diskotekës, sepse brenda ka qenë tollovi e madhe. Rasti ka ndodhur pasi rojet janë hi brenda”, tregoi ai. Gjatë seancës së sotme u dëgjua edhe dëshmitari, Valbon Ademi, i cili ishte prezent natën e 2 janarit të vitit 2010 në diskotekën “City Club”. Ai tregoi se çfarë ndodhi kur nisën të shtënat. “Dikush ka hi edhe ka gjuajt me armë, një femër para meje ka qenë në shkallë edhe u plagos edhe nuk kam pa ma sen. Kur u plagos ajo femra ka ra mbi mua, e kam marr e kam çu në spital”, tha dëshmitari Ademi. Granit Elshani akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se me 2 janar të vitit 2010 kishte hyrë në diskotekë “City Club” në Pejë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendit. Siç përshkruhet në aktakuzë, në natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por për fat të keq kishte pësuar Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij. Prokurori tutje në aktakuzë përshkuan se mes familjes Elshani e Kelmendi kanë ndodhur 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë –dhjetë pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë. Gjatë incidenteve, siç përshkruan prokurori, janë plagosur 38 persona, prej të cilëve pesëmbëdhjetë nga familja Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit./Kallxo.com/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here